Tuesday, 7 November 2017

Një popull që nuk nderon Kasëm Trebeshinën do e ketë të vështirë të ardhmen

Sot është përcjellë për në botën e të heshturve Kasëm Trebeshina.
Mes heshtjes së plotë të të gjithëve.
Pak e kishin dëgjuar se cili ishte në rininë e tij. Më pak akoma gjatë burrërimit. Pushteti i komunistëve ishte kujdesur, që jo vetëm ta mbante në burg, por të krijonte edhe legjendën e “një të sëmuri mendor”.
Pas rënies të Diktaturës, kur dukej se mund të dëgjohej më shumë rreth tij dhe veprave të shumta, përsëri ra heshtja. Më e çuditshmja se janë me dhjetra televizionet radiot, gazetat, shtëpitë botuese.
Edhe kur dikush mundohej të nxirrte në pah gjenialitetin dhe idealizmin e tij, kishte dhjetra që vraponin ta mbulonin me baltën e “themeluesit të Sigurimit të Shtetit”.
Më të shumtë janë ata, që nuk kanë dëgjuar për të dhe një pjesë tjetër e shqiptarëve e dinë të vdekur prej kohësh.
Një i ri i mençur, shumë më tepër se bashkëmoshatarët e tij, po të lexosh edhe raportimet e tij thjeshta brenda Partisë Komuniste, kur ishte vetëm 17-18 vjeç.
Promemoria e tij drejtuar Enver Hoxhës në vitin 1953, të befason për qartësinë dhe kuptimin e historiesë botërore të një rinoshi vetëm 27 vjeçar. Vetëm Migjeni ka pasur një gjenialitet të tillë në moshë të re. Të mëdhenjtë e tjerë të letrave shqip kanë arritur të shohin qartë shumë më vonë.
Në Tiranë, sot, askush nuk është kujtuar të shkruajë diçka për Trebeshinën. Thua se ende i tremben dritës së tij.
Ne jemi një popull , që presim e përcjellim me fanfara sharlatanët. Jo shënjtorët. Prej të vërtetave të tyre kemi frikë. Ndoshta se janë tepër tronditëse ose se nuk jemi në gjendje t’i rrokim me mendje.
Ndaj kemi për të mbetur një turmë që vrapon pas larushanisë të prestigjitatorëve të fjalës. Ndaj dhe do e kemi të vështirë të ardhmen.
Mundohemi t’i mbushim mendjen vetes se “Ndoshta jetohet edhe pa të vërtetën”.
Kasëm Trebeshina nuk mund të jetonte dot pa të.

Prehu në paqe njeri i mençur dhe i ndershëm!

Monday, 6 November 2017

Opozita nuk është gati për zgjedhje të reja

Një “përpëlitje” e vazhdueshme e Ramës në krye të kësaj qeverie, të dalë nga zgjedhje tashmë të kompromentuara prej “skandalit të madh të kanabisit”, që posa ka nisur me pjesën e tij “Habilaj –Tahiri”, vetëm se do i sjellë dëme të mëtejshme gjithë jetës së vendit.
Investitorët e huaj do largohen edhe më shumë dhe po të njëjtën gjë do bëjnë edhe shqiptarët që kanë mundësi për të investuar.
Ngërçi i madh politik është i pritshëm, por duhet thënë që as opozita nuk është gati “për të rrëzuar Ramën” dhe aq më pak për të shpënë vendin në zgjedhje të parakohshme dhe pët t’i fituar ato.
E Djathta ka ende probleme të mëdha të brendshme ndërsa Opozita e Majtë duhet të merret me “rrjedhjet” e anëtarësisë, që po i shtohen çdo ditë.
Në këtë lloj gjendjeje politike, e vetmja mënyrë për të mos bllokuar jetën normale të vendit duket se është krijimi i një qeverie teknike me një mandat një vjeçar dhe me objektivin e vetëm të realizimit të Reformës në Drejtësi dhe ndryshimin e Ligjit Elektoral.
Duket se kjo mund të jetë e papranueshme për kryeministrin Rama, por në bashkëpunim me ambasadorët e huaj, në bisedime mes negociatorësh, kjo mund t’i sugjerohet “liderit të çoroditur” si e vetmja mënyrë për të pasur shpresën e një “gremisjeje jo të plotë“.
Alternativat e tjera të protestave dhe bojkotimeve jo vetëm kanë rezultuar të dështuara, por as kanë pasur dhe as do kenë mbështetjen e SHBA-së dhe BE-së.
Për të qënë e besueshme për opinionin shqiptar, tashmë të zhgënjyer thellë nga politika, në qeverinë “teknike” jo vetëm që duhet të përfshihen njerëz me reputacion, por e domosdoshme është të jenë të barzlarguar nga partitë. Mundësisht edhe kritikë të të gjitha qeverive si Fatos Lubonja apo Artan Fuga.
Vendi po i drejtohet një krize të thellë qeverisëse, ku ekipi i Rilindjes është tejet i korruptuar dhe opozita e dobët dhe jo shpresëndjellëse.
Të gjithëve ju duhet kohë për tu përshtatur në situatat e reja , që do sjellë përfundimi i Reformës në Drejtësi.
Dhe në rast se palët nuk arrijnë në një marëveshje të dobishme për të gjithë dhe sidomos për vendin, atëhere duhet të shpallin se janë kundër Reformës në Drejtësi!

