Friday, 8 January 2021

A mbështet komuniteti shqiptar në SHBA “The Donald”?


Unë nuk kam të dhëna statistikore, por dëgjoj nga shumë njerëz matanë kufirit, që  pjesa më e madhe e shqiptarëve në Amerikë ka votuar për Trump dhe vazhdon ta mbështesë.

Deri këtu asgjë nuk është anormale. Edhe pse shumica e komunitetit i përket shtresës së ulët (nga pikpamja financiare) në mbështetje të Trump gjatë 6 vjetëve të fundit, kanë qënë një pjesë e madhe e atyre , që quhen “blue collar whites”(të bardhët e “fabrikave”- është një shqipërim jo shumë i saktë imi).

Pse emigrantët (mes tyre dhe shqiparët) zgjodhën të mbështesnin “The Donald” më 2016, ndërmjet kandidatëve të tjerë republikanë si Kosiç, Kruz apo Rubio?

Për mendimin tim dy ishin arsyet kryesore: E para Trump ishte një miliarder jashtë politikës tradicionale dhe mund të besoje lehtë se do bënte diçka ndryshe. E dyta se emigrantët e ndjekin pak politikën dhe as kishin idenë se kush ishte dhe ç’program kishte guvernatori i Ohios Kosich, senatori i Teksasit Kruz, apo senatori i Floridas Marko Rubio. Trump ishte një emër i njohur në sajë të programit “Apprentice”, që ishte një program televiziv shumë i ndjekur në Amerikë. Gjatë debateve, që mbase jo të gjithë I ndjekin, gjithashtu Trump kishte një mënyrë arrogante dhe me batuta e ngjashme me atë të politikanëve të Europës Lindore dhe sidomos atyre shqiptarë. Ishte e lehtë për një punëtor fabrike apo edhe për një pronar picerie, që punon 12 orë në ditë, të theshte që “Trump është kandidati im”.

Padyshim edhe gjatë debateve me Hillërin (të dy antipatikë), shqiptarët që vuajnë jo pak nga misogjenizmi do anonin nga “The Donald”. Ju bënë pak përshtypje gënjeshtrat e tij, sjellja fodulle, fjalori shumë I varfër dhe mosnjohja e problemeve. Në fund të fundit a nuk gënjejnë të gjithë politikanët tanë, si Saliu dhe Edi? Paralelizmi ndërmjet politikës amerikane dhe asaj shqiptare, që vjen nga mosnjohja, bënë që “antikat” e Trump të mos dukeshin qesharake, apo rropulli përzjerëse. Ndoshta edhe thellë mendjes së tyre ishte ndienja, që “ ky i pasur i bardhë do bëjë për ne dhe do ju tregojë vendin meksikanëve, zezakëve dhe homoseksualëve”. Nëse do donin të mësonin se si do përmirësohej ekonomia e familjes së tyre, do shihnin se diferenca do ishte rreth 2% në favor të programit të Trump, për shtresën e varfër dhe të mesme.

Ndaj gjatë 4 vjetëve të presidencës së tij, shqiptaro-amerikanët(jo të gjithë) ju gëzoheshin mundësive për dy-tre punë, rritjes së bursave dhe retorikës së Presidentit. Për shumicën e tyre, ky besim nuk u lëkund as nga Epidemia dhe reagimi shumë i dobët i administratës amerikane , që solli mijra vdekje të panevojshme. Për më tepër, shumë shqiptarë në Amerikë mbështesnin idetë “idiote”, që ky virus është si gripi, vaksinat janë kot dhe plot teori të tjera konspirative.

Por jo të gjithë amerikanët kanë mendtë e shumicës të komunitetit tonë dhe Trump, për shkak të mospërballimit të Epidemisë humbi. Gjatë ditëve të numurimit të votave, jo pak shqiptarë vazhdonin të theshin marrëzitë se “po vidhen me kamiona votat në Detroit dhe Filadelfia”, “Trump do e fitojë në Gjykatën e Lartë“, e plot dërdëllisje të tjera që dilnin në mediat sociale. Por ka një fund edhe çdo marrëzi! Sidomos kur bëhet fjalë për vendin me institucione më të stabilizuara në botë. Nuk di sa shqiptarë u përfshinë në sulmin ndaj Capitol, por edhe sikur mos ketë patur mes tyre(përveç gangsterit Xhon Alite), një pjesë jo e vogël e përkrahën sulmin. Duke treguar se janë miopë! Duke treguar se janë të panxënë! Duke treguar se një ditë mund të ndjekin Benito dhe Adolfë të tjerë!

Mos ju duket çudi të dashur bashkëatdhetarët e mij me banim në SHBA!

 

Shtojcë e shkrimit “Kodoshë, kudo që jini, bashkohuni!”

