Wednesday, 4 August 2021

Ballkanas hidhjuni në grykë njëri tjetrit!


Kjo nuk është thirrje që ju bëhet nga të huajt, apo nga Europa Kurvë, por është ajo ç’ka degjohet shpesh në mitingjet e partive populiste (dhe jo vetëm atyre), në mediat dhe në kafenetë e vendeve ballkanike. Janë thirrje që bëhen në emër “të dashurisë për popullin dhe Atdheut”. I bëjnë pa përjashtim bullgarët, turqit, grekët, sllovenët, kroatët, rumunët, boshnjakët, sërbët, maqedonasit, malazezët dhe padyshim edhe ne shqiptarët. Nuk besoj se ka ndonjë renditje mes “atdhedashësve” ballkanikë. Të gjithë i bien gjoksit se përgjërohen për dheun që ju kanë lënë të parët, që ja u kanë copëtuar fqinjët ballkanikë me ndihmën e Fuqive të Mëdha. Pa ditur mirë historinë e tyre dhe të Ballkanit, por duke trumbetuar ato pseudohistori që ju kanë mësuar nëpër shkollat e tyre, ballkanasit janë të gjithë viktima.

Të vjen në mendje një shprehje pak e vrazhdë e Shopenhaurit rreth nacionalizmit, por e provuar nga koha: “Cdo budalla mjeran, që nuk ka me se të krenohet, gjen si burimin e fundit të krenarisë vendin të cilit i përket; bëhet i gatshëm dhe i lumtur të mbrojë çdo marrëzi dhe faj të vendit të tij me dhembe e me thonj, thjesht për të plotësuar boshllëkun që i krijon kompleksi i inferioritetit.”

Në lirinë e mediave sociale gjen plot patriotë të tillë, por ndesh edhe me frikën e njerëzve më të mençur për tu shprehur hapur, se nuk jemi më të mirë se të tjerët dhe se nuk ka kuptim të paraqitemi si viktima të fqinjëve. Për më tepër absurditetet “patriotike” arrijnë deri në artet e fqinjëve dhe në ato më të thjeshtat dhe më të përhapurat, që janë këngët. Më kujtohet një rast i një dasme në SHBA, kur një grup dasmorësh nga Korça nisën të këndonin një këngë greke dhe disa dasmorë të indinjuar nga Fieri kërkuan që kënga të ndërpitej. Ditët e fundit në Shqipëri të bien në sy reagimi i gazetarit kosovar Berat Buzhala, i cili indinjohet se disa lokale në një plazh shqiptar venë këngë sërbe, të cilat sipas tij lëndojnë ndienjat patriotike të pushuesve Kosovarë.

Po si mund të lëndojë muzika ndjenjat patriotike? Për më tepër të kosovarëve, që kanë jetuar me breza me muzikën shqiptare, sërbe dhe atë rome. Edhe veriu i Shqipërisë në kohën e Diktaturës parapëlqente të dëgjonte këngë sërbe, kroate dhe boshnjake më shumë se këngët italiane, që ishin shumë të përhapura në kryeqytet dhe në qytetet e tjera shqiptare.

Rasti më absurdo-patriotik i fundit është reagimi i këngëtares bije të “patriotit” hajdut Koço Kokëdhima, që kërkon bojkotimin e Goran Bregoviçit, që do këndojë si i ftuar i veçantë në  Festën e Birrës në Korçë. Reagimi i tillë i artistëve ndaj artistëve është akoma më i mjerë. Bregoviçi është një muzikant i nderuar në të gjithë Europën dhe edhe nëse mund të ketë kompozuar ndonjë këngë që ka “frymëzuar” të tjera kafshë-patriote për të kryer krime, nuk e ka pasur atë qëllim. Ditëve festive në Korçë një i ftuar i tillë i bën nder edhe pse mund të mos ketë shumë popullaritet në publikun korçar, i cili është më i prirur ndaj një muzike më të lehtë.

Po a do vijë një ditë kur të këndojmë pa pasur droje nga “patriotët-fashistë“ edhe këngë turke, edhe greke, edhe bullgare, edhe sërbe edhe nga Tinglimajmuni, sepse jeta bëhet më e bukur kur këndon?

