Mes titujve kryesore të lajmeve nga bota, ku mbizotëron
Covid-19, të prekurit dhe të vdekurit, kalimthi shfaqet edhe një lajm në dukje
absurd: “Irani lëshon në hapësirë satelitin e parë ushtarak.”
Irani është mes vendeve më të goditura nga Covid-19. Për
gati një muaj rrjesht, media shtetërore raportonte rreth 150 të vdekur në ditë(gënjeshtër
e trashë), gjë që jo vetëm nuk korrespondonte me kurbat e vendeve të tjera, por
dhe nga informacionet e pakta nga burime të brendshme, dihej se ishte shumë herë
më i madh. Në një vend të gjunjëzuar nga sanksionet e konomike, me sisitem shëndetsor
të gjymtuar, gjenden burime finanaciare për të lëshuar satelitë ushtarakë.
Por paradoksi në dukje i këtij lajmi, nëse ndalemi pak më
gjatë, nuk është aspak i tillë. Në këtë atmosferë pasigurie, vdekjeje dhe
tmerri, asnjë nga fuqitë e mëdha ekonomike(që janë edhe më të prekurat nga
virusi) nuk ka njoftuar se do shkurtojë shpenzimet ushtarake për të përmirësuar
sistemin shëndetsor. Dhe nëse nuk jemi në gjendje t’i përgjigjemi pyetjes se
pse gjithë kastat politike nuk e hedhin këtë hap, duhet të shtrojmë pyetjen
tjetër: Kaq të pafuqishëm jemi?
Kjo pyetje ka shkuar në mendjet e të gjithëve gjatë këtyre
muajve, por më tepër e lidhur me virusin. Si mund të na nënshtrojë një epidemi e
tillë? Si ka mundësi që shkenca kaq e përparuar mos parashikojë ose të mos gjejë
medikamente shëruese? Nëse përgjigjet e përgjithshme të këtyre pyetjeve janë se
epidemi, ka pasur e do ketë dhe se shkenca sado të përsoset nuk mund t’i paraprijë
të Panjohurës; pyetja që lidhet me Pafuqinë e Njerëzimit ka të bëjë me aspiratën
e popujve për Paqe. Nuk ka nevojë të vihet në diskutim se shumica dërmuese e
njerëzve në Botë duan Paqen dhe jetën e qetë.
Atëhere si është e mundur që ky vullnet i shumicës dërmuese
të mos vihet në jetë nga programet politike të qeverive? Të krijohet përshtypja
se lëvizjet pro paqes dhe kundër shpenzimeve ushtarake janë më të dobta sot se
në vitet ’60 dhe ’70. Ngritja e kultit të ushtarakëve është sot në nivelet e kohës
së Luftrave Botërore. Sidomos në Amerikë, Rusi dhe Kinë është aq e lartë, sa një
avokat liberal si Peter Buttigieg, për të pasur një karrierë sa më të shkëlqyer
në politikë, shkoji të luftonte për disa muaj në Afganistan.
Njerëzimi ka nevojë për mjekë, arsimtarë, shkencëtarë,
teknikë, inxhinierë dhe sa e sa profesione të tjera. Ka gjithashtu nevojë edhe
për njerës që të mbrojnë rendin, ose të përballen me fatkeqsitë natyrore. Por në
rast se pranojmë që jemi në një shkallë të lartë të Qytetërimit, kjo nuk duhet kurrsesi
të jetë në përpjestim të drejtë me shpenzimet për Luftë. Për fat të keq është
kjo që ndodh në epokën moderne.
Mungesë maskash higjenike dhe bollëk bombash!
No comments:
Post a Comment