 


Nuk e mendoja , që Universiteti “Fan Noli” do bëhej sërish pikënisje e një shkrimi, e për më tepër e një shkrimi që lidhet me “kodoshët”. Ndoshta ndodh se “Urata”, edhe atje lart, ka ende një ndjenjë shumë të hollë humori, ose se bota ime “universitare” lidhet vetëm e vetëm me Politeknikun e Tiranës dhe “Fan Nolin” e Korçës.

Personazhi kryesor i këtij shkrimi është një “kodoshkë“ në kuptimin më të pastër dhe fillestar të kësaj fjale. Karakteristikat e saj më kujtojnë Heidi Fleiss, të famshmen “Madama e Hollivudit”. Inteligjente, e përpiktë, diskrete, “kodoshka” jonë kishte një rreth të konsoliduar studentesh, që kur ishte vetë studente konviktore në universitetin e qytetit tone. I përdorte për fitime personale, duke ofruar shërbime seksuale tek burrat “e ndezur”, që nuk mungojnë në asnjë vend e në asnjë kohë. Sigurisht që “transaksionet” nuk mund të ishin kurrën e kurrës në nivelet e Hollivudit, bile ishin shumë më të ulta edhe se sa ndryshimi, që ka Korça me Hollivudin. Bëhej fjalë për dymijë lek të reja për çdo “shërbim”, të cilat kodoshka jonë i administronte në mënyrë të ndershme, të drejtë dhe sipas meritave,(sa mund të trajtohen ndershmërisht, drejtësisht dhe mbi bazë meritash paratë e prostitucionit). Në fund të fundit të gjithë ishin të kënaqur – myshterinjtë e moshave të ndryshme, studentet që mund të shpenzonin pak më shumë për “çanta e këpucë“, dhe doemos “inteligjentja administratore”. Nuk mund të them se sa i kënaqur ishte vetë Universiteti, por ndoshta përderisa të gjithë ishin “të knoq” nuk shoh ndonjë arsye, që stafin universitar ta shqetësonte ndonjë “thashethem” rreth ekzistencës të këtij “rrethi kurvëror”. A kishte mes pedagogëve klientë, për këtë nuk mund ta ve dorën në zjarr, se në fund të fundit edhe ata “prej gjaku” janë dhe ai i shkretë kur kalon pikën e vlimit të bën të të erren sytë dhe nuk pyet nëse je akademik apo akademak!

Heidi Fleiss përfundoi në burg. U dënua 7 vjet, por i qëndroi “besnike” biznesit dhe klientëve. Nuk dha emra. Më vonë bëri karrierë edhe në televizion dhe tani ndoshta shijon diku në Amerikë frytet e karierës së saj “kodoshare” dhe “jokodoshare”. Në një intervistë të para shumë vitëve tregonte për përvojën e saj të të hidhur prapa hekurave, por ishte e ndërgjegjshme se ishte një çmim që duhet ta paguante për riskun, që kishte ndërmarrë.

Për fat të mirë, kodoshka jonë pati një të ardhme më të ndritur. Pas përfundimit të Universitetit, si rrjedhojë e rezultateve shumë të larta në mësime, u emërua pedagoge në të njëjtin Universitet. Nuk besoj të ketë shënuar në CV-në e saj përvojën manaxheriale, se ndoshta pat studiuar edhe degën e manaxhimit, por të gjitha këto janë spekulimet e mija, se nuk më ka rënë në dorë as CV e saj dhe nuk jam interesuar se cilës fushë të shkencave shoqërore i ishte kushtuar.

Tani në dorën e saj është (duke përdorur një shprehje bajate të Diktaturës) edukimi i brezit të ri. A mund të ketë ndryshuar? A kanë patur njohuri dekanët dhe rektorët rreth veprimtarisë së saj ilegale? Këto janë pyetje të llogjikshme dhe mund të kenë përgjigje të ndryshme. Njerëzit ndryshojnë dhe edhe pendohen.

Po ç’ndodh në Universitetet tona, ku studentet e shkreta kanë probleme financiare dhe me lehtësi bien pre e kodoshëve dhe kodoshkave? Apo duhet të përgjigjemi se cilido është i lirë të bëjë ç’të dojë me trupin e tij dhe Rektorati nuk mund të ndërhyjë?

Jo të dashur Rektorë dhe Dekanë kodoshë.

Ka shumë të bëjë me JU! Edhe nëse nuk mund ta ndalni plotësisht këtë dukuri, mund të bëni shumë duke e kufizuar. Nëse kini në shpirt dhe mendje dy fije morali!

 

Wednesday, 6 January 2021

Qenit kur i vjen ngordhja, shkon e përmjer në dera e xhamisë


Qeni nuk është Trump, por Trumpizmi.

