Sunday, 5 September 2021

Brezi im i pafat (fund)


(vijim)

Aq pafat ishim, sa dhe Muri i Berlinit, që kishte kohë që lëkundej nuk ra tre vjet më parë, por pikërisht kur ishim bërë të tërë me nga dy fëmijë. Ose Kadareja që kishte menduar dy tre herë të arratisej, nuk vendosi ca vjet më parë dhe me atë ngjarje do rrëzohej Diktatura në Shqipëri e ne do ja kishim mbathur nga sytë këmbët, beqarë, plot energji dhe me dëshirën për të parë me sytë tanë se si vuanin popujt në botën kapitalisto-revizioniste. Muri u rrëzua, Kadareja iku, doli Saliu dhe u gëzuam, por nga t’ja mbanim?! Fëmijkat që mezi i kishim ngritur më këmbë me qumshtin që me zor e gjenim, na shikonin të trishtuar sa dallonin në sytë tanë dëshirën për tu bashkuar me “eksodin”.

Me që ra fjala për “eksodin”, brezi jonë provoi në kurriz gjithë fatkeqsitë biblike, që çifutët i kishin kaluar në tremijë vjet. “Lufën e kllasave”, persekutimet, ngrënien e bretkocave, qethjen e detyruar, ndëshkimin e homoseksualëve, internimet, privilegjin e fëmijës së parë, ndarjen e familjeve, armiqësinë për vdekje me popujt fqinjë, shënjimin e portave të të privilegjuarve, gjimnastikën e detyruar në grup të mëngjesit, punën skllavo-vullnetare, ndërtimin e Piramidës dhe ja më në fund edhe “eksodin”.

Në fillim ikëm ne burrat, sa të gjenim punë se nuk kishim dokumenta, pastaj morëm gratë dhe fëmijët i lamë me prindërit sa të zinin punë edhe gratë që të mund të paguanin qeranë dhe ushqimin e t’ju dërgonin ca valutë prindërve që na mbanin fëmijët. Pastaj u bashkuan me ne dhe fëmijët dhe u gëzuam në kulm, por u kujtuam që nuk kishim dokumenta dhe në vendet ku jetonim përbuzeshim. Nuk ishte i tillë eksodi i çifutëve në Bibël. Merreni me mend se sa pafat kemi qënë dhe jemi. Cifutët kudo i lanë të lirë të ushtronin fenë e tyre dhe të ngrinin edhe sinagoga, kurse ne na detyruan të ndryshonim emrat, të pagëzoheshim dhe të ndyshonim edhe kombësinë.

Po edhe ata që ndenjën në atdhe nga të pafatët e brezit tim, megjithëse ishin në moshën më të mirë për të drejtuar vendin, nuk arritën të kishin ndonjë pozitë drejtuese veç disave që kishin qënë komunistë para ndryshimit të sistemit, ose spiunë të Sigurimit. Politikanët më të susksesshëm të brezit tim të pafat mbetën famëkeqët e kohës së studentllëkut Fatmir Hoxha dhe Koço Kokëdhima. Në cili prej tyre ta përplasje kokën?! I vetmi i saktë, Dash Shehi që arriti deri zv.kryeministër, u la më pas të drejtonte një parti me 20 antarë të pafat dhe të akuzohej për “ngrënie plëndsi” nga kryeministri Rama, që i përket pikërisht brezit pas nesh, që mund të konsiderohet me fat se ka nxjerrë dhjetra ministra dhe ministresha, disa kryeministra dhe një qerre me deputetë.

