Friday, 6 November 2020

Trump po humb Presidencën, por nuk ka humbur gjithshka


Duket që “The Donald” nuk do betohet më 20 Janar si President i SHBA për 4 vitet e ardhme. E megjithatë ai nuk i përket përfundimisht të kaluarës. Dhe jo vetëm kaq, por të gjithë ata që janë kundër Trump dhe Trampizmit, duhet të jenë gati për 4 vite të tjera lufte me të.

Të gjitha ngjarjet kryesore të viteve të fundit, përfshirë këtu edhe zgjedhjet e këtij viti, dëshmuan se Trump ka hedhur rrënjë të forta në politikën amerikane. (Po qe se reagimi i tij ndaj Covid do ishte pak më i mirë ai do ishte rizgjedhur President.)

Mbi të gjitha, Donald Trump ka një mbështetje të jashtëzakonshme në shumë pjesë të shoqërisë amerikane dhe sidomos në të bardhët evangjelistë të zonave rurale. Por çuditërisht, këtë rradhë ai rriti edhe numurin e përkrahësve mes emigrantëve, latinëve bile edhe të zezakëve. E arriti me demagogji, me arritjet ekonomike të këtyre viteve, me politikën përçarëse apo me të gjitha sëbashku, kjo nuk është e lehtë të përcaktohet pa studime të thella. Veç një fakt mbetet i qartë: Donald Trump mund të mbushë sallat dhe stadiumet me njerëz, që kanë nevojë të dëgjojnë broçkullat e tij. Një njeri, që mund të fishkëllehet në çdo universitet për fjalët që mban, është jo vetëm i pëlqyeshëm, por entusiazmon turmat me amerikanë të thjeshtë.

Kjo është një dëshim  e gjendjes të shoqërisë amerikane dhe ndoshta edhe e shoqërive të tjera në botë. Të kujton në njëfarë mënyre entusiazmin e gjermanëve gjatë fjalimeve në sallat e birrarive të viteve 20 dhe ’30 të shekullit të kaluar.

Kjo është edhe arsyeja e vetme, që gradualisht gjatë këtyre viteve të fundit, Trump e vuri përfundimisht nën thundër Partinë Republikane edhe pse kishte qënë gjithnjë jashtë saj. Republikanët edhe gjatë viteve të ardhme janë të detyruar të mos përplasen hapur me Trump dhe Trampizmin. Eshtë ai dhe vetëm ai që mund të sjellë në votime gjithnjë e më shumë përkrahës të së djathtës. E bëri këtë vit duke ju dhënë fitore republikanëve në shumë zona elektorale për kongres, por nuk arriti ta bënte për veten e tij, sepse shumë republikanë të moderuar, votuan për përfaqësuesit e Partisë së tyre , por jo për Trump.

Idea se Trump mori fund është më se naïve.  Dhe nuk është fjala vetëm për proceset gjyqësore që do bëhen për të përmbysur fitoren e Bajden, por për periudhën, kur “gjumashi Xho” të jetë në Shtëpinë e Bardhë. Trump ka të drejtë të konkurojë edhe një herë tjetër për President dhe me energjitë dhe mbështetjen që ka, nuk ka për tu ndalur edhe pse do jetë 80 vjeçar pas katër viteve. Por në Amerikë ka edhe të quajtura zgjedhje të ndërmjetme, për Kongres dhe Senat, që do zhvillohen pas dy vjetësh. Një ose më shumë nga pinjollët e tij (Donald Jr, Ivanka ose Kushner) do hyjnë në garë për senator ose kongresmen. Edhe të tjerë të afërm të klanit Trump, duke parë të mirat që ju solli pushteti në këtë vite, nuk kanë për ta braktisur Liderin e tyre. Për më tepër, në Partinë Republikane nuk ka figura që mund të rivalizojnë politikisht Trump-in. Ndaj nëse gëzon shëndet të mirë, “The Donald” do jetë pas katër vitesh konkurenti kryesor republikan në garën për President.

(Të jemi gjallë e gëzuar! Mbase kjo vlen më shumë se çdo fjali tjetër.)

