Friday, 10 March 2017

“Derri i Lerosur”


Nuk di pse kur e pashë për herë të parë projektin e ri të Bibliotekës, mu duk si një derr, që sapo kishte dalë nga lluca. Ndaj dhe e kam quajtur “Derri i Lerosur”, pa menduar hollë hollë, se nuk jam i treguar aq i drejtë me derrin. Objekti, tepër i papërshtatshëm për vendin, por dhe si projekt në vetvete do duket më keq se një derr i lerosur, kur të përfundojë.
Korça ka një raport tepër të veçantë me Bibliotekën,
E para, e dhuruar nga filantropi Thoma Turtulli, ishte në përurimin e saj një ndërtesë e bardhë e hijshme, që të kujtonte një tempull grek. I përkiste neo-klasiçizmit në arkitekturë, por i një krahu më racional dhe më pak të ngarkuar me detaje. Ishte e para bibliotekë publike në Shqipëri. Kishte edhe shumë lexues.
Në fillimin e viteve ’70, për të justifikuar prishjen e Shën Gjergjit, u vendos nga lart të ndërtohej Biblioteka e Re dhe për fat, prokjekti ju ngarkua Petraq Kolevicës. Duke marë nisje nga disa projekte në Suedi (arkitekturës së të cilës Petraqi i ishte referuar shpesh, kur projektonte për Korçën), ai mundi të projektonte dhe të merrte miratimin për projektin më modern të lejuar deri atë kohë në Shqipëri. Ndërtimi u tejzgjat për shtyrje të fondeve dhe në fund u “masakrua” me hapjen e dritareve të mëdha në katin e sipërm, i cili ishte i projektuar “I verbër” dhe do kishte një basoreliev të madh. Hapja e dritareve u bë me urdhër nga më të plotfuqishmit e Tiranës, megjithëse ndriçimi natyral ishte projektuar dhe realizuar me “shede” në tarracë. Ishte projektuar sipas parimit bazë të “arkitekturës moderne”- “planimetri e lirë“ dhe mund të ndërtohej pa frikë në çdo qytet të madhësisë së Korçës në çdo vend europian. Kushtet e ndriçimit dhe ruajtjes dhe vendosjes së librave ishin nga më të mirat për mundësitë, që kishte ajo kohë. Padyshim ishte biblioteka më e mirë në Shqipëri.
Projekti i sotëm i të ashtuquajturës “Rilindje Urbane”, që në vetvete është një term politiko- komercial, që nuk ka të bëjë me Urbanistikën dhe Arkitekturën, nuk erdhi krejt rastësisht dhe nuk është thjesht një ide e grupit Peleshi.
Degradimi i Bibliotekës dhe i raporteve të korçarëve me Bibliotekën ka nisur , që në vitet ’80, kur Korça kishte një nga vendet e fundit në Shqipëri në shitjen e librave dhe po afër fundit në frekuentimin e Bibliotekës. Kjo rënie vazhdoi në vitet ’90 për vetë rrëmujërat e ndrimit të sistemit dhe nuk arriti të ngrihej edhe më vonë. Në një vizitë para 6 vitesh, e pashë të sistemuar mirë brenda , por thuajse bosh. Nuk ishte më institucioni i kulturës, që kishin ëndërruar korçarët, që kishin hapur bibliotekën e parë. Me daljen në pension të Klara Celës, dukej që ishte larguar edhe e fundmit bibliofile dhe bibliografe e qytetit.
Sot Korça ka numurin më të madh të profesorëve, kandidatëve të shkencave, doktorëve të shkencave, profesorëve të asociuar, që ka pasur gjatë gjithë historisë së saj, por duket se askujt nuk i bie ndërmend për Bibliotekën. Ndoshta e konsiderojnë një magazineë librash, që mund të shkojë kudo në qytet.
Proejkti i ri, ka një sipërfaqe në total më të ulët se I pari edhe pse parashikon të “strehojë “ atje edhe Galerinë e Arteve dhe nje "berthame" te kultures, qe nuk  dihetse sa kulturore do jete.
Tregëtarët e tij, mund t’ja u shesin me plot terma bashkëkohore, me përmbajtje sallash polivalente, me fonde gjithëfunksionale, që aksesohen lehtësisht nga përdoruesit, me holle bashkëkohore të internetit të të ardhmes etj. etj. Janë të gjitha dëngla!
Të njëjtat dëngla, që përdorën për të shitur Kullën Vrojtuese.
Qëndra e Re kulturore, një tjetër “mëngë në kurriz” për Korçën!