Do vazhdojmë të dëgjojmë këta mjeranë që thërresin “ballkanas hidhjuni në grykë njëri tjetrit!”?

Duhet bashkëpunim ndërkombëtar për të trajtuar krizën klimatike

Me poshte jane pjese nga intervista e fundit e Noam Chomsky rreth krizes se ngrohjes globale.

C.J. Polychroniou: Faktet e urgjencës klimaterike po grumbullohen pothuajse çdo ditë - valë ekstreme të nxehtësisë në pjesë të ndryshme të SHBA dhe Kanadasë, me temperatura që rriten edhe mbi 49 gradë Celsius (mbi 120 gradë Fahrenheit); përmbytje vdekjeprurëse në Evropën Perëndimore, me afro 200 të vdekur dhe qindra të tjerë të pagjetur në përmbytje; dhe Moska përjetoi qershorin e saj të dytë më të nxehtë. Në fakt, kushtet ekstreme të motit madje i kanë befasuar shkencëtarët e klimës, dhe ata tani po pyesin për saktësinë e modeleve të parashikimit. Cilat janë mendimet tuaja për këto çështje? Duket se bota po humbet luftën kundër ngrohjes globale

Noam Chomsky: Me siguri ju kujtohet se tre vjet më parë, fizikani i Oksfordit Raymond Pierrehumbert, autori kryesor i raportit të sapo publikuar të Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC), shkroi se: “është koha për panik…. Ne jemi në telashe të mëdha. ”

Cka kemi mësuar që atëherë e thekson atë paralajmërim. Një draft raport i IPCC-së që doli nga France-Presse në qershor 2021 renditi pikat e kthimit të pakthyeshme që janë ogurzezë të afërt, duke paralajmëruar për "pasoja progresive serioze, shekullore dhe, në disa raste, të pakthyeshme".

3 nëntori i kaluar ishte një shpëtim i përkohshëm nga ajo që mund të ishte një fatkeqësi e jashtëzakonshme. Katër vitet e tjera të drejtimit të Trump drejt humnerës mund të bënin arritjen në pika të pakorrigjueshme. Dhe nëse partia që mohon ngrohjen globale kthehet në pushtet, mund të jetë vonë edhe për panik. Ne jemi vërtet në telashe të mëdha.

Drafti i IPCC, që ju dha mediave nga dikush pa leje, ishte para ekstremeve të motit të kësaj vere, të cilat kanë tronditur shkencëtarët e klimës. Ngrohja e planetit "është në përputhje me parashikimet e modeleve të klimës nga dekada më parë", vërejti klimatologu Michael Mann, por "rritja e ekstremeve të motit po tejkalon parashikimet". Arsyeja duket të jetë një efekt i ngrohjes së atmosferës që nuk ishte marrë parasysh në studimet klimatike: lëkundjet e mëdha të rrymave ajrore (jet stream- sh.im), që po shkakton ngjarjet klimaterike ekstreme që kanë pllakosur pjesën më të madhe të botës në javët e fundit.

Lajmet e frikshme kanë një anë të mirë. Mund të zgjojë udhëheqësit botërorë për tu ndërgjegjësuar rreth tmerreve që po krijojnë. Ka mundësi që edhe GOP(Partia Republikane-sh.im) dhe altoparlamti i saj Fox News të shohin se ç’ndodh dhe të kthehen pakëz në realitet.

Ne kemi parë shenja të kësaj në krizën COVID. Pas viteve të zhytjes në botën e tyre të "fakteve alternative", disa guvernatorë republikanë që janë tallur më parë me masat paraprake, po marrin disa masa, tani që murtaja po godet shtetet e tyre për shkak të mungesës së masave parandaluese dhe refuzimit të vaksinës. Ndërsa Florida mori drejtimin mbarëkombëtar në rastet dhe vdekjet, guvernatori Ron DeSantis u largua (vetëm pjesërisht) nga talljet e tij rreth masave - duke ndjellë akuzat  se u shit tek armiku dhe ndoshta po i rrezikohen edhe aspiratat e tij presidenciale. E megjithatë, ndryshimi I kursit prej tij mund të jetë tepër i vonuar për të ndikuar në bazën militante, e cila i është nënshtruar një rryme dezinformimi.