Monday, 2 November 2020

“Gjumashi Xho”

Trump (dhe rrethi i tij) ka një veçanti negative për një politikan apo edhe thjesht VIP në moshën shtatëdhjetecavjeçare. Të thotë hapur dhe vazhdimisht nofkat që ju ve vetë ose dëgjon për të tjerët. Kundërshtarët e tij në politikë janë “gënjeshtari”, “e çmendura”, “piciruku”, “mashtruesja”, “Pokahantus”, e të tjerë të këtij kallëpi. Xho Bajden për të është “gjumashi” ose “I fjeturi” Xho(“sleepy Xho”). Mund të ketë edhe variante të tjera shqipërimi si: i përgjumuri, derdimeni, dremitësi, gogësitësi, flemëkëmbësi e të tjerë, por le të përdorim cilësorin, që tingëllon disi më butë- “gjumashi”.

Bajden nuk është “gjumash” sepse fle shumë, apo nuk dallohet për energji dhe agresivitet, por është i moshuar. Në kohën, kur mund të lozte pak golf mëngjesave, të kthehej të hante drekë dhe të merrte një “dremkë“, Amerika e thirri në betejën zgjedhore presidentore. Xho kishte dashur edhe herë të tjera të zgjidhej president, por githmonë kishte kishte humbur në konkurimin brenda Partisë Demokratike.

Po si është e mundur, që në moshën 78-vjeçare, “gjumashi Xho” të jetë kandidati(gati fitues) për President i SHBA?

Përgjigja është Donald Trump.

Pjesë të tëra të shoqërisë amerikane janë të lodhur e të trembur nga një mandat tjetër i tij. Dhe këtu përfshihen rinia studentore, establishmenti, ekologjistët, punonjësit e shëndetsisë, emigrantët, zezakët, muslimanët e të tjerë. Gjithashtu edhe pjesa më e madhe e njerëzve që nuk kanë besim tek politika e çdo krahu, por besojnë se institucionet politike duhet të kenë dinjitet, ndershmëri dhe drejtësi. Përderisa Brenda Partisë Republikane nuk kishte një kandidat serioz , i cili mund ta sfidonte presidentin, detyrimisht njerëzit do i drejtoheshin Partisë Demokratike. Dhe Brenda garës së saj dy ishin kandidaturat më serioze: Bernie Sanders dhe Peter Butigieg.

I pari njihet për qëndrimet e tij shumë të majta, në moshë po aq sa “gjumashi Xho” dhe çifut. I dyti më i moderuar, por gay dhe pa mbështetje në zezakët amerikanë.

Amerika ende nuk është gati për një president çifut dhe shumë të majtë apo për një president gay. Ndaj çuditërisht, edhe pse më i moshuar, edhe pse me më pak forcë intelektuale, edhe pse nuk sjell ndonjë gjë të re në jetën politike, Xho mund të jetë politikani më me pushtet në botë për 4 vitet e ardhshme.

Shoqëria amerikane ( kryesisht establishment) kërkon një normalizim të jetës politike, qoftë sikur kjo të sjellë “përgjumjen”. Më mirë pasivitet se sa përplasje të ashpra politike, që mund të dalin nga kontrolli.

A do fitojë Xho nesër?

Nuk është e sigurt dhe kjo është një nga cilësitë më pozitive të Demokracisë amerikane. Demokraci që do dëmtohet shumë po qe se “The Donald” do jetë sërish në pushtet.

Thursday, 29 October 2020

4 vjet të tjera janë shumë




Duket, që zgjedhjet e këtij viti në Amerikë janë më të rëndësishmet e 50 vjetëve të fundit, jo vetëm për ShBA, por për të gjithë globin. Një atmosferë e tensionuar pritjeje nderet në Amerikë, ku janë shtuar shitjet e armëve dhe stërvitjet e bandave paraushtarake. (Jo vetëm ato të ekstremistëve të djathtë, por edhe të minoriteteve, sidomos të afrikano-amerikanëve.)

Mbi të gjitha, Presidenca e Trump solli një rritje të polarizimit të shoqërisë amerikane, por infektoi gjithashtu edhe jetën politike në shoqëritë e tjera në botë. Më shumë se kurrë ekstremet e majta dhe të djathta kanë forcuar retorikën, por dhe veprimet e tyre. Ngjan me një rikthim në gjendjen e viteve ’60-’70 në shoqëritë e përparuara perëndimore. Por nëse në atë kohë përplasjet ishin edhe si pasojë e Luftës së Ftohtë dhe ekzistencës të dy sistemeve ekonomikë, acarimi i këtyre viteve vjen kryesisht nga “efekti Trump”.