Thursday, 9 March 2017

Ishte mars, 40 vjet me pare


Ishte mars. Nuk kishte si të ishte një tjetër muaj. Në mars fillojnë gjithë marrëzitë. Edhe nismat.
Ata ishin menduar gjatë ditëve të shkurtra të dimrit, ndërsa rrinin kot dhe hargaliseshin në zyrat mbi një dyqan ushqimesh, ku mielli, fasulet, vaji i ullirit, makaronat dhe kafeja jepeshin me listë. Lista e ushqimores ishte një rregjistër i madh me shumë fletë, ku ishin emrat e gjithë kryefamiljarëve të renditur sipas bllokut dhe rrugës. Cdo muaj mund të merrje dy kile miell, një kile fasule, nje shishe vaj ulliri, një pako makarona spageti dhe një “kartushkë“ me kafe. 100 gramshe e pablojtur dhe e papjekur. Ushqimet e tjera nuk kishin kufizim.
Edhe ata vetë, që rrinin në ato zyra, që më parë kishin qënë banesë e një tregëtari, po me listë i merrnin ushqimet. Ndjeheshin më mirë se të tjerët, se ata që quheshin funksionarë nuk kishin ndonjë punë për të bërë, ndërsa ata që punonin nëpër fabrika, shpesh shkëputeshin për të shkuar nëpër mbledhje, konferenca dhe seminare. Ato kohë shkonin edhe nëpër shkollat e mesme për të kontrolluar djemtë që mbanin flokët e gjata dhe vajzat, që kishin rroba të modës. Nuk di se si e quanin veten, mbase shokët e rinisë, se ne, në rrethet e ngushta i quanim komsomolasit.
Herë pas here duhej të ndërmernin nisma, për të treguar që jo vetëm i konspektonin materialet e Partisë, por edhe i zbërthenin dhe i vinin në jetë. Ishin më të shumtit në fund të të njëzetave dhe shpresonin të ndërtonin familje. Sigurisht edhe një karrierë brenda partisë, ku vendet më të lakmueshme ishin ato të instruktorit të Komitetit të Partisë, ku nuk kishe asgjë për të bërë dhe ishe edhe i respektuar në qytet e në fshat. “Kishe në dorë“.
I madhi i tyre, që më parë kishte qënë drejtor i një shkolle të mesme, mëngjesin e nesërm, të ditës që na thanë se do shkonim në Opar, hipi në krye të shkallëve të shkollës dhe mbajti një fjalë të shkurtër, që duhej të ishte mobilizuese. Ishte marsi i vitit 1977 dhe sikundër na tha Sekretari, ne do shkonim si një brigadë luftëtarësh, për të ndihmuar Partinë në një çështje me rëndësi për kooperativat malore. Ishte marrë një vendim për tufëzimin e bagëtive edhe në kooperativat e zonave të thella.
Na qeshej se nuk dinim asgjë se ç’ishte tufëzimi dhe se pse ishte kaq mirë për fshatarët, por na pëlqente të mos bënim shkollë për dy tre ditë, sa ishte planifikuar kjo nismë. Ishim në vitin e tretë të së mesmes dhe mësuesit na thoshin , që ai ishte viti kur gjimnazistët “shkreheshin” më shumë. Ende nuk di nëse kishte lidhjen me një kulmim të hormoneve, se atë kohë askush nuk i zinte në gojë. Mësuesit që na mbanin më pranë, e spjegonin me familjarizimin me të mesmen dhe që ndryshonte më vonë në maturë, pasi të gjithë mobilizoheshin të nxirrnin një mesatare të lartë për të shkuar në universitet.
Në krah të Sekretarit të Parë të BRPSH-së rrinte sekretarja e rinisë e shkollës, një vajzë kokëulur, që gjithashtu nuk dinte asgjë rreth hormoneve, por mësoi më vonë dhe u apasionua ndaj hedonizmit, duke mallkuar ndoshta veten për besimin aq të madh që kishte pasur në normat e moralit komunist. Ishte mars dhe ne nuk ja kishim idenë e hormoneve.
Brigada jonë do “sulmonte” kooperativën e Lekasit, ku duket se punët e tufëzimit nuk po shkonin me ritmet e pritura nga Komiteti i Partisë i rrethit, ndërsa dy brigade të tjera maturantësh, do shkonin në zona të Gorës dhe të Moglicës.
Për fat të mirë ishte futbolli.