Të parët e “brezit më të pafat”, ata të lindur në vitin 1956, po dalin në pension dhe kudo që të jenë kanë vetëm gjysëm pensioni se nuk kanë punuar vitet e duhura në asnjë vend. Gjysma e pensionit në Shqipëri është diçka më pak se 100 euro, që jo vetëm nuk mjaftojnë për të dhënë rryshfet gjykatësit më “të lirë“ në çështjen më të thjeshtë gjyqësore, por nuk arrijnë as për një kurë fallco një javore ndaj Covid, që zakonisht ta sugjeron farmacisti sharlatan i mëhallës. Ata mes “të pafatëve” që janë më me fat, nëse sëmuren nga virusi vrasës shpëtojnë shpejt e shpejt pa shumë shpenzime dhe nisen drejt banesës së fundit, ndërsa ata më fatkeqët cfiliten nëpër spitalet vendase dhe të huaja dhe ikin pas dy tre muajsh duke lënë të afërmit edhe me një barrë me borxhe. Këtë “kolerë“ biblike nuk e kishim provuar deri më tani dhe që mos na mbetej asnjë merak, po e provojmë syptarembur, stoikë dhe dinjitozë. Të varfër të këputur, por kokëlartë dhe plot imunitet.

C’kemi hequr dimë dhe se ç’na pret nuk e dimë, po si e kemi shkuar deri më tani si zor të kemi fat në të ardhmen. Shpresën e kemi për në botën tjetër, por dhe atje si zor të na pranojnë në xhehnem, se kemi qënë një kohë të gjatë ateistë! 

Brezi im i pafat (2)


 (vijim)

Po mungesa e fatit “in extremis” për ne do vazhdonte në vitet ’70, kur paraardhësit tanë po argëtoheshin “allaevropiançe” për shkak të një liberalizmi të shkurtër, me të cilin Komiteti Qëndror donte të justifikonte mbylljen e institucioneve fetare. Adoleshentët para brezit tim mundën të mbanin flokë të gjata, minifunde, pantallona kauboj, mustaqe dhe favorite të gjata, por sa filloi ne të na dirste mustaqja erdhi pleniumi I IV. Jo më muzikë xhaz apo rok, jo më minifunde dhe flokët ishte e mira t’i qethje “ballaboks” ose “karre kinezçe”, që të mos bije pre e grupeve të kontrollit punëtor-fshatar. Në mbrëmjet e vallzimit nuk mund të luaje më i paçiftuar dhe jashtë pozicionit “tango-vals”, gjë që nuk ishte shumë e këndshme për vajzat, se kishte adoleshentë “seksualisht të uritur”, të cilët i shtrëngonin pak si shumë pranë vetes. Nisën edhe “dezhurnet” 24 orëshe, që ishin ruajtja e shkollës nga “hasmi që nuk flinte”. Në të vërtetë hasmi flinte që ç’ke me të se as I binte ndërmend për ne, por “heronjtë e heshtur” shkruanin vetë parrulla kundër pushtetit, për të terrorizuar njerëzit dhe për të ushtruar sa më egër luftën e klasave.

Brezi im ishte i vetmi që pësoi eksperimentet e mësimit ushtarak gjatë një dite të plotë të javës, stazhin në punë para studimeve universitare për djemtë dhe drejtorëve “gdhënj” të shkollave të mesme. Nuk u morr vesh kurrë se për ç’arsye u propozuan dy të parat, të cilat qëndruan në fuqi vetëm për 6-7 vjet sa ishte brezi i jonë i pafat, por e fundit, ajo e vendosjes së arsimtarëve më të paarsimuar në drejtimin e shkollave të mesme mbeti në fuqi deri sa u ekzekutua Caushesku. Ne kishim drejtor në gjimnaz dikë që kishte mbaruar për rusisht si i fundit I kursit, kurse gjimnazi tjetër një specialiste që qepte kopsat në NPV. Mesazhi për të pafatët ishte “nëse doni të bëheni të parët duhet të jini të fundit!” Dhe kjo na la në fund.

Për brezin e “të pafatëve” ishte rezervuar edhe gjendja më e rëndë e buxhetit të arsimit dhe si rrjedhojë edhe numuri më i vogël i të gjitha kohrave i të drejtave të studimit. Nuk mund të studioje po të ishe fëmija i tretë i familjes që kishte dy fëmijë të studiuarnë universitet dhe po të ishe fëmija i dytë që nuk i kishe të gjitha notat dhjeta dhe nuk kishe shkëlqyer edhe në punë vullnetare. Dhe kjo për ata që e kishin “biografinë pa cen” se kush kishte pasur të afërm të pasur, me Ballin, Legalitetin, kulak, xhandar, me nënë ruse, të arratisur, me grupin antiparti të Koçit, Tukut,  Todit, Beqirit apo Abdylit as në ëndërr nuk i shikonte dot studimet e larta edhe po të kishte marrë medalje të arta në të gjitha ciklet shkollore.

“Bëmë me fat dhe hidhmë në pleh!” thotë populli , por ne na kishin hedhur në pleh dhe nuk kishim as fat. Dhe më keq se të tërë që na rrethonin, sa mbaruam maturën u prishëm edhe me shokët kinezë, që do të thoshte se do mbroheshim të vetëm ndaj koalicionit NATO-Traktat i Varshavës. Bash në kohën që ishim në moshën për në front. Po më e keqja ishte se prishja me kinezët solli tallonat dhe kur hymë në punë kishim ca leka nëpër duar po nuk kishim për të ngrënë. Mishi ishte më me kët se çdo gjë, po nuk gjeje dot as bulmet, as fasule dhe as kafe, përveç pijeve alkolike, të cilave ju drejtuan shumë djem të brezit tonë, sidomos ata që punonin në fshatra dhe kantiere. Edhe sot e kësaj dite mes kujtimeve të një pjese nga nesh zenë vend tregimet “kur u bëmë tapë një ditë me ponç portokalli!” Të pangrënë, gjysëm të dehur dhe duke mos patur ç’të bënim duhet të martoheshim. Dhe si më fatkeqët e të gjitha kohrave mund të martoheshim vetëm me bashkëpatriote dhe bashkëpatriotë. S’kishte më as greçka, as ruska, as bullgarka dhe as polake si kishin marrë një herë e një kohë shqiptarë të tjerë. Vajzat e gjora të brezit tim gjithashtu nuk ëndërronin dot për ndonjë francez, gjerman, italian apo suedez nga ata të romaneve, se dhe turistët e rrallë që hynin në vend nuk i përshëndetje dot as me kokë. Nga pas i ndiqnin një tufë të rekrutuarish nga Sigurimi, që ishin dhe ata te brezit tonë të pafat.

(vijon)


Saturday, 4 September 2021

Brezi im i pafat


Unë i përkas brezit më pafat në botë. Dhe me brez unë nënkuptoj vetëm moshatarët e mij dhe tre vjet lart nesh dhe tre vjet poshtë. Me një fjalë vetëm ata që mund të ishim në të njëjtin cikël në shkollë. Të tjerët ju përkasin brezave të tjerë, që edhe pse mund të ankohen nuk kanë qënë dhe nuk janë aq pafat sa ne.

Ne u lindëm në fundin e viteve ’50 ose në fillimin e viteve ’60 në vendin më të varfër të Europës dhe me Diktaturën më të egër që kishte bota. Dhe lindëm pikërisht kur diktaturat komuniste po zbuteshin, kurse kjo tona bëhej më e ashpër. Tamam në kohën kur u lindëm ne, sikur të kishte ndjerë që po lindte një brez disidentësh, sho Enver i vuri kyçin vendit dhe s’kishte më as studentë të shkonin jashtë shtetit, as apparatçikë partie të vinin me pushime në Detin e Zi dhe as grupe artistike nga Europa Lindore të na vizitonin e të na “kseasnin” pak.

Ne mund të bëjmë me faj edhe prindërit tanë, që pse nuk duruan edhe ca vjet për të na sjellë në jetë, pasi dihet që këto punë janë në dorën e Perëndisë dhe ata të shkretët nuk kishin se ç’të bënin në një vend “të klyçitur” veçse të “prodhonin” fëmijë, që do rriteshin si fatosa dhe më pas pionierë e më tej akoma të rinj revolucionarë. Ishim aq të pafat se u ngritëm më këmbë pikërisht në kohën kur Partia e kishte përsosur sistemin e “trushpëlarjes” dhe jo vetëm që nuk kuptonim se sa të pafat ishim , por na dukej se ishim njerëzit më fatlumë në botë, që kishim lindur në Shqipëri dhe në kohën kur jetonte udhëheqësi ynë i lavdishëm, sho Enver. (Në kopësht na mësonin edhe një vjershë idiote “Xhaxhi Enver/ I ke doçkat me sheqer…” Më vonë kjo bejte nuk ishte më në qarkullim se duket që Partia nuk deshte që populli të mësonte se Udhëheqësi vuante nga sëmundja e sheqerit.)

