Duket, që zgjedhjet e këtij viti në Amerikë janë më të rëndësishmet e 50 vjetëve të fundit, jo vetëm për ShBA, por për të gjithë globin. Një atmosferë e tensionuar pritjeje nderet në Amerikë, ku janë shtuar shitjet e armëve dhe stërvitjet e bandave paraushtarake. (Jo vetëm ato të ekstremistëve të djathtë, por edhe të minoriteteve, sidomos të afrikano-amerikanëve.)
Mbi të gjitha, Presidenca e Trump solli një rritje të
polarizimit të shoqërisë amerikane, por infektoi gjithashtu edhe jetën politike
në shoqëritë e tjera në botë. Më shumë se kurrë ekstremet e majta dhe të
djathta kanë forcuar retorikën, por dhe veprimet e tyre. Ngjan me një rikthim në
gjendjen e viteve ’60-’70 në shoqëritë e përparuara perëndimore. Por nëse në atë
kohë përplasjet ishin edhe si pasojë e Luftës së Ftohtë dhe ekzistencës të dy
sistemeve ekonomikë, acarimi i këtyre viteve vjen kryesisht nga “efekti Trump”.
“Efekti Trump” ose Trumpizmi është një mënyrë e re e të
drejtuarit ose të bërit politikë. Deri diku e xhveshur nga ideologjia, mënyra e
drejtimitë tij është një pragmatizëm pa
asnjë lloj parimi, për të qëndruar sa më gjatë në pushtet për të ndihmuar veten
dhe një kastë miqsh. Vizioni i Trump për shoqërinë është i bazuar mbi parimin “më
të fortët, më të pasurit dhe më dinakët kanë sunduar dhe duhet të sundojnë Njerëzimin”.
Në të mungojnë elementët njerëzorë të solidaritetit, ndihmës për tjetrin,
altruizmit, dhëmbshurisë dhe dashurisë. Bota është e ndarë në Amerika dhe të
tjerët dhe Amerika vetë e ndarë në “të zotët” dhe “të humburit”, vendasit dhe
emigrantët, të bardhët dhe njerëzit me ngjyrë.
E megjithatë duhet thënë se Trumpizmi nuk është thjesht
shpikje e “The Donald”. Krerë vendesh të tjera, si Putin, Erdogan, Duterte,
Narendra Modi, Orban, Lukashenko kanë një mënyrë të përafërt të bërit politikë.
Ndaj të gjithë janë mbështetës të hapur të Trump. Por as Rusia, as Turqia, as
India e të tjerët nuk kanë ndikimin që ka Amerika në shoqërinë njerëzore. 4
vite të tjera të Trump do të gjallërojnë më shumë forcat ekstremiste në botë,
dhe politikanët populistë, gjë që do sjellë rritjen e konfliketeve brenda shoqërive
dhe midis vendeve të ndryshme deri sa të arrihet në përplasje luftarake të
ngjashme me Luftrat Botërore.
Për më tepër, do dobësohen akoma më shumë përpjekjet e përbashkëta
të Njerëzimit për të mbrojtur Planetin nga një katastrofë ekologjike. Mohimi i plotë
i ngrohjes globale, nënvleftësimi i pandemive janë ndër tiparet më negative të
Trumpizmit. “Pas meje le të bëhet qameti” ndjehet më qartë se kurdoherë në fjalët
dhe veprimet e Trump.
Kriza mjekësore e këtij viti zbuloi më shumë se çdo shkrim
dhe artikull kritik, se sa e dëmshme për një shoqëri është drejtimi ala-Trump.
Zbuloi qëndrimin e tij cinik ndaj jetëve të njerëzve, përpjekjet për të gënjyer
me shifrat, për të manipuluar shkencëtarët, për të bërë të zezën të bardhë. Në
një shoqëri të mbyllur do ja kishte arritur më së miri, por ekzistenca e
institucioneve demokratike në shoqërinë amerikane nuk e le ta bëjë në shkallën
që dëshëron. Ndaj edhe Trump kërkon të paraqitet si viktimë e “fake media” apo
e “deep state”.
Epidemia e këtij viti ishte një fatkeqësi e madhe për Njerëzimin.
Por ndoshta po sjell një të mirë, largimin e Trump nga pushteti. Katër vite të
tjera të tij janë një lloj tjetër sëmundje e shoqërisë njerëzore.
No comments:
Post a Comment