Atë pasdite, “Skënderbeu” luante kundër “17 Nëntorit” dhe ndeshja pritej me shumë interes, se që kur ekipi drejtohej nga Aleko Pilika, ishte bërë rival i vërtetë i ekipeve të Tiranës dhe Vllaznisë, që dominonin kampionatin shqiptar. Ndeshjen e pamë në vatrën e kulturës të Lekasit pasi kishim bërë disa orë rrugë më këmbë, por duke qënë të rinj, na dukeshin një shëtitje e bukur mes maleve. Për të ndjerë më shumë çlodhje, Vaskë Thimioja shënoi golin e vetëm të ndeshjes dhe fituam në mes të Tiranës. Mbrëmja erdhi shpejt dhe në errësirë ju ngjitëm të përpjetës të Tudasit, ku do flinim atë natë. Ndoshta na shoqëronte një mësues I histori-gjeografisë, por ato kohë, nuk flitej as për Muzakajt, as për fisnikun Tudor dhe as për kishën shumë të vjetër të fshatit. Historia, që mësonim në të mesme, niste me grupet komuniste dhe mbyllej me Kongresin e 7-të, që kishte zhvilluar punimet disa muaj më parë dhe në zbatim të rezolutave të të cilit, ne, një tufë me tetëmbëdhjetvjeçarë, me hormonet, që na gëlonin, por që nuk dinim asgjë rreth tyre, i ngjiteshim mbrëmjes një të përpjete të fortë në Ostrovicë.
Ishim vërtet të lodhur dhe u ulëm shesh, buzë një hendeku të cekët të rrugës për të pritur ata, që do na shpërndanin në bazat e fjetjes. Ishim shumë djem e vajza, por të ndarë në grupe dyshe dhe treshe sipas shoqërisë më të afërt që kishim. Unë isha me Benin (Kallamatën) dhe Mirin(Shehu), që ato vite të së mesmes, sepse parapëlqenim ta thërrisnim me emrin e të jatit, Adil.
Ndoqëm një nga të rinjtë e fshatit, që na shpuri në një shtëpi të ulët, brenda së cilës na priste një mesogrua. Nuk më kujtohet nëse kishte korridor prej nga hymë në dhomën ku do flinim. E zonja e shtëpisë po na tregonte dy shtretët ku do kalonim natën dhe e ngazëllyer fliste për të birin, që ishte ushtar dhe flinte në njërin prej tyre. Ishte e veshur disi në mënyrë të pazakontë, kur e krahasonim me gratë, që shihnim në pazarin e fshatarëve të djelave, ose në aksionet për mbjellje dhe vjelje misri, që kishim bërë shpesh ato vite. Ishte një lloj kombinimi i një veshje tradicionale, me një përparse në blu të errët, që i shkonte deri mbi çorapet e leshta dhe një këmishe të errët me kinda, pak të hapur në qafa. Kishte dëshirë të tregonte për djalin, që mbase kishte muaj pa e parë dhe duke buzëqeshur përmendte shpesh “Shipja, Shipja”, që duhet të ishte shkurtimi i emrit të tij. Shtretërit ishin të drunjtë dhe të mbuluar me disa mbulesa të thurrura në avëlmend prej shiritash të prera nga rroba të vjetra. Në truall nuk kishte gjë të shtruar. Hera e parë, që shikoja një dhomë pa dysheme. E gjithë shtëpia ndoshta ishte e tillë. Me truall të ngjeshur. Muret e shtrembër ishin të lyer me gëlqere dhe e vetmja gjë në to, ishte një portret i madh bardh e zi I Enver Hoxhës, nga ata, që shiteshin në librari, për institucionet. Duket, që mbulonte edhe vrimën e oxhakut të dhomës.
Kishim fjetur edhe herë të tjera fshatrave të Korçës, por atë natë “zbuluam” varfërinë e vërtetë. U shtrimë me gjithë rroba, të dy me Mirin, në krevatin më të gjerë dhe nën kokë vendosëm çantat e shpinës.
Beni, si më trupmadh, fjeti vetë në shtratin e Shipes së shkretë, që kushedi se në ç’pikë të kufirit i “rrihnin barqet”, për të mbrojtur pushtetin e njeriut, që na shikonte nga fleta bardhë e zi, pa kornizë, e mbërthyer në murin e dhomës, për të mbuluar birën e oxhakut.
Të nesërmen, duhet t’ju mbushnim mendjen këtyre fshatarëve të këputur, që ishte mirë, të tufëzonin edhe të paktat dhi që kishin.