Tamam në kohën, që nisin të formohen konceptet e pafundësisë, të ekzistencës, të krijimit e të vdekjes, brezi ynë i pafat mori edhe goditjen më ekstreme, që nuk ka ndodhur ndonjëherë gjatë historisë së njerëzimit – ndalimin me ligj të ushtrimit të fesë. Po të ishim lindur vetëm pesë vjet më parë, ne do ishim 13 vjeçarë kur u mbyllën kishat dhe xhamitë dhe do kishim kuptuar se diçka kishte dorë djalli në atë gjë. Po të ishim pesë vjet më të vegjël do ishim 2-3 vjeçarë, që do “i binim maces me lugë” dhe nuk do ja kishim idenë e Perëndisë, por do rriteshim vetëm me Partinë dhe shokun Enver si gjërat e vetme hyjnore. Po ne ishim rreth 7-8 vjeçarë që sa kishim mësuar të mbështeteshim e të kishim frikë nga forcat e hyjnore dhe papritur pakujtuar këto forca nuk i ze dot në gojë se të futin babanë në burg. Ishte traumatike, për të mos përmendur ndalimin e festave fetare dhe panaireve, që ishin të vetmet të diela plot diell dhe larushani.

E vetmja festë gjatë gjithë vitit në të cilën “harbonim” pak ishte 1 maji. Nga që nuk kishte më panaire nisën ta festonin si piknik nga kodrat që edhe pse në tufa të mëdha dhe të organizuar, njerëzit kujtonin pak se si kaloheshin festat në të kaluarën. Kuptohet ata njerëz që nuk i përkisnin brezit tonë. Ne na mësonin se “1 maji vetëm në Shqipëri festohej me gëzim, kurse në vendet kapitaliste fëmijët qanin sa këputeshin!”. Për vendet revizioniste nuk theshin gjë.

Brezi tonë ishte aq i pafat, se sa kishte nisur të ëndërronte se si do visheshim si “rrogeçë“ gjatë karnavaleve, këto u ndaluan se ishin festa që lidheshin me fenë. Ne nuk kemi asnjë foto të veshur si “rrogeçë“ ta shohim me mall në ditët e pleqërisë të shtyrë dhe të rrëfejmë se nga shkuam dhe se ç’prapësira bëmë atë ditë. Duket si një ankesë qaramane, po të vishesh “tebdil” është një nga mrekullitë psikologjike për çdo fëmijë nga Afrika tek eskimezët e Groelandës, nga e cila u përjashtuam ne dhe vetëm ne.

(vijon)

Friday, 3 September 2021

Mos ha jashtë në shtator!


Mbylljen e suksesshme të sezonit të plazhit në atdhe, qeverinë Rama 3 dhe “çështjen Berisha në Parlament” vendosa ta festoja në Magog, në një restorant pranë liqenit, i cili nuk i ngjan as atij të Pogradecit dhe as të Shkodrës, por një si çmallim ta bën. Kisha menduar të porositja peshk troftë për të kujtuar koranin e famshëm, që e hante dhe perandori austro-hungarez para se të vrisnin arqidukën Ferdinand, si dhe një sallatë “bashte” që të më kujtonte “qepkat dhe marulet” e anëve tona. E natyrshme edhe një gotë vere e bardhë për të ndjerë ngazëllimin që na jepte vera “Sheshi i bardhë“ e Librazhdit, kur ishim studentë në kryeqytetin tonë, tashmë pronë e Lali Erit.