“Efekti Trump” ose Trumpizmi është një mënyrë e re e të drejtuarit ose të bërit politikë. Deri diku e xhveshur nga ideologjia, mënyra e drejtimitë tij  është një pragmatizëm pa asnjë lloj parimi, për të qëndruar sa më gjatë në pushtet për të ndihmuar veten dhe një kastë miqsh. Vizioni i Trump për shoqërinë është i bazuar mbi parimin “më të fortët, më të pasurit dhe më dinakët kanë sunduar dhe duhet të sundojnë Njerëzimin”. Në të mungojnë elementët njerëzorë të solidaritetit, ndihmës për tjetrin, altruizmit, dhëmbshurisë dhe dashurisë. Bota është e ndarë në Amerika dhe të tjerët dhe Amerika vetë e ndarë në “të zotët” dhe “të humburit”, vendasit dhe emigrantët, të bardhët dhe njerëzit me ngjyrë.

E megjithatë duhet thënë se Trumpizmi nuk është thjesht shpikje e “The Donald”. Krerë vendesh të tjera, si Putin, Erdogan, Duterte, Narendra Modi, Orban, Lukashenko kanë një mënyrë të përafërt të bërit politikë. Ndaj të gjithë janë mbështetës të hapur të Trump. Por as Rusia, as Turqia, as India e të tjerët nuk kanë ndikimin që ka Amerika në shoqërinë njerëzore. 4 vite të tjera të Trump do të gjallërojnë më shumë forcat ekstremiste në botë, dhe politikanët populistë, gjë që do sjellë rritjen e konfliketeve brenda shoqërive dhe midis vendeve të ndryshme deri sa të arrihet në përplasje luftarake të ngjashme me Luftrat Botërore.

Për më tepër, do dobësohen akoma më shumë përpjekjet e përbashkëta të Njerëzimit për të mbrojtur Planetin nga një katastrofë ekologjike. Mohimi i plotë i ngrohjes globale, nënvleftësimi i pandemive janë ndër tiparet më negative të Trumpizmit. “Pas meje le të bëhet qameti” ndjehet më qartë se kurdoherë në fjalët dhe veprimet e Trump.

Kriza mjekësore e këtij viti zbuloi më shumë se çdo shkrim dhe artikull kritik, se sa e dëmshme për një shoqëri është drejtimi ala-Trump. Zbuloi qëndrimin e tij cinik ndaj jetëve të njerëzve, përpjekjet për të gënjyer me shifrat, për të manipuluar shkencëtarët, për të bërë të zezën të bardhë. Në një shoqëri të mbyllur do ja kishte arritur më së miri, por ekzistenca e institucioneve demokratike në shoqërinë amerikane nuk e le ta bëjë në shkallën që dëshëron. Ndaj edhe Trump kërkon të paraqitet si viktimë e “fake media” apo e “deep state”.

Epidemia e këtij viti ishte një fatkeqësi e madhe për Njerëzimin. Por ndoshta po sjell një të mirë, largimin e Trump nga pushteti. Katër vite të tjera të tij janë një lloj tjetër sëmundje e shoqërisë njerëzore.