Wednesday, 8 March 2017

Arroganca e solli dhunën!

 Sot kanë rrahur Elvin.
E mbaj mend të vogël, si fëmijë “sherret”, që nuk e mblidhnin dot Emili dhe Donika, ndërsa më vonë, nuk kam pasur të bëj me të. Më është bërë qejfi, që merret me median, duke ndjekur gjurmët e Klitos, xhaxhait të tij. Nuk dua të shkoj deri tek Zai, se nuk di se sa përqind e atij personaliteti, të jashtëzakonshëm të botës shqiptare ka tek Elvi.
E kanë rrahur si gazetar.
Si dikë, që nxjerr në dritë të larat dhe të palarat e njerëzve me pushtet.
E kanë rrahur t’i mbyllin gojën, t’i nxjerrin inatin apo edhe t’ju japin shembuj gazetarëve të tjerë. Dikush, që nuk e do, mund të thotë edhe “e rrahën se krruhej shumë!”
Nuk është e para herë që thuhet kjo dhe nuk thuhet vetëm në Shqipëri. E kanë thënë në Rusi, Itali, Greqi dhe në shumë vende të tjera më të përparuara, se për në Azi dhe në Amerikën Latine nuk bëhet fjalë.
Kjo është rrjedhojë e arrogancës së qeverisë edhe po të mos jetë qeveria e implikuar.
Në një vend demokratik, qeveria nuk sillet me arrogancë as ndaj opozitës dhe aq më pak ndaj gazetarëve edhe kur këto palë e kanë gabim.
Këtë e bën sepse është e fortë, është në pushtet dhe kush abuzon me pushtetin nuk qeveris më, por sundon.
Këtë frymë të të fortëve, që “të bëjnë nënën!”, që “të thyejnë kafkën!”, që “të zhdukin nga faqja e dheut!” manifeston tash e katër vjet kjo qeveri. E kanë bërë 8 vjet më parë ata, që sot janë në opozitë. E me rradhë.
Elvin e ka rrahur Rama me Berishën, bile edhe Peleshi me Ridvan Boden, që mund t’i ketë miq.
E kanë rrahur ata që qeverisin keq, sepse arrogance e të korruptuarve shpejt kthehet në dhunë!
Politikanët “e lyer” nuk janë kurrë miq të gazetarëve, përveç në rastet kur duan t’i përdorin. Kur nuk i përdorin dot i kërcënojnë ose i  rrahin. Me duart e vagabondëve.
Shërim të shpejtë Elvi!

