Thursday, 9 March 2017

Ishte mars, 40 vjet me pare


Ishte mars. Nuk kishte si të ishte një tjetër muaj. Në mars fillojnë gjithë marrëzitë. Edhe nismat.
Ata ishin menduar gjatë ditëve të shkurtra të dimrit, ndërsa rrinin kot dhe hargaliseshin në zyrat mbi një dyqan ushqimesh, ku mielli, fasulet, vaji i ullirit, makaronat dhe kafeja jepeshin me listë. Lista e ushqimores ishte një rregjistër i madh me shumë fletë, ku ishin emrat e gjithë kryefamiljarëve të renditur sipas bllokut dhe rrugës. Cdo muaj mund të merrje dy kile miell, një kile fasule, nje shishe vaj ulliri, një pako makarona spageti dhe një “kartushkë“ me kafe. 100 gramshe e pablojtur dhe e papjekur. Ushqimet e tjera nuk kishin kufizim.
Edhe ata vetë, që rrinin në ato zyra, që më parë kishin qënë banesë e një tregëtari, po me listë i merrnin ushqimet. Ndjeheshin më mirë se të tjerët, se ata që quheshin funksionarë nuk kishin ndonjë punë për të bërë, ndërsa ata që punonin nëpër fabrika, shpesh shkëputeshin për të shkuar nëpër mbledhje, konferenca dhe seminare. Ato kohë shkonin edhe nëpër shkollat e mesme për të kontrolluar djemtë që mbanin flokët e gjata dhe vajzat, që kishin rroba të modës. Nuk di se si e quanin veten, mbase shokët e rinisë, se ne, në rrethet e ngushta i quanim komsomolasit.
Herë pas here duhej të ndërmernin nisma, për të treguar që jo vetëm i konspektonin materialet e Partisë, por edhe i zbërthenin dhe i vinin në jetë. Ishin më të shumtit në fund të të njëzetave dhe shpresonin të ndërtonin familje. Sigurisht edhe një karrierë brenda partisë, ku vendet më të lakmueshme ishin ato të instruktorit të Komitetit të Partisë, ku nuk kishe asgjë për të bërë dhe ishe edhe i respektuar në qytet e në fshat. “Kishe në dorë“.
I madhi i tyre, që më parë kishte qënë drejtor i një shkolle të mesme, mëngjesin e nesërm, të ditës që na thanë se do shkonim në Opar, hipi në krye të shkallëve të shkollës dhe mbajti një fjalë të shkurtër, që duhej të ishte mobilizuese. Ishte marsi i vitit 1977 dhe sikundër na tha Sekretari, ne do shkonim si një brigadë luftëtarësh, për të ndihmuar Partinë në një çështje me rëndësi për kooperativat malore. Ishte marrë një vendim për tufëzimin e bagëtive edhe në kooperativat e zonave të thella.
Na qeshej se nuk dinim asgjë se ç’ishte tufëzimi dhe se pse ishte kaq mirë për fshatarët, por na pëlqente të mos bënim shkollë për dy tre ditë, sa ishte planifikuar kjo nismë. Ishim në vitin e tretë të së mesmes dhe mësuesit na thoshin , që ai ishte viti kur gjimnazistët “shkreheshin” më shumë. Ende nuk di nëse kishte lidhjen me një kulmim të hormoneve, se atë kohë askush nuk i zinte në gojë. Mësuesit që na mbanin më pranë, e spjegonin me familjarizimin me të mesmen dhe që ndryshonte më vonë në maturë, pasi të gjithë mobilizoheshin të nxirrnin një mesatare të lartë për të shkuar në universitet.
Në krah të Sekretarit të Parë të BRPSH-së rrinte sekretarja e rinisë e shkollës, një vajzë kokëulur, që gjithashtu nuk dinte asgjë rreth hormoneve, por mësoi më vonë dhe u apasionua ndaj hedonizmit, duke mallkuar ndoshta veten për besimin aq të madh që kishte pasur në normat e moralit komunist. Ishte mars dhe ne nuk ja kishim idenë e hormoneve.
Brigada jonë do “sulmonte” kooperativën e Lekasit, ku duket se punët e tufëzimit nuk po shkonin me ritmet e pritura nga Komiteti i Partisë i rrethit, ndërsa dy brigade të tjera maturantësh, do shkonin në zona të Gorës dhe të Moglicës.
Për fat të mirë ishte futbolli.