Liqeni i Magogut ka një emër të vështirë të vënë nga lëkurëkuqtë para se francezët t’i dëbonin nga këto troje me dhunë ose me gënjeshtra, ose me një kombinim të drurit me rrenat. Nuk është emër i lehtë për t’u mbajtur mend si gjoli i Poradecit, që në gjeografi na kanë mësuar se quhet liqeni i Ohrit. Po ka varka me vela dhe pa vela. Varka dhe varkarë, që i bien kryq e tërthor gjolit me emër të vështirë dhe të ngazëllejnë. Ka dhe nga ata varkarë që dehen dhe ja futin varkës së tjetrit, por këto aksidente janë më të pakta se ato në rrugët e mëmëdheut, ku shoferët përplasen edhe kur janë të dehur dhe kur janë esëll.

Arrita në dera e restorantit ku kisha porositur një tavolinë teke, në verandë me shikim nga liqeni dhe i uritur nxitova t’i thoja zonjës në dera emrin. “Ku e ke pashaportën?”- më pyeti. “C’pashaportë? Kam patentën e shoferit?”- u përgjigja i nervozuar. “Pashaportën e vaksinimit. Eshtë 1 shtator dhe nuk lejohet të hysh në restorant pa të!” Mbeta pa përgjigje dhe mendova se si mund t’ja hidhja zonjës për të hyrë në restorant pa pashaportë vaksinimi. “E kam në celular, por më ka rënë bateria!”- dhe mendova se gjeta një arsye të fortë. “Ti e di si quhet restoranti jonë.”- më tha “Kemi përvojë në këtë fushë!” U stepa dhe mora të ikja. Me të vërtetë restoranti quhej “Pinochio” dhe në google namin për shërbimin dhe ushqimin e kishte 4.7.

Provova edhe katër restorante të tjera pranë liqenit, nga ku më përcollën me të njëjtën buzëqeshje, ndërsa të moshuar të tjerë mbanin në dorë celularët ose dëshmitë e printuara të vaksinimit me dy doza. U ktheva në shtëpi dhe për tu çmallur me atdheun dhe shtatorët e kaluar në Korçë, Tiranë, Durrës dhe Vlorë preva nja dy “rryqe” të mëdha buke dhe ju futa me djathë dhe domate. Në sfond dëgjohej një melodi instrumentale, të cilën pa dashje e emërtova:

“Mos ha jashtë në shtator!” 

Thursday, 2 September 2021

Oreksi për të vjedhur dhe frika nga skandalet


Qeveria e fundit e Ramës mund të karakterizohet nga fjalia që përdora si titull të këtij shënimi:

Oreks për të vjedhur dhe frikë nga skandalet.

Nuk kishte asgjë të paparashikueshme në qeverinë e tretë të Ramës, sikundër përmenda në një shkrim të disa ditëve më parë, me përjashtimin se vajzat jo të njohura janë më me shumicë në këtë qeveri. Nuk është tregues i respektit për gratë shqiptare dhe arritjet e tyre, por tregues i frikës nga skandalet e mundshme të vjedhjeve, që janë jashtë kontrollit të tij.

Tek Rama nuk është ulur babëzia për të fituar personalisht, sepse këtë e dëshmon vënia në postin e zv-kryeministrit e “tigrit” të vjedhjeve Arben Ahmetaj. Gjithashtu në sekstorin e turizmit, ku pritet të ketë shumë investime Rama ka vënë miken e tij të shumëpërfolur për përfitime financiare Mirela Kumbaro. Por frika nga skandalet e mëdha nga pangopësia e Braçes, Taulant Ballës dhe ndonjë burri tjetër, që e ka më të lehtë daljen nga kontrolli, ka bërë që kryeministri shqiptar ta mbushë kabinetin me gra të bindura, besnike dhe që korruptohen më me vështirësi se burrat.

Nga kjo pikpamje nuk ka pse ta quajmë si negative këtë dukuri, se çdo ulje e korrupsionit në nivelet e larta të qeverisjes është në të mirë të vendit.

A do jenë ministreshat e reja në nivelin e ministrave të mëparshëm?