Ndoshta pamja e qyteteve që mbyten dhe digjen mund të dëmtojë gjithashtu besnikërinë e GOP-Fox ndaj parullës "Vdekje inteligjencës, Rroftë vdekja!", huazuar nga analet e fashizmit.

Mohimi i shkatërrimit të mjedisit natyrisht ka një ndikim në opinionin publik. Sipas sondazheve më të fundit, për 58 përqind të republikanëve, ndryshimi i klimës "nuk është një shqetësim i rëndësishëm". Pak më shumë se 40 përqind mohojnë se njerëzit japin një kontribut të rëndësishëm në këtë katastrofë të afërt. Dhe 44 përqind mendojnë se "shkencëtarët e klimës kanë shumë ndikim në debatet e politikave klimatike".

Nëse do bëhet ndonjëherë një analizë historike të këtij momenti kritik në histori-ndoshta nga alienët pasi njerëzit ta kenë shkatërruar këtë planet-dhe nëse do ngrihet një Panteon i së Keqes në kujtim të krimit, dyshja e GOP-Fox do të ketë një pavion të veçantë.

Sidoqoftë, përgjegjësia është shumë më e gjerë. Nuk ka vend ​​për të ripërsëritur të dhënat e zymta, por një artikull i vogël  e jep pamjen e përgjithshme. Organizata e domosdoshme e analizës së medias FAIR raporton një studim që krahason mbulimin në TV të mëngjesit të krizës klimatike me nisjen në hapësirë ​​të Jeff Bezos: 267 minuta në të gjithë vitin 2020 për çështjen më të rëndësishme në historinë njerëzore, 212 minuta në një ditë të vetme për eskursionin idiot të Bezos në hapësirë.

Duke iu rikthyer pyetjes suaj, njerëzimi po e humbet qartë luftën, por nuk ka mbaruar. Një botë më e mirë është e mundur, ne e dimë se si ta arrijmë atë, dhe shumë njerëz të mirë janë angazhuar në mënyrë aktive në luftë. Mesazhi vendimtar është të bësh mobilizohesh tani, por jo të dëshpërohesh.

(vijon)

Tuesday, 3 August 2021

Baladë për zjarrfikësin kryesor


Moti tejet i nxehtë ka shkaktuar zjarre në gjithë Ballkanin duke shkaktuar dëme të papara ndonjëherë. Në vendin tonë, në ndryshim nga Greqia, zjarret kaq massive kanë qënë të rralla. Gjithsesi, pas një stepjeje fillestare, qeveria shqiptare k andërhyrë fuqishëm dhe ka vënë në kontroll pjesën më të madhe të zjarrve. Kontributi kryesor ka qënë ai i Forcave të Armatosura ndaj me të drejtë sot në rrjetet sociale qarkullonin vargjet e mëposhtme për Ministrin e Mbrojtjes. Ndoshta autori ose grupi i autorëve kanë qënë korçarë, por nuk ka asnjë shënjë të lokalizmit apo të servilizmit ndaj korçarit më të famshëm të kësaj periudhe.

 

Shqipërin’ mbuloi e nxehta, i vu zjarr

Nga Dukati tek Tomorri flak’ ka marr,

Shkurret përvëlon kjo flake e mortjes

Situatën merr në dor’ Minist’r i  Mbrojtjes.

 

Batalionet menjëher’ ka mobilizuar

Si heronj nëpër tym duke luftuar,

Dhe në ball’ atje ku ësht’ i trimit sheshi,

Sypatrembur i drejton Niko Peleshi.

 

Historia të përballet e ka thirrur

Vetë prin mes shkëndijash me zë ngjirur.

Për t’i ruajtur Rilindasve imazhin

Nuk u step për asnjë çast, por e la plazhin.

 

Ky i gjen vall’ energjitë e pasosura

Frymëzim për Forcat tona t’Armatosura

Kokëulur , buzëqeshur dhe pa zhurrmë

Ja kështu në Histori ai le gjurmë.

