Thursday, 2 March 2017

Mos e lejoni Ramën të tallet sërish me ne!



30 muaj më parë, në ekzaltimin e të qënit për një vit kryeministër, Edi Rama, në dy vizita në Korçë, ju bëri një “leksion arti” gjithë korçarëve dhe duke pasur praninë e kamerave edhe gjithë shqiptarëve. Në një përmbledhje ai pak a shumë tha: “Korçës, Parisit të Vogël, ju shtua tani nga ne edhe Kulla Eifel, e cila e solli sheshin me “arkitekturë komuniste” në një shesh modern dhe perëndimor.” Kryeministri ftoi edhe kritikët, të vinin ta shihnin me sytë e tyre, duke hipur në Kullën Eifel, duke zbritur nga Kulla Eiffel dhe duke e parë Korçën në 360 gradë, sikundër nuk e kishin parë kurrë.
Përreth, të mrekulluar miratonin me kokë, një kryetar Bashkie që nuk ka kohë të lexojë libra se e mbytën urdhëresat, një drejtor muzeu, që koleksionon piktura , por nuk ka libra, një prefekt, që më parë me fletët e librave mbështillte sufllaqet që shiste, një doktor që nuk ka në shtëpi asnjë libër mjekësie dhe natyrisht zëvendësi i tij me buzëqeshjen e përhershme në fytyrë.
“Si ja u zuri gojën kritizerëve!”, mendonin të ngazëllyer puthadorësit, por edhe për këtë nuk jam shumë I sigurt, se para Shefit të Gjatë ata nuk janë as në gjendje të mendojnë.
Kulla mbeti në shesh, si monument i Idiotësisë që triumfon mbi Kulturën!
Tani, po përgatitet akti i Dytë i të njëjtës tragjikomedi.
Parisi i Vogël, shpejt do ketë edhe Qendrën e vet Kulturore “Zhorzh Pompidu”. Për ata , që nuk kanë pasur rast ta njohin këtë vepër, krahas fotos, po shtoj edhe që është vepër e dy  arkitektëve nga më të mëdhenj, që ka sot bota: Renco Piano dhe Riçërd Roxhers.
Qendra Kulturore, që do përmbajë librat që i shpëtuan transferimit dhe pikturat e piktorëve korçarë, pa tablotë e vjedhura të Mios, dhe që i përngjan një derri të lerosur, do ngulet bash aty ku ka qënë dikur farmacia Cekani.
Përsëri pritet, gjatë ndërtimit të vijë kryeministri i rizgjedhur, që do ju tregojë korçarëve(dhe gjithë shqiptarëve) se Parisi I Vogël, po plotësohet me të gjithë elementët e tij, dhe se Qendra Kulturore, që nuk është pas asaj të Renco Pianos, do i shtojë Kulturën e Rilindur, qytetit të kulturës, duke hedhur poshtë ato që thonë kritikët, se “Derri i Lerosur” jo vetëm nuk ngjan me Qendër Kulturore, por nuk e ka as vendin aty.
Pranë do ketë buzëqeshjen e përhershme të zëvendësit të tij dhe puthadorët, të cilët do anëtarësohen menjëherë në Bibliotekën e Re.
A do kemi stomah ta gëlltitim edhe këtë rradhë talljen?
Nëse po, atëhere, me të vërtetë jemi parizianë të vegjël!
Parizianë liliputë!


 
 
 


No comments:

Post a Comment