Po njëlloj dhe ndoshta edhe pak më mirë, se mund të kenë frikë më shumë.

Edhe për dhjetë vjet të tjera (inshallah)në Partinë Socialiste nuk do ketë figurë të dytë për të zëvendësuar Ramën. Gjithkujt që fillon dhe punon në këtë drejtim, Rama ja tregon shpejt vendin dhe ka të ngjarë që ta bëjë pas pak kohësh edhe me Lali Erin. Në dallim nga sho Enver, i cili i zbulonte “grupet armiqësore” pak me vonesë dhe i vriste, Rama i zbulon në kohë dhe i “vret” me ulje në detyrë se nuk mund t’i pushkatojë dot. Kështu po e mban partinë dhe Parlamentin “të pastër” me qëllim që të jetë në fuqi edhe për 8 vjet të tjera.

Më pas, si katolik i mirë, çdo gjë e ka lënë në dorën e Perëndisë! 

Ortodoksët komunistë ishin komunistë ortodoksë? (fund)


 (vijim)

Niveli i ulët ideo-politik i komunistëve të Korçës ishte një nga faktorët e “penetrimit” të Enver Hoxhës në lëvizjen komuniste shqiptare dhe rolin e tij të mëvonshëm në drejtimin e Frontit Nacional-Clirimtar dhe marrjen e pushtetit nga të ashtuquajturit komunistë shqiptarë. Edhe nëse pjesëmarrja e tij në mbledhjen e formimit të Partisë Komuniste nuk ishte krejt e rastësishme, si është shkruar në shumë artikuj rreth asaj ngjarjeje, komunistët e Korçës e dinin se ai kishte një kohë shumë të shkurtër si komunist dhe nuk kishte pasur asnjë lloj veprimtarie të tillë para vitit 1941, qoftë në Shqipëri dhe qoftë jashtë vendit. Eshtë e paspjegueshme se si ata arritën të bëhen “mburojë“ e një njeriu pothuajse pa lidhje me komunizmin që të bëhej në një kohë të shkurtër udhëheqësi i një lëvizjeje mbarëkombëtare.

Nga kujtimet e Petro Markos, që ka qënë intelektual dhe komunist i vërtetë dhe jo i kompromiseve, në prag të fundit të Luftës jo vetëm Sejfulla Malëshova, por edhe Koçi Xoxe i kishin shprehur hapur pakënaqësitë ndaj Enver Hoxhës dhe karakterit të tij intrigant dhe njëkohësisht hakmarrës. Si ishte e mundur që Koço Tashko, Koçi Xoxe, Pandi Kristo, Koço Theodhosi, Raqi Qirinxhi dhe shumë të tjerë të pranonin pa u ndjerë udhëheqjen e dikujt, për të cilin e dinin se jo vetëm nuk kishte të bënte me komunizmin, por kishte qënë gjithnjë i shtënë pas një jete të lehtë dhe fustaneve të grave? Vetëm e vetëm se vjen nga grupi jonë dhe do bëjë që ne të jemi në drejtimin e vendit gjatë dhe pas luftës?  

Duket se edhe mes “ortodoksëve komunistë korçarë“ kanë qënë të pakët idealistët dhe njerëzit me formim të shëndoshë dhe me karakter të qëndrueshëm. Ndoshta kjo spjegon disi edhe “manovrimet” e Hoxhës midis grupimeve të caktuara duke ditur të dallojë se cilët të përdorte kundër njëri tjetrit dhe në ç’kohë t’i përdorte deri sa arriti që në vitin 1950 thuajse ta kishte siguruar plotësisht drejtimin e partisë dhe njëkohësisht të vendit.

Edhe nëse nuk ka kuptim pyetja hipotetike se ç’mund të kishte ndodhur në Shqipëri nëse Enver Hoxha nuk do ishte në drejtimin e komunistëve, bindja ime është që historia e luftës dhe ajo e pasçlirimit do ishte e ngjashme. Ishte edhe mefshtësia e shtresave të pasura dhe atyre intelektuale jokomuniste shqiptare, që solli fuqizimin e “bandës së Enver Hoxhës”. Grupimi i parë politik jokomunist, Balli Kombëtar, u formua në fund të vitit 1942, si përgjigje ndaj formimit të Frontit Nacional Clirimtar.