Wednesday, 22 April 2020

Sateliti ushtarak dhe Covid-19


Mes titujve kryesore të lajmeve nga bota, ku mbizotëron Covid-19, të prekurit dhe të vdekurit, kalimthi shfaqet edhe një lajm në dukje absurd: “Irani lëshon në hapësirë satelitin e parë ushtarak.”
Irani është mes vendeve më të goditura nga Covid-19. Për gati një muaj rrjesht, media shtetërore raportonte rreth 150 të vdekur në ditë(gënjeshtër e trashë), gjë që jo vetëm nuk korrespondonte me kurbat e vendeve të tjera, por dhe nga informacionet e pakta nga burime të brendshme, dihej se ishte shumë herë më i madh. Në një vend të gjunjëzuar nga sanksionet e konomike, me sisitem shëndetsor të gjymtuar, gjenden burime finanaciare për të lëshuar satelitë ushtarakë.
Por paradoksi në dukje i këtij lajmi, nëse ndalemi pak më gjatë, nuk është aspak i tillë. Në këtë atmosferë pasigurie, vdekjeje dhe tmerri, asnjë nga fuqitë e mëdha ekonomike(që janë edhe më të prekurat nga virusi) nuk ka njoftuar se do shkurtojë shpenzimet ushtarake për të përmirësuar sistemin shëndetsor. Dhe nëse nuk jemi në gjendje t’i përgjigjemi pyetjes se pse gjithë kastat politike nuk e hedhin këtë hap, duhet të shtrojmë pyetjen tjetër: Kaq të pafuqishëm jemi?
Kjo pyetje ka shkuar në mendjet e të gjithëve gjatë këtyre muajve, por më tepër e lidhur me virusin. Si mund të na nënshtrojë një epidemi e tillë? Si ka mundësi që shkenca kaq e përparuar mos parashikojë ose të mos gjejë medikamente shëruese? Nëse përgjigjet e përgjithshme të këtyre pyetjeve janë se epidemi, ka pasur e do ketë dhe se shkenca sado të përsoset nuk mund t’i paraprijë të Panjohurës; pyetja që lidhet me Pafuqinë e Njerëzimit ka të bëjë me aspiratën e popujve për Paqe. Nuk ka nevojë të vihet në diskutim se shumica dërmuese e njerëzve në Botë duan Paqen dhe jetën e qetë.
Atëhere si është e mundur që ky vullnet i shumicës dërmuese të mos vihet në jetë nga programet politike të qeverive? Të krijohet përshtypja se lëvizjet pro paqes dhe kundër shpenzimeve ushtarake janë më të dobta sot se në vitet ’60 dhe ’70. Ngritja e kultit të ushtarakëve është sot në nivelet e kohës së Luftrave Botërore. Sidomos në Amerikë, Rusi dhe Kinë është aq e lartë, sa një avokat liberal si Peter Buttigieg, për të pasur një karrierë sa më të shkëlqyer në politikë, shkoji të luftonte për disa muaj në Afganistan.
Njerëzimi ka nevojë për mjekë, arsimtarë, shkencëtarë, teknikë, inxhinierë dhe sa e sa profesione të tjera. Ka gjithashtu nevojë edhe për njerës që të mbrojnë rendin, ose të përballen me fatkeqsitë natyrore. Por në rast se pranojmë që jemi në një shkallë të lartë të Qytetërimit, kjo nuk duhet kurrsesi të jetë në përpjestim të drejtë me shpenzimet për Luftë. Për fat të keq është kjo që ndodh në epokën moderne.
Mungesë maskash higjenike dhe bollëk bombash!