 

“O muskuj kali, o zë gomari!”


Pjesëza të një interviste të këngëtarit beratas Kozma Dushi dhënë gazetares Fatmira Nikolla, më sollën në mendje një shprehje të viteve ’70-’80, të cilën e kam vendosur si titull të këtij shënimi. Ishte kryesisht për privilegjin e sportistëve dhe artistëve për të dalë jashtë shtetit, gjë që ishte plotësisht e ndaluar për të gjithë qytetarët e tjerë. Përjashtime bënin vetëm delegacionet dhe shoferët e Eksportit.

Edhe pse shprehja pasqyronte një të vërtetë, në vetvete ajo kishte një ngjyrim pexhorativ. Sportistët dhe artistët meritonin të dilnin jashtë Shqipërisë për veprimtaritë e tyre edhe pse motivi kryesor ishte propaganda e Diktaturës për arritjet në kulturë dhe sport.

Kozi nëse ka dalë jashtë shtetit, ka dalë jo si këngëtar i muzikës së lehtë, por për të kënduar këngë popullore, se në ato vite vetëm ansamblet e muzikës popullore mund të dilnin jashtë Shqipërisë. I ndjerë i privilegjuar nga kjo dhe nga të mira të tjera që gëzonin në ato vite, krahasuar me popullsinë, këngëtari Dushi bën deklaratën absurde “Ato ishin kohë të arta (për artistët)!” Dikush që bën një pohim të tillë vetëm artist nuk mund të jetë, se nuk ka kuptuar asgjë nga arti. Nuk ka kuptuar se arti mbi të gjitha është liri, protestë, dashuri, përkujdesje për më të dobëtit, fisnikëri.

Nëse vlerësim për artistin konsideron se të jepnin dy kile domate pa rradhë ose një kg djathë fshehur, nëse quan se të hapeshin dyert për të porositur një mobilje pa mbajtur rradhë ose siguroje lehtë një kabinë plazhi atëhere nuk ke kuptuar asgjë nga jeta që ke kaluar dhe as nga kjo që po kalon.

Sigurisht që jeta për një këngëtar estrade si Kozi ishte e lehtë se këndonte jo më shumë se dy këngë në një shfaqje dhe estradat kishin vetëm 4 premiera në vit. Krahasuar me një mjek apo agronom që rrinin me orë të tëra në punë për një pagë më të vogël se ajo e disa artistëve, Dushi dhe shumë këngëtarë të tjerë shqiptarë nuk bënin asgjë gjithë ditën dhe ndoshta kanë mall për një kohë kur rrinin dhe ishin më të privilegjuar se të tjerët.  Por ato nuk ishin kohë jo të arta, por as normale. Ishin kohë të deformuara, që nuk mund të vazhdonin për jetë. Mund të ishin “të arta” për Kozin vëngërosh se arrinte të flinte me vajza të ndryshme kur shkonte në turne nëpër qytete të ndryshme dhe në një kohë të tjetër mbase nuk do e kishte këtë fat.

Por po të jetë vetëm Kozmaj  që ka të tilla ide do mjaftonin të theshim që “Dushi ka nevojë për një dush të ftohtë se i ka rënë dielli në çaçkë.” E keqja është se një refren të ngjashëm mund të dëgjosh edhe nga pseudoartistë të tjerë, ose njerëz që vetëm se jetonin pak më mirë se të tjerët ëndërrojnë kthimin e kohëve të vuajtjes dhe mizerjes. Ato nuk ishin “kohë të arta” as për sadistëtë që mund të hynin në organet e rendit dhe të torturonin të tjerët, se ju vinte edhe atyre rradha të torturoheshin apo ekzekutoheshin dhe familjet e tyre të vuanin rëndë pasojat.

Kohët e diktaturave janë të tmerrshme dhe Diktatura jonë ishte ndër më të egrat që ka njohur shekulli I XX-të.

Monday, 2 August 2021

Me qetësi vëllezër dhe motra


Nuk duhet të grindemi për problemet e Kombit. Të bëhemi të gjithë bashkë për popullin. Edhe Saliu duhet ta marë më shtruar me ambasadoren amerikane Kim, por edhe Departamenti i Shtetit nuk është e nevojshme ta mbajë gjithnjë Berishën “non grata”. Për më tepër Lirinë dhe Argitën. Gra zonja. Kanë bërë aq shumë për popullin.