Nga kjo skenë e shëmtuar, e politikën amerikane.turpshme, e paparë në historinë e 150 vjetëve të fundit në SHBA  do dalë diçka e mirë. Erdhi fundi i “The Donald” dhe klanit të tij në politike.

Të mblidhet një lëmsh në  grykë kur shikon një violencë të tillë, e parë vetëm në vendet e Europës Lindore, Afrikës, Azisë dhe Amerikës Latine, por kurrë në vendet e zhvilluara perëndimore dhe sidomos në Demokracinë më të madhe dhe më të fortë në botë. Nga një shfaqje e tillë, fitojnë vetëm diktatorët dhe gjithë politikanët lapangjozë në botë, që mund të thonë me plot gojë se “Demokracia ka dështuar!” ose se “Votat vidhen kudo, edhe në Amerikë!”

Ndoshta po ju hapen sytë edhe miqve të mij  emigrantë në Amerikë, që kanë votuar për Trump dhe jo vetëm kaq, por k anë besuar se zgjedhjet janë të manipuluara. Dua t’ju thërres:

Hiqini nga sytë ato fletushka jeshile shtesë, që kanë bërë të mos shihni se cili është në të vërtetë “The Donald”!

Kini ardhur nga Shqipëria para ose pas Sali Berisha të provokonte kaosin, ose dhe një vit më vonë një grusht shteti.

Kini qënë këtu, kur Edi Rama inkurajoi turmat të sulmonin Kryeministrinë.

A doni vërtet që edhe ky vend i bekuar, në një të ardhme jo të largët t’i ngjasë Rusisë së Putin apo më keq akoma?

Qeni përmori sot në derën e xhamisë!

Por në këtë përmjerje kini gisht edhe ju, që kini besuar sharlatanin Trump dhe kini urryer Obamën!

Fundi i klanit Trump është shumë i afërt.

Tuesday, 5 January 2021

Sa shumë të larguar!


Fotoja është e fillimit të korrikut 1986. Duhet të ketë qënë një natë përpara (ose të njëjtën) ditës së përurimit të Ekspozitës së Kulturës Popullore në Korçë. Në oborrin e brendshëm të Hanit të Trebickallinjve në Pazar. Sot nuk e di nëse Hani është kthyer në Hotel apo në diçka tjetër, brenda planit të restaurimit të Pazarit të Korçës.

Ajo që më bie menjëherë në sy është se shumë nga të njohurit e mij nuk janë më. Janë larguar, disa në një moshë të shtyrë dhe disa shumë shpejt. I fundit nga të larguarit, arkitekti Kliti Kallamata që iku kaq i ri para disa ditësh.

Atë vit punonim bashkë si arkitektë për Ekspozitën e Kulturës Popullore në Korçë. Ai kishte disa vite si arkitekt në Atelienë e Monumenteve  dhe gëzonte autoritetin e një profesionisti kompetent në fushën e restaurimeve. Ishte i gjatë dhe i bukur dhe në qytet binte në sy si një i ri me një nur artisti, që ecte i sigurt me një çantë ose një aparat fotografik hedhur në sup. Angazhimi për restaurimin e Hanit ishte jo i vogël për kohën, por ai ishte i sigurt në atë ç’ka bënte. Filluam të projektonim në fundin e vitit 1985 deri sa u realizua si një vepër e arritur. Unë merresha me interieret dhe përshtatjen e tyre për një ekspozim sa më të mirë të objekteve. Diçka ndërmjet një “interior designer” dhe një “moderatori” ekspozite. Kisha pak më shumë se një vit që isha diplomuar dhe në foto jam më i riu mes pjesëmarrësve.

Ekspozita e Kulturës Popullore, për fat të mirë, nuk kishte ndonjë ngarkesë ideologjike të kohës sikundër kishin muzeumet dhe ekspozitat e tjera. Kliti kishte siguruar një mbështetje të plotë nga nëpunësit e lartë të qytetit, që mbështesnin çdo gjë që kërkonim ne. Gjergji Cikopani ishte “truri organizator” i të gjithë punimeve, të cilat arritën pikën kulmore në prishjen e “kasaphanës”, objektit të madh me dyqane të ndërtuarnë vitet ‘59 në mes të Sheshit të Pazarit. Ishte një veprim shumë i guximshëm, që jo çdokush do e kishte miratuar në atë kohë edhe pse Kliti kishte disa vjet që ngulte këmbë të bëhej. Gjendja e Pazarit sot si qendër turistike shumë e vizituar, ze fill pikërisht me ndërhyrjet e atitj viti të Klitit dhe Gjergjit. Gjergji është ende mes nesh, por janë larguar nga jeta ata , që janë pranë tij në foto, duke nisur me shkrimtarin Petraq Zoto, instruktorin e Partisë Rrapi Qeleshi dhe seriozin e të drejtin shefin e arsimit e kulturës Kiço Melo. Shumë herët!