Wednesday, 15 April 2020

Ditë të zbërdhylta virusi


Të gjithë me maska. Të përgjuar. Të kufizuar në lëvizje. Të pambrojtur. Të kujdesshëm. Paranojakë. Lajmë vazhdimisht duart edhe pa prekur gjë. Na kanë thënë t’i lajmë. Vazhdimisht. Për 20 sekonda të paktën por edhe po t’i lajmë më gjatë më mirë është. Me sapun. Më mirë është me higjenizantë me bazë alkoli. Alkoli nuk bën mirë për imunitetin por asgjeson virusin. Pastrojmë çdo gjë që futim në shtëpi. Letrat që janë prekur nga lllogaritarja e kompanisë që dërgon faturat, punonjësi që mbulon postimet, seleksionuesit e shërbimit postar dhe më në fund nga postieri. Mundësia është që një syresh të jetë prekur nga virusi dhe nuk e di, dhe nuk i ka larë duart mirë pasi ka teshtirë, dhe pas teshtirjes ka qëlluar të prekë pikërisht zarfin që do niset për tek ne. Zarfin me Virus. Mundësia më e madhe është ta ketë kapur nga cepat, por askush nuk mund të jetë i sigurt për mënyrën e mbajtjes të një zarfi të zakonshëm nga gjithë ato duar që e përcjellin. Ndaj më mirë është ta pastrosh të gjithin. Krye e fund.
Virusi me emrin Covid-19 është kryefjala e çdo lajmi. Ka tejkaluar shumë herë edhe Trump. “The Donald” e ka shpallur armik Covid-19. Armik të fshehur. Edhe nga zilia. Edhe nga pendimi, që futja në fushën e politikës e detyroi t’ju japë dorën shumë njerëzve. Më parë nuk e bënte. Ju trembej bakterieve. Edhe viruseve. Si shumë e shumë nuk arrin të dallojë viruset nga bakteriet, por kjo nuk e pengon t’i shpallë luftë dhe njëkohësisht të shpallë edhe fitoren e padiskutueshme. Me më pak se 100 mijë të vdekur. Gjeneralët e dinë se lufta nuk fitohet po nuk pati viktima. Bile sa më shumë të tilla aq më i sigurt vendi në histori. Paçka se viktimat janë mjekë, infermierë, sanitarë, shoferë, punonjës supermarketesh, policë, roje, shumica e të cilëve paguhen pak. Shumë pak. Duke e ditur që rrezikojnë jetën. Do i shpallin heroj për disa muaj dhe përsëri do i harrojnë. Do i lenë sërish të pambrojtur, pa i zëvendësuar, pa ju siguruar një jetë të mirë, jetë e tillë që ju bën të kenë imunitetin më të lartë.
Viktimat më të shumta janë mes të moshuarve. Ka “të arsyeshëm” që thonë se është më mirë kështu se të ndodhte mes më të rinjve. Ndoshta. Por edhe të thyeshmit e moshës të argjentë, që kanë bërë gjithshka me vrull, me vuajtje, me sakrifica, për 40 e më shumë vjet të bukura të jetës së tyre duan të shijojnë sa më gjatë në paqe këtë diell. Që është i të gjithëve dhe jo për të gjithë. Të trembur, delikatë, të hutuar, pa të dashurit pranë ata presin “rradhën” e tëmerrshme të prekjes nga Covid-19 për tu larguar pa bujë nga kjo botë e pasur, të cilën e kanë ndërtuar edhe me djersën e tyre, por që nuk është në gjendje t’i mbrojë.
Ne të tjerët, vepruesit dhe sehirxhinjtë, herojtë dhe frikacakët, të pafuqishmit dhe spekulatorët, optimistëtë dhe të tremburit, altruistët dhe dallaveraxhinjtë heqim dhe vemë maskat, ato që na mbrojnë dhe na bëjnë të dukemi të gjithë njëlloj. Për sa kohë të ketë dalë një aplikim I ri celulari, që sinjalizon se po i afrohesh më shumë se dy metër një të prekuri nga Covid-19. Njëlloj si zilet e dikurshme të lebrozëve.

Wednesday, 1 April 2020

Bota pas Covid-19


Njerëzimi do e kalojë edhe këtë krizë, që është më e madhja që prej Luftës së Dytë Botërore. Ndoshta më shumë se çdo gjë tjetër, do e ndihmojë ai, që është burimi i jetës për planetin tonë, Dielli.
Sigurisht duke lënë mijra dhe mijra tragjedi për familje të veçanta dhe për vende të veçantë.
Po a mund të rritet shpresa se diçka e mirë do vijë nga kjo goditje kaq e madhe ndaj jetës së njerëzve?
Apo gjithshka do jetë si më parë?
Shenjat e para dëshmojnë se grupime të errëta do përfitojnë nga kjo pandemi dhe reagimi I shoqërive ndaj saj. Mafiet kudo që ndodhen, regjimet autoritare, nacionalistët ekstremistë, Partia Komuniste e Kinës. Gjtihnjë e më shumë do vihet në dyshim efikasiteti i demokracive liberale dhe dhe superpushtetin personal do e rritin jo vetëm Putin, Orban dhe Erdogan, por edhe shumë të tjerë, që aspirojnë të jenë si ata.
Nga një shkallçzim i tillë, dihet që asgjë e mirë nuk i vjen shoqërisë njerëzore. Gara “armiqësore” midis kombeve do shtohet, së bashku me konfliktet e njohura gjatë shekullit të kaluar. Rritje në ekstrem e ndjenjës kombëtare, inkurajimi I udhëheqësve “dorëfortë“, ksenofobia ndaj emigrantëve  dhe “armiqve tradicionalë“ janë përzjerja perfekte për konflikte të armatosura. Pekini dhe sidomos Moska kanë kohë që përgatiten për këto lloj skenaresh, që do ju sigurojnë një rol më dominues arenën ndërkombëtare.
Po si do reagojnë shoqërit demokratike dhe forcat më humanitare brenda tyre. Do dorëzohen? Do organizohen për të krijuar një rend botëror ku shpenzohet më pak për armatime dhe më shumë për shëndetsi, arsim dhe shkencë?
Në këto kohë të turbullta gjithshka duket më e errët dhe më e turbullt. Eshtë e çuditshme se si ju rritet popullariteti politikanëve si Trump dhe Boris Johnson, që në fillim ishin gati të sakrifikonin me mijëra njerëz të dobët për të mos rënë kuotat në Bursa. Dhe nuk ishin të vetëm dhe jo vetëm në krahun politik të ashtuquajtur “të djathtë“.
A është e mundur të krijohet një Rend I ri njerëzor me përparim që arrihet nëpërmjet bashkëpunimit dhe jo luftrave tregëtare, nëpërmjet mbrojtjes së mjedisit dhe jo shfrytëzimit grykës të pasurive të globit, me një përmirësim të diferencave shoqërore brenda kombeve dhe midis tyre?
Tërësisht utopi?
Po a po ju lemë fëmijëve dhe nipërve një botë më të mirë nga ajo që gjetëm, apo më të keqe?
Eshtë një pyetje që rëndon mbi brezin tonë.
Brez i pafuqishëm për të përballur tundimin e grykësisë së tij.