Dëshire në shi

Po i mbledh litarët e këtij shiu
Për të zbritur atje ku je ti.
Nuk di nëse do më duhen
Gremçat e ëndrrave,
(Kurrë më parë nuk kam provuar
Të zbres pa rëndesë)
Por më s’mund të pres
Për një doracak të pashkruar
Dhe të pa lënë mbresë,
Ku një i gjallë drejt jugut shkon nëpër shi.
Më tërhiq,
fort se një rruzull stërmadh
Tërheq rruzullin e vogël,
Dhe i lagur mes rrëkeve
Do rrëshqas si një gogël.
Me dashuri mbushur
Më e dëndur se uji i rëndë,
Që në shpërthim ja u kalon rrufeve
Në qiejt e ngrysur.
Tek ti do gjej
Si ndodh qysh kaherë,
Të voglat grimca që ndrijnë si ar.
Trupave t’ja uhedhim edhe këtë herë,
Të ndrisim në këtë vjeshtë
Me drurë të zhveshur

Dhe shi që bie litar.

Sunday, 5 November 2017

Kaq tahmaqarë këta Ridhj…at?!

Eshtë e çuditshme se si mund të rikthehen si figura gjysëm simpatike çifti i hajdutëve Kryemëdhënj.
Aq shumë e kanë tepruar zullumin Ridhj…at sa më të korruptuarit në Shqipëri jo vetëm pot hërresin se sit a shpëtojnë atdheun nga Rama, por nuk na duken edhe aq të shëmtuar!
Në Romën e Vjetër ishin të njohura darkat e mëdha, të gjata e plot gjellë nga më të larmishmet, sa për të shijuar të tjera e të tjera, romakët e tejngopur shkonin e fusnin gishtat në grykë, për të “nxjerrë rropullitë“ e për të vazhduar gostinë pafund.
Këta pasunarët e Ramës duket se nuk janë kaq grykës, por tahmaqarë për para dhe për ta Dhj… dhe Ridhj… Shqipërinë.
Ndaj me plot gojë mund t’i quaj - Ridhj….at!
Kudo që bie erë fondesh, tenderash janë këta!
Në ministritë me buxhetin më të madh përsëri sulen këta!
Në Bashki, në Qark, Prefekturë, në Uji, në Energjija Elektrike!
Nga që xhepat ju janë zmadhuar shumë nuk dinë se si të marrin më shumë nga xhepat e të vegjëlve duke ngritur taksat, duke rritu çmimet e ujit, dritës, librave të shkollës dhe çdo gjëje tjetër të nevojshme për ata, që i quajnë popull po i mendojnë si turmë.
Kaq të shëmtuar në lakminë e tyre, sa të shkon vetëtimthi në mendje “Të lumtë goja moj Mona!” dhe më pas kafshon gjuhën se mendon se ç’lloj hajdutësh ishin ata para këtyre.
Ja do rrëzohet edhe Edi Rama!
Po kush të vijë në krye?
Ata që vjedhin më pak.
Mbase ekzistojnë, por është shumë e vështirë t’i gjesh

Saturday, 4 November 2017

Shumë zhurrmë për…të mbuluar ”file Saimirin”!