Me ne atë vit ishte i pandarë aktor-regjisori Petraq Marjani, që punonte si inspektor i kulturës në Komitetin Ekzekutiv. Bënte çdo ditë kilometra e kilometra të tëra nga një ndërmarrje në një tjetër për të siguruar objekte dhe çdo gjë, që duhej për realizimin e restaurim-ekspozimit. I palodhur, nuk u mërzit asnjëherë dhe bënte çdo gjë me pasion e duke buzëqeshur. S’di pse i thërrisnim njëri tjetrit “Ej Shalo!” me një aksent francez, që më duket krejt pakuptim sot. Eshtë në Florida dhe nuk di nëse i kujton ende ato muaj. Pranë tij është i mrekullueshmi miku im i mirë, Fredi Bitincka, që po bën 7 vjet i ikur rrëmbimthi. Po ashtu është larguar nga jeta kritiku i artit Riza Hyso, i cili vinte shpesh të na shikonte se ç’bënim duke dhënë këshilla rreth artit popullor dhe se si të evidentohej më mirë. Javët e fundit para përurimit kaluam shumë mbrëmje në oborrin e Hanit, duke pirë nga një gotë raki me të, shkrimtarin Miço Kallamata(babai i Klitit dhe Benit, që nuk jeton më), piktorin Ruzhdi Pulaha, Stavri Canen dhe Peçin (Petraq Marjanin) duke folur rreth artit, historisë dhe jetës. Ruzhdiun e takova para dy vjetësh në Korçë dhe mbahej mirë. Stavri gjithashtu është në Korçë dhe duhet të ketë dalë në pension. Ishte po aq i papërtuar sa edhe Peçi dhe ka bërë shumë për kulturën e Korçës. I shpejtë, i kudogjendur, i palodhur ishte edhe drejtori i Pallatit të Kulturës Hasan Malolli, me të cilin këmbenim shpesh batuta. I thërrisja nga larg: “Hasan i Dytë!” dhe ai përgjigjej duke qeshur “Mbreti i Marokut!” Nuk di se ku ndodhet. Kishte mbaruar për matematikë ashtu si Gjergji dhe Kiçoja dhe kishin të tre “mendje të mprehtë“ dhe dashuri për kulturën dhe artin.

Në fund të atij viti, Korça u vlerësua me çmim të parë mes gjithë ekspozitave të të gjithë rretheve dhe merita ishte thjesht e Klitit dhe Gjergjit(Cikopanit). Ne të tjerët patëm pjesën tonë në atë që u bë, por dy ishin liderat. Kliti ishte dhe mbeti shumë i përkushtuar ndaj Pazarit, të cilin e njihte në çdo skutë dhe në çdo detaj. Ndoshta gjatë dhjetvjeçarit të fundit, për arsye të koniukturave politike në Shqipëri, e mënjanuan pa asnjë të drejtë nga angazhimi në kompleksin ndërtimor më të dashur për të. I kishte kushtuar shumë kohë e mund dhe pa asnjë dyshim do e kishte bërë shumë më të mirë nga ç’është sot. Nuk i mungonin njohuritë, pasioni, vullneti dhe vetbesimi. Në kujtim të tij duhet të ketë të paktën një rrugë a shesh në Pazar ose në zonat e mbrojtura të qytetit, të emërtuar “ark.Kliti Kallamata”. Eshtë e domosdoshme se një ditë do jemi larguar edhe të gjithë ne , që ruajmë kujtimet e veprave dhe njerëzve. Sot për sot, qyteti e kujton si të gjallë me personalitetin e tij serioz dhe imponues, por duhet edhe brezat të mësojnë në të ardhmen se cilët kanë bërë shumë për Korçën edhe atëhere kur ka qënë më vështirë.

Dialog me Arkitektin Pa Kufij (fund)

 


(vijim)

Unë: Atëhere nëse marrim në konsideratë këto dy shembuj dhe disa të tjerë të gabuara në Korçë, që thuajse të gjithë kanë qënë fitues çmimesh ndërkombëtare, atëhere cilat janë veprat (dhe ndërhyrjet) arkitekturore në Shqipëri, që janë në një hap me kohën?