Saturday, 28 March 2020

Edhe nje pyetje ne kete krize


“…Gjatë natës ka vetëm një mjek specialist reanimacioni, që duhet të ndjekë të gjithë pacientët. Abby (mjekja)do ta ketë të pamundur të harrojë se si një 38 vjeçari  i vënë plotësisht në ventilator(oksigjeni) dhe që ishte hipoksik në 70%, pasi u bë një kërcim i menjëhershëm në 88%, më vonë vdiq vetëm se nuk kishte personel të mjaftueshëm për të kontrolluar vazhdimisht nivelin e furnizimit me oksigjen…”
Eshtë një pjesë e vogël e shkëputur nga nje e-mail i gjatë, që tregon për problemet e mëdha në një spital të Nju Jorkut gjatë këtyre ditëve të Covid-19.
Historira të tilla ka me mijra në Itali, Spanjë, Francë, Angli dhe vende të tjera të zhvilluara për të cilat kemi menduar se kanë një sistem shëndetsor të përparuar ose të paktën optimal.
Mes mijra pyetjeve nga më të thjeshtat e deri në filozofiket, që na shkojnë nëpër mendje gjatë kësaj krize të Njerëzimit, është edhe një, më e thjeshta dhe njëkohësisht më e komplikuara për tu përgjigjur “C’farë bëjmë keq?”
Nuk është koha për t’ju hedhur fajin të tjerëve (si bëjmë rëndom edhe nëpërmjet teorive konspirative) politikanëve apo forcave të errëta, por për të menduar thellë se c’bëjmë vetë për të mbrojtur shëndetin e vetes, familjes dhe bashkësisë ku jetojmë. (Nuk e kam fjalën për masat higjenike personale.)
Ne nuk dimë se si funksionojnë sistemet shëndetsore në vendet tona. Nuk dimë se si planifikohet paratë e taksave për këtë sektor dhe se si shpenzohen ato. Nuk dimë se cilat janë nevojat e infermierëve dhe mjekëve, të cilët janë rojet e të gjithëve para se të na hapen portat e xhenetit apo të xhenhemit. Nuk dimë se cilat grupime politike dhe cilët kandidatë për qeveritarë janë më të prirur për të mbështetur sektorin e Mbrojtejes së Jetës. (Jo sektorin e ashtuquajtur të Mbrojtjes, por që në të vërtetë është i luftës.) Sepse nuk dimë ndaj dhe nuk jemi në gjendje për të bërë më të thjeshtën që mund të bëjmë: Të zgjedhim për të qeverisur ata që janë më njerëzorë e që mund të bëjnë më shumë për të mbrojtur jetët e njerëzve.
Një zyrtar i lartë i Shëndetsisë në Angli, sot kishte deklaruar se “po të kemi 20 mijë të vdekur në fund të kësaj epidemia, duhet të jemi të kënaqur”. Si të bëhej fjalë për 20 mijë portokaj të prishur apo për presh të kalbur.
Eshtë si t’ju kujtosh përditë njerëzve, sidomos më të dobëtve dhe më të varfërve, që nuk jini gjë tjetër veç numura, pa jetë pa histori, të vlefshëm vetëm për disa formularë statistikorë në sirtarin e një burokrati.
Por faji nuk është vetëm tek ky zyrtar. Eshtë po aq edhe tek unë. Po aq edhe tek ti që lexon këto rrjeshta.