Edi Rama arriti të shkëputë për 24 orë vëmendjen e publikut nga çështja më e mprehtë e Sqhipërisë- ajo e përfshirjes së një ministri të brendshëm në trafikun e drogës me Italinë. Për skandale të tilla, kudo në botë do kishte dorëheqje të kryeministrit, por jo tek ne dhe jo nga ky kryeministër.
Rama përdori trikun më të vjetër të librave të politikës, atë të “nacionalizmit bajat” duke prekur çështjen e Himarës dhe bashkë me të marëdhëniet me grekët, marëveshjen për detin e të tjera lidhje të politikës sonë me fqinjët. Gjuha ishte po ajo e vjetra, e përçmimit të të huajve dhe gjuhës së tyre dhe të akuzuarit e kundërshtarëve politikë si shërbëtorë tradhëtarë.
Menjëherë mediat mbështetëse vrapuan të shkruajnë të tjerë artikuj për çështjen e Himarës, që është një problem fare minor, po qe se e krahasojmë me problemet e tjera që ka Shqipëria.
Ka analistë, që e quajnë “mjeshtëri” të politikanit të nryshuarin e temës së ditës, kur je në positë të vështirë. Mund të përmendin edhe filmin “Wag the dog”, ku presidenti amerikan, për të hequr vëmendjen nga një skandal i tij seksual, krijon një “luftë të rreme” me Shqipërinë duke vënë në lëvizje një makinë propagandistike me ndihmë nga Hollivudi.
Por çështja e shokut Saimir (ose “file Saimirit” për të përdorur të njëjtën gjuhë gjysëm greqisht dhe gjysëm shqip të Ramës) nuk është një skandal i thjeshtë seksual. Një të tillë do e falte lehtë publiku shqiptar.
Skandali “Tahiri” është më i madhi në Shqipërinë e tranzicionit. Nga mënyra si u ndërtua karriera e Tahirit brenda PS-së, nga emërimi i një ish-studenti mbetës në ministër të brendshëm, nga akuzat e hapura ndaj tij si shok i Shullazit, nga përgjimet e Habilajve  të botuara në shtypin italian dhe tonin dhe deri në patentat e kapitenit të zbuluara pranë 800 mijë eurove. Karriera e tij është ajo e një njeriu të gatshëm për tu përdorur nga shefat kriminelë në një vend ku krimi me politikën, shpesh, “hanë dhe pinë“ bashkë.
Nëse “çështja Tahiri” hyn në rutinën e zakonshme të prokurorëve të papërgatitur, që jo rrallë nuk dinë të përgatisin dosjet, që ndikohen nga politika, ose që korruptohen, ajo do zgjasë pafundësisht dhe kryeministri, i prekur drejtpërdrejt nga ky skandal, do të jetë në gjendje të krijojë të tjera “zhurrma” për të lënë të painormuar publikun. Prokurori i Përgjithshëm gjithashtu ka për ta përdorur këtë çështje si “as në mëngë“ për të luajtur lojën e tij të zgjatjes së mandatit edhe për dy vjet.
Eshtë opozita ajo, që duhet t’i hyjë me themel kësaj çëshetëm atje të “implikimit të policisë në trafikun e kanabisit” nëse vërtet është e interesuar të dalë e vërteta. LSI-ja e ka quajtur hapur si Haki “Droga, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë. Pa fakte nuk ka se sit a ketë bërë këtë.
Atëhere çfarë e pengon opozitën të kërkojë krijimin e një komisioni parlamentar special për hetimin e përfshirjes të titularëve të lartë të policisë në mbjelljen dhe trafikimin e kanabisit?
Qeveria Rama mund të rrëzohet, por jo me çadra dhe bojkotime.
Duhet punuar seriozisht për të mbledhur fakte dhe për t’i publikuar ato.