APK: Janë shumë vepra të tilla, të mëdha e të vogla, kryesisht me autorë arkitektë shqiptarë. I qëndroj mendimit se arritjet më të mira realizohen kur investitorët priren drejt një arkitekture të kohës dhe njëkohësisht punojnë me projektues që kanë të njëjtim “afrim” drejt formulimit të hapësirës në një truall dhe një situatë të caktuar.Do hapja një parantezë, që hapi më i madh në arkitekturën shqiptare është hedhur në formulimin e interiereve, të cilat në shumë mjedise sociale, tregëtare, rekreative, të banimit etj. nuk lenë mangut ato çka shprehen në mjediset e ngjashme europiane.

Unë: Meqë hapët këtë parantezë, ju mendoni se konceptimi i një hapësire funksionale duhet të nisë nga interieret e të zhvillohet më pas në gjithë kompleksitetin e veprës?

APK: Për të mos u “hardallosur” në një diskutim të pafund teorik do përmend një shprehje të Oskar Nimajer, e cila më duket se jep në mënyrë lakonike se si duhet ta konceptojmë pikënisjen drejt një vepre të arrirë arkitekturore: “Vepra ime nuk ndjek parimin – forma ndjek funksionin- por - forma ndjek bukurinë- ose më mirë akoma – forma ndjek femëroren-“

Unë: Atëhere le të themi se në cilat vepra të 20-30 viteve të fundit në Shqipëri ju shihni të materializuar idenë e Nimajer, kuptohet në konteksin e kohës sonë?

APK: Në më të mirat do përmendja kompleksin e banesave “Magnet” të Libeskind në Tiranë, kompleksi i vilave “Marine” me autorë arkitektët Kondakçi dhe Shënediela në Sarandë, Qendra Tregëtare “Toptani” në Tiranë e ark. Winny Mass, “Yacht Hotel” në Vlorë, disa projekte vilash si “Villa E” në Sarandë e grupit Boiken Construction, “Earth House” në Tiranë e Molos Group të Prishtinës, vila në Gjirin e Lalzit nga AGMA Studio etj., në të cilat gërshetohen mirë një arkitekturë racionale moderne edhe plastike, me atë tradicionale mesdhetare.

Unë: Po a janë të mjafta për tu përmendur vetëm këto “kokrra”, kur në 30 vjetët e fundit në Shqipëri janë ndërtuar mijra e mijra objekte nga më të vegjëlit tek më të mëdhenjtë? Për të mos përmendur shumë, unë po cek vetëm disa, që kanë qënë fitues çmimesh ndërkombëtare, si Sheshi Skënderbej, Muzeu Ikonografik i Korçës,  Hotel – SPA në Kavajë, Rikonstruksioni i Teatrit të Korçës, shkolla “Servete Gaci” në Tiranë,  apo veprat e rëndësishme të  Stefano Boeri-t, që po ndërtohen në Tiranë.

APK: Po më duhet të ripërsërit, se fizionominë e arkitekturës së një vendi nuk e përcaktojnë 10, 20 apo edhe 100 vepra, të arritura ose jo. Cështja e dytë që prekni është nëse veprat, që kanë fituar çmime ndërkombëtare gjatë viteve të fundit duhen konsideruar apo jo të arrira dhe në një vijë me veprat bashkëkohore në botë dhe e treta më ngjan se është nëse veprat e mëdha që po realizon Boeri në Tiranë janë të avangardës së arkitekturës së shekullit të XXI.

Unë: Pak a shumë këto janë.

APK: Veprat më të mira bashkëkohore në Shqipëri mund të shërbejnë si “lokomotiva” në rritjen e prirjeve pozitive të arkitekturës edhe pse nuk përcaktojnë dot fizionominë e saj. Ndaj ato që përmenda më lart jo vetëm janë të zgjidhura mirë nga ana vëllimore dhe e dritë-hijes, por janë ndërtuar edhe me material që gjenden në vend, duke ruajtur origjinalitetin e traditës, por në të njëjtën kohë duke mos tejkaluar koston. Me një fjalë janë të arritura jo thjesht se është shpenzuar shumë, por se është projektuar bukur dhe me mençuri. Ndaj “fryma” e tyre do jetë shumë ndikuese në investitorët dhe arkitektët vendas e të huaj.


Përsa i përket veprave të vlerësuara me çmime, të cilat i përmendët, duhet të nënvizoj, se jo të gjitha çmimet, që jepen sot në botën e arkitekturës kanë të njëjtin prestigj. Shpesh herë në disa nga web site-t , që japin çmime, aplikojnë vetëm një numur i kufizuar arkitektësh, që kërkojnë të reklamojnë veprat e tyre dhe marrja e një çmimi të tillë nuk ka asnjë vlerë në Botën e Arkitekturës. Shembull më flagrant është çmimi, që ka marrë në site-n BIGSEE, firma Bolles+Wilson për Rikonstruksionin e Teatrit Korçë, që është ndërhyrja më “idiote foshnjore” në një fasadë të “modifikuar” në vitin 1972. Probleme më pak të mëdha kanë edhe çmimfituesit e tjerë.

