Gjithnjë e kini ditur se të nxënët të bën më të fortë se
pushka.
Zaten edhe Ushtari i Panjohur i Rilindjes Kombëtare, që
duket sikur zbret hijshëm nga Morava , pushkën
e mban me kujdesin, që një nxënës do mbante pecen e Gjithëmësonjtores. Sot,
trajcën e lëkurtë me kompjuterin brenda.
Eshtë i bukur dhe i mençur Ushtari ynë i Panjohur. Nuk ka egërsi
në fytyrëne tij. Duket që dyfekun e ka rrëmbyer vetëm se nuk mund të bënte
ndryshe.
Ka qënë edhe ai nxënës i juaj.
Se ju brumosët aq dashuri për shqipen dhe Shqipërinë.
Ju, mësuesit e dashur të qytetit tim.
Në nisje ishit vetëm tre. Pandeli Sotiri, Nuçi Naçi dhe
Petro Nini Luarasi.
Më vonë u bëtë shumë. Aq shumë, sa pas dy dhjetvjeçarësh,
kishit mësuar me mijra nxënës, që mbushën tejpërtej kodrën e Shën Dëllisë, në të
famshmim Miting të Shkronjave.
U shpërndatë në gjithë Shqipërinë për të shpënë dritën e
arsimimit, pasi e dinit, që vetëm kështu mund të bëhej Mëmëdheu.
Ju donin dhe ju respektonin të gjithë. Më tregonin, që stërgjyshja
ime, edhe pse shumë e moshuar, i ngrihej më këmbë , kur kalonte para derës së
shtëpisë, mësuesit Jovan Botka.
Këshut i nderonin të gjithë. Edhe në ditët tona.
Mësuesit ishin njerzit më të nderuar të qytetit, deri sa dalëngadalë,
filluan nderoheshin ofiqarët dhe më vonë, politikanët dhe biznesmenët.
Të vegjël shihnim me adhurim Mangalina Treskën, Xhavide dhe
Fatime Frashërin, Ollgë dhe Dhimitra Maliqarin, Yrmete Bitinckën, Anthusa
Osmanlliun, Niko Strallën, Niko Bellon, Stavri Botkën, Skënder Arrzën, Ligor
Serafimin, Mishel Zavalanin, Gaqo Pecin, Fejzi Kolanecin, Ilkë Tilin, Sulejman
Kadiun, Zhani Pilikën dhe shumë mësues të tjerë të shkëlqyer, me emrat e të cilëve
mund të mbushen faqe të tëra. Fisnikë, që përcollën dashurinë për dijen, të
drejtën dhe qytetarinë në mijra korçarë të vegjël e të rinj.
Korça është veç qyteteve të tjera edhe pse të tillë keni qënë
ju. