Monday 2 November 2020

“Gjumashi Xho”

Trump (dhe rrethi i tij) ka një veçanti negative për një politikan apo edhe thjesht VIP në moshën shtatëdhjetecavjeçare. Të thotë hapur dhe vazhdimisht nofkat që ju ve vetë ose dëgjon për të tjerët. Kundërshtarët e tij në politikë janë “gënjeshtari”, “e çmendura”, “piciruku”, “mashtruesja”, “Pokahantus”, e të tjerë të këtij kallëpi. Xho Bajden për të është “gjumashi” ose “I fjeturi” Xho(“sleepy Xho”). Mund të ketë edhe variante të tjera shqipërimi si: i përgjumuri, derdimeni, dremitësi, gogësitësi, flemëkëmbësi e të tjerë, por le të përdorim cilësorin, që tingëllon disi më butë- “gjumashi”.

Bajden nuk është “gjumash” sepse fle shumë, apo nuk dallohet për energji dhe agresivitet, por është i moshuar. Në kohën, kur mund të lozte pak golf mëngjesave, të kthehej të hante drekë dhe të merrte një “dremkë“, Amerika e thirri në betejën zgjedhore presidentore. Xho kishte dashur edhe herë të tjera të zgjidhej president, por githmonë kishte kishte humbur në konkurimin brenda Partisë Demokratike.

Po si është e mundur, që në moshën 78-vjeçare, “gjumashi Xho” të jetë kandidati(gati fitues) për President i SHBA?

Përgjigja është Donald Trump.

Pjesë të tëra të shoqërisë amerikane janë të lodhur e të trembur nga një mandat tjetër i tij. Dhe këtu përfshihen rinia studentore, establishmenti, ekologjistët, punonjësit e shëndetsisë, emigrantët, zezakët, muslimanët e të tjerë. Gjithashtu edhe pjesa më e madhe e njerëzve që nuk kanë besim tek politika e çdo krahu, por besojnë se institucionet politike duhet të kenë dinjitet, ndershmëri dhe drejtësi. Përderisa Brenda Partisë Republikane nuk kishte një kandidat serioz , i cili mund ta sfidonte presidentin, detyrimisht njerëzit do i drejtoheshin Partisë Demokratike. Dhe Brenda garës së saj dy ishin kandidaturat më serioze: Bernie Sanders dhe Peter Butigieg.

I pari njihet për qëndrimet e tij shumë të majta, në moshë po aq sa “gjumashi Xho” dhe çifut. I dyti më i moderuar, por gay dhe pa mbështetje në zezakët amerikanë.

Amerika ende nuk është gati për një president çifut dhe shumë të majtë apo për një president gay. Ndaj çuditërisht, edhe pse më i moshuar, edhe pse me më pak forcë intelektuale, edhe pse nuk sjell ndonjë gjë të re në jetën politike, Xho mund të jetë politikani më me pushtet në botë për 4 vitet e ardhshme.

Shoqëria amerikane ( kryesisht establishment) kërkon një normalizim të jetës politike, qoftë sikur kjo të sjellë “përgjumjen”. Më mirë pasivitet se sa përplasje të ashpra politike, që mund të dalin nga kontrolli.

A do fitojë Xho nesër?

Nuk është e sigurt dhe kjo është një nga cilësitë më pozitive të Demokracisë amerikane. Demokraci që do dëmtohet shumë po qe se “The Donald” do jetë sërish në pushtet.

No comments:

Post a Comment