Veprat e Boeri-t meritojnë të ndalemi pak më gjatë.

Veçoria që bie në sy në veprat e urbanistit Italian është përdorimi i vëllimeve të pastra gjeomerike, si një të tërë ose në përsëritje t[ gërshetuara në një objekt. Ka disa dhjetvjeçarë, që arkitektët më të mirë në botë i janë larguar një përqasje të tillë ndaj arkitekturës. Risia e Boer-it qëndron në mpleksjen e një arkitekture disi “kubiste” me një arkitekturë “të gjelbër”, sidomos në disa nga veprat e tija të quajtura “pylli vertikal”, ku vëllime të mëdha vertikale betoni e qelqi (gati qiellegërryese), vishen me një “kamuflazh” bimor, i cili jo vetëm sjell një paraqitje më organike të vëllimit, por edhe ndihmon sipas Boer-it cilësinë e jetës së banorëve të qytetit. Mendimi im personal është që kjo “arkitekturë hibride” nuk ka të ardhme. Nuk besoj se duhet të ndërtojmë pyje mbi dhe rreth strukturave stërmëdha të betonit.  Edhe estetikisht ato të krijojnë përshtypjen se sheh ndërtimet e braktisura rreth Cernobilit, ku natyra dhe vegjetacioni i janë mbivendosur betonit dhe metalit. “Arkitektura e gjelbër” duhet të shpjerë njerëzit sa më pranë natyrës dhe të zgjerojë sipërfaqet e gjelbra në zonat me dendësi dhe jo të ndihmojë për jetgjatësinë e “downtowns” me qiellgërvishtëse. E ardhmja është drejt një arkitekture “më horizontale”.


Një problem më serioz krijon për zonën ku po ndërtohet “Blloku Cube”. I konceptuar si një kub i mirëfillëtë ngjyrë ari, objekti të shqetëson me “thirrjen” e tij gati si të një objekti fetar. Nëse koncepti ze fill nga pushteti i pakufizuar i ish-Bllokut, i gërshetuar me një gjunjëzim të shoqërisë së sotme ndaj Arit, apo më keq akoma , si një kujtesë se shoqëria shqiptare është në shumicën e saj e fesë islamike, atëhere është vërtet një konceptim i frikshëm. Kubi i Boer-it ka për të mbetur një pikë negative tërheqëse për vizitorët e huaj në Shqipëri.

Unë: Si përfundim pas këtij dialogu, nuk kemi ende asgjë të qartë se cila është fryma e arkitekturës shqiptare të sotme dhe prirjet e saj në të ardhmen.

APK: Mos prit nga një bisedë e vetme të mund të rrokim dicka kaq të madhe dhe komplekse sa është mënyra e ndërtimit në një vend me shumë vendbanime urbane dhe rurale. Kete rradhë sa gërvishtëm pak cipën.

Saturday, 2 January 2021

Dialog me Arkitektin Pa Kufij (4)


 (vijim)

APK: Cështja e“Teatri Kombëtar” ka ngjashmëritë e saj me atë të Arenës Kombëtare, por edhe ndryshime të shumta. Në rastin më ideal, për mendimin tim, ajo hapësirë duhej trajtuar si një hapësirë rekreative park-teatër veror, për të krijuar “frymëmarrje” në një zonë qëndrore të qytetit, e cila ka dendësi shumë të lartë. Por në qendra e qyteteve, këto ndodhin vetëm në shtete të pasura, ku jo vetëm Kryebashkiakët janë të papërlyer, por edhe ku opinion publik është shumë shumë i ndjeshëm dhe ndikues. Ju kini bërë dikur një paralelizëm të rastit të Teatrit Kombëtar me  atë të Grand Station të Nju Jorkut. Unë do shtoja se në atë paralelizëm ka diçka që nuk shkon, se situatat janë shumëtë ndryshme. Tirana e vitit 2020 nuk është Nju Jorku i viteve ’70 dhe nuk ka për të qënë si mendësi e banorëve as edhe për 20-30 vjetët e ardhme. Nga pikpamja arkitekturore, të dy qytete mund të mos humbisnin ndonjë gjë të madhe nga prishja e objekteve. Vlerat arkitekturore të Teatrit psh ishin minimale, për të mos thënë, që nuk vlente. Për sa i përket vlerave historike, ato mund të ishin materializuar edhe në një park të hapur, edhe në një “muze butik” në një qoshe të tij e në shumë mënyra të tjera më të përparuara(dixhitale, videoprojektim etj.), që kanë nisur të bëhen pjesë e arkitekturës së sotme.