Komunistët dhe simpatizuesit e tyre ishin në anën e duhur të historisë, përkrah Fuqive të Mëdha dhe edhe nëse nuk do ndodhte Lufta Civile brendapërbrenda Luftës së Dytë, edhe me zgjedhje të lira ata do kishin dominuar dhe pas disa vitesh me ndihmën e jugosllavëve dhe sovjetikëve do kishin vendosur Diktaturën e Proletariatit, sikundër ndodhi në Rumani dhe Bullgari.

Duke ju kthyer pyetjes së shtruar në fillim, nëse komunistët e Korçës i përkisnin komunizmit ortodoks, përgjigja është- Me përjashtim të ndonjë individi komunistët e Korçës nuk kishin idenë se ç’farë ishte komunizmi ortodoks. (Gjithashtu edhe rrymat e tjera revizioniste të zhvilluara në fundin e shekullit të XIX dhe fillimin e shekullit të XX.) Mungesa e dijeve rreth ideologjisë si dhe rrethanat e tjera gjeopolitike sollën që në vend të sundonte diktatura më e egër komuniste mes gjithë vendeve të Europës Lindore. Në vend u aplikua një lloj stalinizmi shqiptar, i cili ishte edhe më i egër se stalinizmi i viteve ’30 në Bashkimin sovjetik. Varfëria e vendit, padija e popullsisë dhe mungesa e shtresave intelektuale dhe të pasura të impenjuara në zhvillimet shoqërore dhe politike solli edhe fatin e keq të “eksperimentimit shoqëror” të Enver Hoxhës dhe pasuesve më të afërt të tij që shtetëzuan plotësisht pronat private dhe mbyllën edhe institucionet fetare duke dëmtuar në themel shtyllat kryesore të një shoqërie të shekullit të XX, pasojat e të cilës po ndjehen shumë edhe sot.

Wednesday, 1 September 2021

Ortodoksët komunistë ishin komunistë ortodoksë? (2)

 


(vijim)

Komunistëve të Korçës ju ishin shtuar në vitet ‘30 edhe shumë njerëz të shkolluar si Dhimitër Fallo, Koço Theodhosi, Todi Maliqi, Taqi Skëndi, por më të shumtëtë dhe ata që diktonin në veprimtaritë dhe drejtimin ishin zanatçinjtë e Pazarit mes të cilëve ishin më të dalluar Koçi Xoxe, Pandi Kristo, Pilo Peristeri, Nesti Kërënxhi, Ollgë Mitrushi, Kleopatra Maliqi, Raqi Themeli e të tjerë.

Me ardhjen nga Bashkimi Sovjetik i Koço Tashkos ishte e natyrshme, që një njeri i shkolluar në Harvard dhe në Moskë të vihej në krye të Grupit të Korçës. Por a kishte kjo organizatë lokale ide të qarta rreth komunizmit? A mendonin dhe diskutonin rreth një revolucioni proletar në Shqipëri?

Edhe pse nuk ka dokumenta të asaj kohe dhe një pjesë e mirë e komunistëve korçarë i përshtatën kujtimet e tyre në varësi të “Historisë së Partisë“ të formuluar nga Enver Hoxha dhe bashkëpunëtorët e tij të afërt, një gjë mund të thuhet me siguri se bëhej fjalë për një “komunizëm kafenesh”, me diskutime kundër Zogut dhe formave të fashizmit në Europë dhe përkrahje të pushtetit të sovjetëve, të cilin e njihte nga afër vetëm Koço Tashkoja. Synimi i tyre më “ambicioz” ishte që Monarkia të binte dhe të krijohej një Republikë Parlamentare ku të merrte pjesë edhe një Pari Komuniste, si në vendet e tjera europiane dhe pas zhvillimit të industrisë dhe krijimit të proletariatit të bënte edhe revolucionin proletar. Një organizatë, e cila nuk e kalonte as Qafën e Plloçës nuk ishte në gjendje të bashkohej me grupet e tjera komuniste të Shkodrës, “Të rinjve” dhe “Zjarrit”. Nuk bëhej fjalë për qëndrime të ndryshme parimore ndaj ideologjisë së përbashkët, por nga frika (ballkanike) se grupi më i madh dhe më i vjetër do humbiste drejtimin e organizatës së madhe pasi tek të tjerët kishte më shumë komunistë të shkolluar.