Vetëm atëhere njerëzit do besojnë se fjalët e opozitës për Tahirin dhe Ramën nuk janë si “zhurrma” që bën Rama për Himarën, për të mbuluar Tahirin!

Friday, 3 November 2017

Ai e kishte mbiemrin Plepi

Nuk jam i sigurt për emrin e tij, nëse e kishte Abraham, Pashko apo Novruz edhe pse shitoren nuk e kishte larg shtëpisë sime. Kujtoj vetëm, që mbiemrin e kishte Plepi. Bile ime bijë, kujtonte se Plepi i theshin se rrinte mbështetur gjithë ditën pas një plepi, që kishte ngjitur me shitoren dhe ju jepte vaftin kalimtarëve duke ju kujtuar njëkohësisht edhe festat fetare. (Këto në qytetin tim janë të shumta.) Nuk besoj se ishte besimtar, por ngjarjet fetare i dinte të gjitha se lidheshin edhe me xhirron e shitores. Ishte një njësi si ato të “artikujve të imët”, që lulëzuan gjashtë muaj në kohën e sho Ramiz. Kishte qirinj për vakëf e për xhami, bojë për të ngjyer vezët, grurë të pazjerë për hashure, qilima të vegjël për tu falur, çomage për kolendra, tapita me pamje nga Meka, mandolina për evangjelistë, hixhabe, riprodhime ikonash, poçe prej balte, mbishkrime në arabisht, revista fetare dhe spango. Nuk di nëse kishte shumë kërkesa për artikullin e fundit, se njëri nga raftet e shitores ishte plot me rrotulla spangoje.
Disa herë, kur më kishte buzëqeshur tmerrësisht përzëmërsisht, sa sytë i bëheshin vetëm një vijë dhe të kujtonte më shumë një lufëtar mongol, se një malësor të Shqipërisë Juglindore, dhe unë i tembur nga buzëqeshja e përzëmërt, që mund të përkthehej “Ke kohë që nuk ke blerë gjë këtu tek unë!”, pata hyrë në shitore dhe nga që nuk më duheshin qirinj, çomage mandolina apo poçe, pata blerë një rrotull me spango. Shoku Plepi më shikonte hetueshëm dhe më pyeste “Veteëm kaq do blesh?” dhe unë i turpëruar mërmëritja nëpër dhëmbë, që ato kohë nuk kisha edhe shumë punë se njerëzit po i fusnin paratë në kompanitë e investimeve , të cilat atë kohë nuk i dinim që ishin piramidale, por edhe po qe se do i dinim se ishin të tilla përsëri paratë do i fusnim në to, se çdo gjë madhështore ka qënë piramidale dhe çdo gjë piramidale si rrjedhim do jetë madhështore. Kështu më ishin mbledhur katër-pesë topa me spango në shtëpi dhe nuk dija se ç’të bëja me to. Gjithkujt, që t’i thuash a do një top me spango pa para, do të të shikojë me dyshim edhe sikur të jetë këpucar. Se ç’mund të bësh me një top me spango në një qytet në pllajë dhe ku nuk ka shumë punë. Po ta dhuronje në lagjen e të varfërve, që ka emrin me Kullë, por Kullë nuk ka, do të shikonin shtrembër dhe të theshin “Se mos kujton që jemi akoma në kohën e Enverit dhe i mbajmë bollkat me spango?!” Kështu që topat me spango mbetën në një qoshe të qilarit tim me mure butobetoni, se më vinte zor kur ika nga Shqipëria t’i shpija në shitoren e shokut Plepi, se mund të më theshte “Po ti le që nuk blije gjë për të qënë, por kur nuk të duhej spangoja përse e blije dhe nuk blije fjala vjen tapita?!”
U bënë vite që nuk kam qënë në mëhallën time. Më kanë thënë se shoku Plepi edhe pse i moshuar vazhdon të shesë në shitore, por ose nga konkurenca, ose nga një bjerrje e kërkesave për sende që lidhen me ritet fetare, tani shet flamurë. Sidomos gjatë veprimtarive ndërkombëtare sportive, ka aq shumë punë, sa një pjesë të flamujve i var edhe në degët e plepit. Në kohë të tjera, (normal) më të shiturit veç flamurit shqiptar, janë amerikani, i EU-së, i Kosovës, i “Skënderbeut” dhe flamuri grek. Ka flamurë të të gjitha dimensioneve, bile hyn edhe në tendera për të shitur flamurka të vegjël tryezash, që përdoren në gjithë zyrat e pushtetit vendor. “Gojët e liga” thonë se për arsye fitimi është anëtarësuar në Aleanca Kuq e Zi, por mua më duket më i zgjuar se aq. Asnjëherë nuk ka qënë në anën e të humburve. E vërteta , të cilën e besoj, është se ka paditur për antipatriotizëm këngëtaren Arilena Ara për këngën “Nëntori” dhe ka kërkuar një dëmshpërblim bajagi të majmë.
Nuk i ve faj!
Nëntori është muaji , kur shiten më shumë flamuj.