Tuesday, 7 March 2017

Ju, mësuesit e dashur të qytetit tim


Ju keni qënë gjithnjë të parët.
Gjithnjë e kini ditur se të nxënët të bën më të fortë se pushka.
Zaten edhe Ushtari i Panjohur i Rilindjes Kombëtare, që duket sikur zbret hijshëm nga Morava, pushkën e mban me kujdesin, që një nxënës do mbante pecen e Gjithëmësonjtores. Sot, trajcën e lëkurtë me kompjuterin brenda.
Eshtë i bukur dhe i mençur Ushtari ynë i Panjohur. Nuk ka egërsi në fytyrëne tij. Duket që dyfekun e ka rrëmbyer vetëm se nuk mund të bënte ndryshe.
Ka qënë edhe ai nxënës i juaj.
Se ju brumosët aq dashuri për shqipen dhe Shqipërinë.
Ju, mësuesit e dashur të qytetit tim.
Në nisje ishit vetëm tre. Pandeli Sotiri, Nuçi Naçi dhe Petro Nini Luarasi.
Më vonë u bëtë shumë. Aq shumë, sa pas dy dhjetvjeçarësh, kishit mësuar me mijra nxënës, që mbushën tejpërtej kodrën e Shën Dëllisë, në të famshmim Miting të Shkronjave.
U shpërndatë në gjithë Shqipërinë për të shpënë dritën e arsimimit, pasi e dinit, që vetëm kështu mund të bëhej Mëmëdheu.
Ju donin dhe ju respektonin të gjithë. Më tregonin, që stërgjyshja ime, edhe pse shumë e moshuar, i ngrihej më këmbë , kur kalonte para derës së shtëpisë, mësuesit Jovan Botka.
Këshut i nderonin të gjithë. Edhe në ditët tona.
Mësuesit ishin njerzit më të nderuar të qytetit, deri sa dalëngadalë, filluan nderoheshin ofiqarët dhe më vonë, politikanët dhe biznesmenët.
Të vegjël shihnim me adhurim Mangalina Treskën, Xhavide dhe Fatime Frashërin, Ollgë dhe Dhimitra Maliqarin, Yrmete Bitinckën, Anthusa Osmanlliun, Niko Strallën, Niko Bellon, Stavri Botkën, Skënder Arrzën, Ligor Serafimin, Mishel Zavalanin, Gaqo Pecin, Fejzi Kolanecin, Ilkë Tilin, Sulejman Kadiun, Zhani Pilikën dhe shumë mësues të tjerë të shkëlqyer, me emrat e të cilëve mund të mbushen faqe të tëra. Fisnikë, që përcollën dashurinë për dijen, të drejtën dhe qytetarinë në mijra korçarë të vegjël e të rinj.
Korça është veç qyteteve të tjera edhe pse të tillë keni qënë ju. Më të veçantët mes të mirëve.
Më të qytetëruarit.
Ndoshta, do rikthehen edhe ditët, kur njerëzit e çdo moshe të përulen sërish para jush.
Ndoshta do marrë kohë, por shpejt të gjithë do kuptojnë se Dija dhe Nderi kanë më shumë vlerë se Paraja.
Dhe këtë më mirë se kushdo do ja u mësoni Ju. Me fjalën dhe me shëmbullin tuaj.
Ju, të mirët mësues të qytetit tim.

Gëzuar Festën!