As pushtimi i vendit nga fashizmi nuk i detyroi dot komunistët korçarë të dilnin nga “guaska” e qytetit edhe pse në mënyrë të faksifikuar është shkruar se vendosën të hapnin një degë në Tiranë, në krye të së cilës vunë Enver Hoxhën. Nuk ka asnjë lloj dëshmie qoftë edhe gojore për një vendim të tillë. Pas dy viteve të pushtimit numuri i komunistëve dhe simpatizantëve të grupit ishte shtuar, por hapja në qytetet e tjera nuk ishte bërë as me direktivë dhe as e planifikuar, por thjesht shumë studentë të Liceut dhe nëpunës të tjerë komunistë kishin lëvizur nga Korça drejt qyteteve të tjera.

Ortodoksët komunistë (ateistë) korçarë nuk kishin ide të qarta as politike dhe as ideologjike se ç’mund të bënin për lëvizjen komuniste në Shqipëri.

Po as Italianët nuk dukeshin të shqetësuar për komunistët shqiptarë. Megjithëse ata kishin informacione të mira për krerët, bie në sy se të internuarit më të shumtë shqiptarë menjëherë pas pushtimit ishin nacionalistët edhe në Korçë, si Safet Butka, Abaz Ermenji, Zai Fundo, Petraq Pepo e të tjerë. Në ndryshim nga persekutimi që ju bënin komunistëve në Itali, Italianët nuk i përndoqën komunistët shqiptarë deri në hyrjen e Bashkimit Sovietik në luftë me Gjermaninë në qershor të vitit 1941.

A ishte rastësi që Partia Komuniste Shqiptare u formua nën kujdesin dhe ndihmën e Partisë Komuniste Jugosllave dhe a kishte përputhje mes vijës jugosllave dhe asaj të Grupit të Korçës?

Eshtë e kuptueshme që një parti e një vendi fqinj me Shqipërinë do udhëzohej nga Kominterni për të ndihmuar krijimin e një Partie Komuniste dhe organizimin e Frontit Antifashist sipas vendimit të përgjithshëm të vetë Kominternit. Do bëhej ose nga Partia jugosllave ose nga ajo greke. Partia Komuniste Greke jo vetëm që ishte thuajse e shkatërruar nga përndjekja e diktaturës greke në vitet e para të luftës së Dytë, por edhe marëdhëniet me Kominternin nuk ishin të mira për shkak të mbështetjes që i kishte dhënë kreu i saj Zahariadhis qverisë të Metaksajt për të luftuar kundër Italianëve në luftën italo-greke. Ishte koha kur Bashkimi Sovjetik kishte bërë paktin e mossulmimit me Gjermaninë e Hitlerit. Ndaj jugosllavët ishin të vetmit që mund të ndihmonin dhe këtu nuk ka asnjë “komplot shovinist”, si mund të jetë paraqitur më vonë nga kundërshtarët e komunistëve shqiptarë.

Ndaj dhe komentet e mëvonshme për sektarizmin dhe trockizmin e Koçi Xoxes dhe korçarëve të tjerë, si të ngjashëm me atë të jugosllavëve nuk ka asnjë lidhje me “orientimin ideologjik” të Grupit Komunist të Korçës. Komunistët e paformuar shqiptarë, mes të cilëve dalloheshin “korçarët me origjinë familjare ortodokse” ishin të tillë që mund të ndiqnin verbërisht direktivat e Kominternit sepse nuk dinin ndonjë gjë më shumë.

Shenim: Foto e Koco Tashkos

(vijon)