Por një “llokmë“ me kaq vlerë në qendër të qytetit, për më tepër në pronësi të shtetit, nuk kishte se si të shpëtonte pa u ndërtuar në asnjë vend të Europës Lindore e ndoshta edhe në të tjera me shoqëri më të përparuara. “Babëzia” nuk është “eskluzivitet i Bashkisë së Tiranës”.  E gjithë shoqëria shqiptare i ka sytë në trojet në qendrat e qyteteve. Refreni i shumë viteve më parë ishte: “Kush e ka këtë truall? Ka pronar? I kanë dalë pronarët? Si mund ta rregullojmë ta marrim duke dhënë ndonjë para?” Ndaj pushtetarët shqiptarë, që gjykojnë se prona publike është thuajse prona e tyre, nuk do ndaleshin dot në këtë rast pa nxjerrë një fitim maksimal. Ky është “motivi” i “krimit” tek Teatri. Por si përmenda më lart prishja e teatrit nuk përbën “krim” për arkitekturën e Tiranës. Projekti i kompleksit- Po.

Unë: Po të ndërpres, por unë nuk e kam parë projektin përfundimtar të kompleksit të Teatrit Kombëtar? Eshtë i njëjtë me atë të dy-tre viteve më parë me autor, në mos gaboj, danezin Ingels?

APK: Me ndryshime shumë të vogla është i njëjti projekt. Një grumbull i stërngjeshur kullash, që do jenë apartamente dhe zyra, dhe në një pjesë të vogël të parcelës, një strukturë interesante si të themi një lloj vëllimi, që përmban disa salla kinemash. Ato, që dominojnë janë kullat e bashkëngjitura, të cilat krijojnë jo vetëm dendësi të pazakontë ndërtimore, por krijojnë edhe një vëllim tejet të deformuar, që me çdo lloj trajtimi të eksteriereve do mbetet një llloj “gangrene” në atë pjesë shumë të rëndësishme të qendrës së kryeqytetit.

Unë: Atëhere ju bini në kundërshtim me ato ç’ka kini  thënë në pjesën (2), ku e cilësoni se “korrupsioni nuk ka ndikuar në frymën apo stilin e ndërtimeve”.

APK: Nuk mendojmë njëlloj. Përsëri më duhet të theksoj, se është e gjithë shoqëria, në mënyrë të veçantë pjesa e investitorëve, të cilët ushtrojnë trysni për të ndërtuar sa më ngjeshur në qëndër (të themi si ishin prirjet urbanistike të fundit të shekullit të XIX, në disa metropole europiane dhe amerikane) dhe administratorët (që duhet të mbrojnë interesat e të gjithëve) janë në një mendje (e në një xhep) me ta. Nuk mund të thuhet si thuhet me mendjelehtësi në Shqipëri “Po normal, investitori do sa më shumë fitime!”, sepse “po normal” është në një linjë me të edhe administratori bashkiak, edhe klienti i thjeshtë, i cili do të ketë një apartament “n’mes Tirons”. Rregullat dhe ligjet duhen miratuar nga të gjithë dhe zbatuar nga të gjithë. Kjo vlen edhe për arkitekturën dhe urbanistikën. Të “mallkosh” vetëm politikanët , nuk bën gjë tjetër veçse i zgjat jetën problemit.

(vijon)


Friday, 1 January 2021

Dialog me Arkitektin Pa Kufij (3)

 


(vijim)

APK: Jo! “Betonizimin e qyteteve” nuk e solli korrupsioni i administratorëve të bashkive, edhe nëse ata ishin shumë autoritarë ose jo. Ai ka erdhur si rrjedhojë e një lëvizje të fuqishme njerëzish drejt qyteteve (sidomos në zonën Tiranë- Durrës), prirja e të gjithëve për të jetuar sa më në afërsi të qendrës së qytetit dhe dëshira e investitorëve për të pasur fitime sa më maksimale. “Korrupsioni” ishte një lloj katalizatori, i cili e shpejtonte procesin, por nuk e krijonte. Do ndodhte edhe nëse kryebashkiakët nuk do ishin të korruptuar, me ndryshimin e vetëm, që do ishte më i ngadaltë dhe më pak i mprehtë. “Atribuimi”, që i bëhet rolit të kryetarëve të bashkive, është një lloj “reklame”, që ata vetë e pëlqejnë, për të treguar se mund të vendosin për gjithshka dhe për të rritur “kuotat e tyre të përfitimit” në tregun e ndërtimeve.