Atë pasdite, “Skënderbeu” luante kundër “17 Nëntorit” dhe ndeshja pritej me shumë interes, se që kur ekipi drejtohej nga Aleko Pilika, ishte bërë rival i vërtetë i ekipeve të Tiranës dhe Vllaznisë, që dominonin kampionatin shqiptar. Ndeshjen e pamë në vatrën e kulturës të Lekasit pasi kishim bërë disa orë rrugë më këmbë, por duke qënë të rinj, na dukeshin një shëtitje e bukur mes maleve. Për të ndjerë më shumë çlodhje, Vaskë Thimioja shënoi golin e vetëm të ndeshjes dhe fituam në mes të Tiranës. Mbrëmja erdhi shpejt dhe në errësirë ju ngjitëm të përpjetës të Tudasit, ku do flinim atë natë. Ndoshta na shoqëronte një mësues I histori-gjeografisë, por ato kohë, nuk flitej as për Muzakajt, as për fisnikun Tudor dhe as për kishën shumë të vjetër të fshatit. Historia, që mësonim në të mesme, niste me grupet komuniste dhe mbyllej me Kongresin e 7-të, që kishte zhvilluar punimet disa muaj më parë dhe në zbatim të rezolutave të të cilit, ne, një tufë me tetëmbëdhjetvjeçarë, me hormonet, që na gëlonin, por që nuk dinim asgjë rreth tyre, i ngjiteshim mbrëmjes një të përpjete të fortë në Ostrovicë.
Ishim vërtet të lodhur dhe u ulëm shesh, buzë një hendeku të cekët të rrugës për të pritur ata, që do na shpërndanin në bazat e fjetjes. Ishim shumë djem e vajza, por të ndarë në grupe dyshe dhe treshe sipas shoqërisë më të afërt që kishim. Unë isha me Benin (Kallamatën) dhe Mirin(Shehu), që ato vite të së mesmes, sepse parapëlqenim ta thërrisnim me emrin e të jatit, Adil.
Ndoqëm një nga të rinjtë e fshatit, që na shpuri në një shtëpi të ulët, brenda së cilës na priste një mesogrua. Nuk më kujtohet nëse kishte korridor prej nga hymë në dhomën ku do flinim. E zonja e shtëpisë po na tregonte dy shtretët ku do kalonim natën dhe e ngazëllyer fliste për të birin, që ishte ushtar dhe flinte në njërin prej tyre. Ishte e veshur disi në mënyrë të pazakontë, kur e krahasonim me gratë, që shihnim në pazarin e fshatarëve të djelave, ose në aksionet për mbjellje dhe vjelje misri, që kishim bërë shpesh ato vite. Ishte një lloj kombinimi i një veshje tradicionale, me një përparse në blu të errët, që i shkonte deri mbi çorapet e leshta dhe një këmishe të errët me kinda, pak të hapur në qafa. Kishte dëshirë të tregonte për djalin, që mbase kishte muaj pa e parë dhe duke buzëqeshur përmendte shpesh “Shipja, Shipja”, që duhet të ishte shkurtimi i emrit të tij. Shtretërit ishin të drunjtë dhe të mbuluar me disa mbulesa të thurrura në avëlmend prej shiritash të prera nga rroba të vjetra. Në truall nuk kishte gjë të shtruar. Hera e parë, që shikoja një dhomë pa dysheme. E gjithë shtëpia ndoshta ishte e tillë. Me truall të ngjeshur. Muret e shtrembër ishin të lyer me gëlqere dhe e vetmja gjë në to, ishte një portret i madh bardh e zi I Enver Hoxhës, nga ata, që shiteshin në librari, për institucionet. Duket, që mbulonte edhe vrimën e oxhakut të dhomës.
Kishim fjetur edhe herë të tjera fshatrave të Korçës, por atë natë “zbuluam” varfërinë e vërtetë. U shtrimë me gjithë rroba, të dy me Mirin, në krevatin më të gjerë dhe nën kokë vendosëm çantat e shpinës.
Beni, si më trupmadh, fjeti vetë në shtratin e Shipes së shkretë, që kushedi se në ç’pikë të kufirit i “rrihnin barqet”, për të mbrojtur pushtetin e njeriut, që na shikonte nga fleta bardhë e zi, pa kornizë, e mbërthyer në murin e dhomës, për të mbuluar birën e oxhakut.
Të nesërmen, duhet t’ju mbushnim mendjen këtyre fshatarëve të këputur, që ishte mirë, të tufëzonin edhe të paktat dhi që kishin.

No comments:

Post a Comment