Monday, 6 March 2017

Arroganca ndjell luftë


Ne kemi këtë qeveri që kemi. E kemi se çdo popull meriton qeverinë që ka.
Ne kemi këtë opozitë që kemi. E kemi të tillë, për arsye të ngjashme me atë të shprehur më sipër.
Eshtë e natyrshme, që opozita të bëjë përpjekje për të rrëzuar qeverinë. Reagimi i parë i qeveritarëve duhet të jetë, që të mendohet se ç’mund të bëhet për t’i dhënë fund paqësisht protestës. Dhe për këtë bëhen deklarata zyrtare, jepen intervista naga eksponentëtë kryesorë dhe punohet edhe me kanale jo publike për të gjetur një kompromis. Kështu veprohet në demokracitë e konsoliduara. Qeveritë mundohen të nxjerrin vendin nga kriza, edhe kur janë të bindura se kriza është e krijuar artificialisht nga opozita apo edhe nga segmentë të tjerë të shoqërisë.
Po ç’po ndodh realisht në Tiranë?
Kreu i maxhorancës, nuk le rast pa qesëndisur opozitën dhe përpjekjet e saj duke dashur të diskretitojë  dhe poshtërojë, kryesisht rivalin e tij në zgjedhjet e ardhshme. 
Në anën tjetër, ngre me veglat e tij, çadra paralele, që organizojnë peticione idiote, për një tërësi ligjesh, që tashmë kanë marrë rrugë thjesht nga angazhimi i shkëlqyer i ambasadorit Lu.
Mediat në krah të tij, nuk lenë rast pa fyer, pa ironizuar dhe pa stigmatizuar Lul Bashën dhe çadrën e tij.
Eshtë shumë e lehtë të jesh arrogant me të dobëtit! Eshtë njëkohësisht poshtërsia më e madhe që ndodh prej mijra vjetësh përreth Mesdheut.
Lulëzim Basha dhe kauza e tij e çadrës nuk janë të fortë.
Ka shumë arsye që e bëjnë të tillë.
Protesta është e vonuar.
Protesta nisi në një moment të studiuar jo mirë.
Protesta ka pak përkrahje nga rinia studentore.
Protesta nuk ka mbajtur larg figura të njollosura që kanë qeverisur më parë.
E megjithatë të protestosh është një e drejtë e shenjtë dhe të protestosh paqësisht është hyjnore.
Dhe Lul Basha po e bën këtë dhe ky është fakti.
Mbi këtë fakt duhet të bazohet reagimi i maxhorancës, për të dhënë një zgjidhje të krizës për hir të Shqipërisë.
Por maxhoranca kujtohet vetëm pas dy javësh të thotë se mund të shtrohemi për bisedime , kur Zgjidhja e Krizës është përgjegjësia e saj . Ndaj kësaj arrogance të pashembullt të Qeverisë, Opozitës i mbeten vetëm dy alternative: Të mbyllë çadrën e me bisht në shalë të hyjë në Parlament, ose të shkallëzojë veprimet. Dhe dihet se ku të shpie shkallëzimi.
Mandati që ka marrë PS-ja 4 vite me parë ka qënë që të qeverisë dhe në qeverisjen e një vendi, detyra e parë është zgjidhja e krizave. Rama nuk ka marrë mandat të bëjë shpotitësin dhe hokatarin dhe të krekoset kur dikush nga jashtë e mbështet.
Situata e sotme në Tiranë do ketë një kosto të madhe politike për aktorët kryesorë. Por kjo kosto nuk duhet të shtrihet në kurriz të shqiptarëve.
Të parët që duhet të tregojnë përulje duhet të jenë qeveritarët, por ata kanë zgjedhur të jenë arrogantë.
Dhe arrogance e pakufi sjell lufë!
Sidomos në viset tona kur njerëzit mund të vriten edhe pse shihen me inat me njëri tjetrin.