Le të marrim si shembull qytetin e Korçës, ku edhe pse administratorët kanë qënë jo më pak të korruptuar se ata të qyteteve të tjera, nuk ka ndodhur betonizimi, ose më mirë të themi ndërtimet e larta prej betoni kanë qënë shumë më minimale se psh në Vlorë apo në Fier. Ka qënë “fryma” e popullsisë të qytetit dhe  jo administratorët, që ka bërë, që qyteti të ruajë karakteristikat e tij më të mira arkitekturore dhe të kthehet në më i vizituari në Shqipëri. Duhet thënë si shtesë se gabimet më të mëdha , që janë bërë në ndërtimet në qytet, kanë qënë pikërisht ato ku investitore ka qënë Bashkia, si psh Kulla Vrojtuese, Biblioteka e re e ndonjë tjetër.

Përsa i përket pyetjes së dytë që shtroni, edhe nëse prishen disa ose edhe shumë monumente me vlera të traditës, kjo nuk do të thotë se arkitektura bën hapa prapa. Të kuptohemi unë jam më shumë për “konservimin” e arkitekturës me vlerë dhe për ndërtimin e vlerave të tjera në zona të reja, por kjo nuk do të thotë se duhet shmangur një proces që ka mijra vjet që ndodh në qytete si Roma, Londra, Parisi, Madridi e gjetkë, ku ndërtimet e reja zenë vendin e të vjetrave pa i ulur vlerat arkitekturore të qytetit por në të kundërt. Ne nuk e dimë se si do ishte Parisi i sotëm, po të mos ishte miratuar 170 vjet më parë plani i përgjitshëm i Haussman, por do të ishte ruajtur Parisi mesjetar. Do ta kishte shkëlqimin e sotëm, që e bën qytetin më të vizituar në botë? Mund të kishte të tjera “ngjyra” tërheqëse? Por është e kotë të diskutojmë për situata hipotetike. Në rastin e Tiranës, nëse e ke fjalën për vepra konkrete, si Teatri Kombëtar a ndonjë tjetër, atëhere duhet të ndalemi më gjatë në veçantinë e çdo rasti pa përgjithësuar, se nuk ka vend për përgjithësim.

Unë: Cili është mendimi i juaj për rastet më flagrante si ai i Stadiumit Kombëtar dhe i Teatrit Kombëtar, që mund të krijojë precedent edhe për ndonjë ndërtim të lartë edhe atje ku është sot Muzeu Kombëtar apo edhe tek  Pallati i Madh i Kulturës?

AKP: Këtu po flasim për prirjet në arkitekturën e sotme shqiptare dhe jo për rastet e objekteve të veçanta dhe se si janë trajtuar ligjërisht dhe profesionalisht nga ana arkitekturore dhe urbanistike. Problemi i tyre lidhet me vendndodhjen dhe pronësinë publike ndaj ka pak të bëjë me mënyrën se si konceptohet arkitektura. Nëse ato do ndodheshin diku në periferi, nuk do kishte as ”zhurrmë“ dhe as debate “të kryqëzuara”. Bëhej fjalë për interesa jo të vogla financiare ndaj edhe palët kanë qënë të motivuara nga këto interesa për qëndrimin pro dhe kundër. Opinioni im është, që në çdo vepër arkitekturore jo të përsosur, mund të ndërhyhet me shtesa dhe vëllime, që nuk cënojnë, por në të kundërt i shtojnë vlerat.

Unë: Po le të merremi me faktin “arkitekturor” tani, që Arena Kombëtare është përfunduar dhe është drejt kristalizimit projekti përfundimtar i kompleksit të Teatrit Kombëtar. Për mendimin tim, i pari është shumë prapa stilit që përcakton arkitekturën e stadiumeve në këtë shekull dhe nuk e kam fjalën për shembujt më të mirë, si stadiumi i Pekinit me autorë firmën Herzog & De Meuron,  ai i Al-Wakrah në Katar i projektuar nga Zaha Hadid, por edhe ata të një investimi më të vogël si ai i Kazanit i projektuar nga Popoulos, Allianz Arena i projektuar gjithashtu nga Herzog & De Meuron, rikonstruksioni i stadiumit të Marsejës, ai i Wuyanit në Kinë etj. Tek Arena Kombëtare mungon tërësisht plasticiteti , që duket qartë në shembujt e sipërpërmendur, gjë që është e meta kryesore e veprës dhe jo kulla e shumëpërfolur. “Rigjiditeti” i formës së tij, bëhet edhe më i rënduar nga ngjyra e objektit, ku çuditërisht i është shmangur të bardhës që mbizotëron në gjithë kompleksin Universitar, pjesë e së cilit ka qënë stadiumi i Tiranës në origjinën e tij. Për arsye të kota (ndoshta nën trysninë e ruajtjes së basorelievit të parë) është lënë e paprekur hyrja në tribunën qëndrore, gjë që nuk është në harmoni me asnjë element të strukturës së re.

(vijon)