Saturday, 4 March 2017

Teshat

Më hiqni teshat tërësisht zyrtare,
Dhe do shihni shajak të shqyer nën to,
Nga ku dallohet,
Më thellë,
Një larushane këmishë cigani,
Për fat të keq jo mbi të lakuriqtin gjoks,
Por mbi një xhamadan të xhinstë,
Kopsitur krejt,
Sipër një të linjte kozaku.
Veshje të gjithshkaje që kam dashur të isha,
Dhe të jem nuk munda.
Mbi trupin e drobitur të endacakut,
Ende valëvitet këmisha,
E asaj dite të largët të pagëzimit,
Kur mëkatarin të vogël trup,
Pasi e lanë,
E mirosën në kisha,
Me shpresë të shkonte drejt shënjtërimit.
Mos më shihni teshat që tash kam trupit puthitur!
Në to,
Eshtë i njëjti fajtor i pafajshëm,
Krejtësisht cullak,
Edhe pse më i rritur,
Që do më shumë se trishtimin,
Në fytyrë të mbajë buzëqeshjen.
Ndaj mos më shihni ashtu si doni,
Por ma çirrni,
Nga supet ma hiqni,
Përfundimisht ma grisni
Veshjen!

No comments:

Post a Comment