Edhe Iliri me Edin nuk bëjnë mirë që grinden në publik. Ta gjejnë gjuhën e përbashkët se kanë qënë shokë. Të dy të të Majtës europiane janë dhe nuk duhet të jenë në konflikt dhe të përdorin fjalë fyese jo “Like Floriri” apo “Edi Mielli”. Të përqafuar duam t’i shikojmë. Të shkojnë e të dhurojnë gjak të dy për popullin si ka bërë Iliri më parë dhe që u vlerësua me çmim ndërkombëtar. Se kush dhuron gjak është aq fisnik sa nuk mundet kurrë të pijë gjakun e të tjerëve.

“Aleanca për Teatrin” duhet të tregohet më e dashur me Erion Veliajn se të dy palët për të mirën e artit dramatik përpiqen. “Aleanca” do të ringrihet Teatri si ishte, kurse Erioni do ta bëjë më modern. Të dy palët janë për Ngritjen. Nuk ka vend për Dramë dhe as për Komedi mes palëve. Thjesht artdashës. (Dikush mund të thotë se nuk mund të ketë teatër po mos ketë dramë dhe të gjithë të jetojnë në paqe.)

I pakuptim është sherri midis gazetarëve Karlo Bollino dhe Anila Basha, të cilët kanë punuar me devostshmëri në të njëjtën redaksi për shumë e shumë vite. Të dy kanë pasur qëllimin e mirë të bëjnë ndonjë lekë duke informuar popullin shqiptar dhe kanë bërë ndonjë të shkoqur edhe pa informuar popullin shqiptar. Duhet të vazhdojnë të punojnë së bashku për popullin që ta informojnë sa më mirë, sa më shpejt dhe në mënyrë sa më të paanshme. Basha duhet të heqë dorë edhe nga karikaturat-meme që ju dërgon atyre që e kundërshtojnë duke i paraqitur me organ seksual në vend të hundës. Nuk është as e hijshme dhe as praktike. E mendoj veten të isha në atë pozitë dhe sa e vështirë do ishte të merrja frymë nga hunda, apo më tepër akoma ta fërkoja herë pas here.

Ka edhe sherre të tjera ai ato në rrethe mes Koçit dhe Subashit, apo mes Aldos dhe Lul Bashës, që duhet të arrijnë menjëherë në pajtime, përqafime dhe…futjes së gishtit nga pas për të mirën e atij populli të shumëvuajtur.

“Të bëhen bashkë e të mendojnë për të mirën e popullit”- theshte dikur teto Maqja, shprehjen e së cilës e kujtoj për ditë kur shoh që elitarët shqiptarë grinden mes tyre.

 

Unë dhe tejnxehja e globit


Unë e di rrezikun që i vjen planetit nga djegiet e karburantit në makina, por…më pëlqen të kem një SUV.

Unë e di që dritat, ajri i kondicionuar dhe uji i rrjedhshëm duan energji, por…kur jam hoteleve zgjedh t’i le të tëra hapur se në fund të fundit i kam paguar.

Unë e di se si prodhohen rrobat fabrikave në Kinë dhe Indi, por…e kam ëndërr të kem një garderobë me qindra kostume, këmishë, pulovra dhe të brendshme firmato.

Unë e di që pas dhjetë vjetësh vila ime në breg të detit do jetë gjysma nën ujë, por…më duhen edhe Ferrari me RollRoyce, dy motoskafët, dhe helikopteri. Janë domosdoshmëri.

Unë e di që po ta ve lavatriçen dy herë në ditë do harxhohet më shumë elektricitet dhe do derdhen më shumë kimikate nën tokë dhe të gjitha ndikojnë në ndotjen e mjedisit, por…jam shumë pastërtor.

Unë e kam 10 min më këmbë nga shtëpia në zyrë, por…pëlqej të shkoj me makinë se ç’kuptim ka që kam blerë Benzin.