Për më tepër, edhe rruga ime, ku është edhe shitorja e tij, quhet “29 Nëntori”!

Thursday, 2 November 2017

Dhokeja mbi Kullën Vrojtuese

Dhokeja më sjell kujtimet e palavdishme të stërvitjes ushtarake. Pa patur asnjë fije disidence, si shumica e të rriturve në qytet edhe unë e urreja stërvitjen ushtaraken dhe uniformën. Por jo Dhokeja, që edhe pse ishte vetëm oficer reservist, “na i merrte shpirtin” me vrapime dhe marshime. Që të vraponim më pak, të marshonim më pak dhe të dëgjonim edhe më pak nga rregulloret e firmosura nga “Mehmet Shehu dora vetë“, i hapnim Dhokes muhabete futbolli dhe ai me orë të tëra mund të fliste për Jashinin dhe “Dinamon” e Moskës. Ishte dhe pak Stalinist.
Dhoken ma kujtoi prefekti i posaemëruar i Korçës, që jo vetëm quhet Dhori, por është edhe gjeneral në rezervë. Eshtë lindur në Pogradec, ndonëse në kohën tonë ishin shumë të rrallë familjet nga qyteti, që i dërgonin fëmijët në “Shkollën e begsave”. Dhori Spirollari duhet të ketë rrënjë të forta andej nga Mokra, që e bën edhe patriot edhe pak Stalinist.
Në fjalën e tij të paraqitjes së prefektëve të rinj(të gjithë ushtarakë) kryeministri ynë i lavdishëm Edi Rama tha që prefektët tani e tutje do jenë si Kulla Vrojtuese, që do kontrollojnë gjithë pushtetet e tjerë. Dhe kush më mirë mund të kontrollojë se gjeneralët dhe kolonelët. Më kujtohet që Dhokeja na kontrollonte nëse i kishim gjithë paisjet luftarake dhe jo luftarake me vete, që fillonin me karabinën vetmbushëse dhe vazhdonin me vezmoren, kundragazin, helmetën, pelerinën, gambalet, pecet e këmbëve dhe mbylleshin me lopatën xheniere.
Tani Dhori Spirollari do kontrollojë gjithë pushtetet e Korçës nga Kulla Vrojtuese, e cila më në fund do marrë një funksion.
Prej atje mund të shikojë edhe zjarret që do bien në Voskopojë (larg qoftë kjo!) dhe do nisë atje tërë trupat e specializuara, e të mos lerë si këtë vit, kur me zjarrin u përball vetëm Kryebashkiaku Raqkë me shoferin e tij, gjë që habiti edhe mogulët dhe ish-mogulët e medias lokale.
Para disa vitesh kam shkruar, që për shumë vite ka qënë prefekt i Korçës Hil Mosi. Ka bërë shumë për Korçën në ato vite edhe pse nuk përmendet ndonjëherë në “Amarcord” të Ramës dora vetë, që e përgatit historiani Kotherja. Nuk ishte ushtarak, por ishte i mençur, i shkolluar dhe i përkushtuar.
Tani do kemi gjeneral Dhoken.

Të jetë tifoz futbolli?