Saturday, 4 March 2017

Teshat

Më hiqni teshat tërësisht zyrtare,
Dhe do shihni shajak të shqyer nën to,
Nga ku dallohet,
Më thellë,
Një larushane këmishë cigani,
Për fat të keq jo mbi të lakuriqtin gjoks,
Por mbi një xhamadan të xhinstë,
Kopsitur krejt,
Sipër një të linjte kozaku.
Veshje të gjithshkaje që kam dashur të isha,
Dhe të jem nuk munda.
Mbi trupin e drobitur të endacakut,
Ende valëvitet këmisha,
E asaj dite të largët të pagëzimit,
Kur mëkatarin të vogël trup,
Pasi e lanë,
E mirosën në kisha,
Me shpresë të shkonte drejt shënjtërimit.
Mos më shihni teshat që tash kam trupit puthitur!
Në to,
Eshtë i njëjti fajtor i pafajshëm,
Krejtësisht cullak,
Edhe pse më i rritur,
Që do më shumë se trishtimin,
Në fytyrë të mbajë buzëqeshjen.
Ndaj mos më shihni ashtu si doni,
Por ma çirrni,
Nga supet ma hiqni,
Përfundimisht ma grisni
Veshjen!

Thursday, 2 March 2017

Mos e lejoni Ramën të tallet sërish me ne!



30 muaj më parë, në ekzaltimin e të qënit për një vit kryeministër, Edi Rama, në dy vizita në Korçë, ju bëri një “leksion arti” gjithë korçarëve dhe duke pasur praninë e kamerave edhe gjithë shqiptarëve. Në një përmbledhje ai pak a shumë tha: “Korçës, Parisit të Vogël, ju shtua tani nga ne edhe Kulla Eifel, e cila e solli sheshin me “arkitekturë komuniste” në një shesh modern dhe perëndimor.” Kryeministri ftoi edhe kritikët, të vinin ta shihnin me sytë e tyre, duke hipur në Kullën Eifel, duke zbritur nga Kulla Eiffel dhe duke e parë Korçën në 360 gradë, sikundër nuk e kishin parë kurrë.
Përreth, të mrekulluar miratonin me kokë, një kryetar Bashkie që nuk ka kohë të lexojë libra se e mbytën urdhëresat, një drejtor muzeu, që koleksionon piktura , por nuk ka libra, një prefekt, që më parë me fletët e librave mbështillte sufllaqet që shiste, një doktor që nuk ka në shtëpi asnjë libër mjekësie dhe natyrisht zëvendësi i tij me buzëqeshjen e përhershme në fytyrë.
“Si ja u zuri gojën kritizerëve!”, mendonin të ngazëllyer puthadorësit, por edhe për këtë nuk jam shumë I sigurt, se para Shefit të Gjatë ata nuk janë as në gjendje të mendojnë.
Kulla mbeti në shesh, si monument i Idiotësisë që triumfon mbi Kulturën!
Tani, po përgatitet akti i Dytë i të njëjtës tragjikomedi.
Parisi i Vogël, shpejt do ketë edhe Qendrën e vet Kulturore “Zhorzh Pompidu”. Për ata , që nuk kanë pasur rast ta njohin këtë vepër, krahas fotos, po shtoj edhe që është vepër e dy  arkitektëve nga më të mëdhenj, që ka sot bota: Renco Piano dhe Riçërd Roxhers.
Qendra Kulturore, që do përmbajë librat që i shpëtuan transferimit dhe pikturat e piktorëve korçarë, pa tablotë e vjedhura të Mios, dhe që i përngjan një derri të lerosur, do ngulet bash aty ku ka qënë dikur farmacia Cekani.
Përsëri pritet, gjatë ndërtimit të vijë kryeministri i rizgjedhur, që do ju tregojë korçarëve(dhe gjithë shqiptarëve) se Parisi I Vogël, po plotësohet me të gjithë elementët e tij, dhe se Qendra Kulturore, që nuk është pas asaj të Renco Pianos, do i shtojë Kulturën e Rilindur, qytetit të kulturës, duke hedhur poshtë ato që thonë kritikët, se “Derri i Lerosur” jo vetëm nuk ngjan me Qendër Kulturore, por nuk e ka as vendin aty.
Pranë do ketë buzëqeshjen e përhershme të zëvendësit të tij dhe puthadorët, të cilët do anëtarësohen menjëherë në Bibliotekën e Re.
A do kemi stomah ta gëlltitim edhe këtë rradhë talljen?
Nëse po, atëhere, me të vërtetë jemi parizianë të vegjël!
Parizianë liliputë!