Unë e di që për lodrat e fëmijëve harxhohet energji elektrike e prodhuar në termocentrale me qymyr, por…dua t’i blej sa më shumë nipit, që t’ja u kaloj gjyshërve nga ana e së jëmës.

Ky jam unë, je ti, është dhe ajo, që i duam aq shumë fëmijët dhe fëmijët e fëmijëve, por nuk mendojmë shumë për botën që po ju lemë dhe të gjithë bashkë kërkojmë me ngulm se “ç’bëjnë ata që na e shkatërruan klimën”?

 

Sunday, 1 August 2021

Gusht e…tanga


Ka humbur përfundimisht kuptimin shprehja e anëve tona “gusht e gunë“, sepse ngrohja globale ka sjellë veçanërisht këtë vit një të nxehtë “të papame”. Në Tiranë nuk durohet në trup as këmisha, ndërsa në Korçë edhe pantallonat e shkurtra të “burrave me pantallona të shkurtra” nuk mbahen dot. Jo të gjithë kanë ajër të kondicionuar në ambientet e shtëpive dhe lokalet po ashtu nuk e përballojnë dot me aparatet e tyre të nxehtin përvëlues.

Nuk është mjaft të ndjerit fizikisht të kësaj kapriçioje të natyrës, për të cilën e kemi fajin vetë, por edhe psikologjikisht qytetarët shqiptarë duhet të torturohen nga vapa. Nuk u gjet një kohë më e freskët për të promovuar dy libra mbi historinë e Rrogozhinës? Në mendjen e çdo shqiptari, që ka pritur disa orë për ndrrimin e trenave në Rrogozhinë, vjen dielli që të binte në çaçkë të kokës dhe nuk gjeje dot hije të fshiheshe, si dhe mungesa e ujit të pijshëm. Qysh 50 vjet më parë ujin në Rrogozhinë duhet ta blije me 5 lek gota! Pije freskuese nuk kishte asokohe në atë qytezë, ku kishte kaluar para dymijë vjetësh rruga Egnatia.

Ministri i Mbrojtjes jo me mbiemrin Balluku, por disi ndryshe, që lidhet përsëri me flokët, është detyruar të ndërpresë pushimet në Spanjë për shkak të zjarreve, që kanë përfshirë shumë zona të Shqipërisë së Jugut. Ndoshta është rasti më i mirë për të porositur helikopterë të rinj dhe më “adapt” se Zamiri i Bitijes për të blerë helikopterë, që mos i rëndojnë shumë buzhetit të shtetit nuk ka. Momenti është i përshtatshëm se Rama me Cuçin janë në Liban, kurse Erion Braçeja është pa gjumë për shkak të të nxehtit dhe betonierave të Lali Erit.

Diçka duhet të bëhet urgjentisht, sa të kthehet lali Eri nga Tokioja, për të ndryshuar kodin e veshjes të paktën për Tiranën dhe Shqipërinë e Mesme. Një takim i menjëhershëm me krerët e komuniteteve fetare për të lejuar që të konsiderohet moralisht e pranueshme dalja në kryeqytet me tanga. Të paktën për Gushtin! Diçka e tillë mund të ketë ekzistuar në të kaluarën përderisa deri në ditët tona ka mbetur shprehja “ec me tangërllik!”. Nëse teologu Elvis Naçi nuk do e pranojë, mund të gjendet me të një marëveshje për t’i dhënë eskluzivitetin e shitjes së tangave për burrat, si dhe shitjen e kompleteve tanga+hixhab për gratë. Një zgjidhje duhet për të shpëtuar nga zhurritja të gjithë dhe jo vetëm modelet, këngëtaret, balerinat dhe gazetaret sportive.

Si do duket kryeqyteti pas këtij vendimi?

Do vazhdojë të jetë një çorbë derri por me pak sensualitet më shumë dhe me kryeqytetas me “allate” të freskuara. (Kjo do shtojë edhe pjellorine, i cili për fat të keq është në rënie në Shqipëri.)

Si do e presë Europa e Bashkuar?

Po kujt i bëhet vonë, kur Ballkani i Hapur, me ballkanas mendjehapur mund të demostrojë hapur lirinë e tij.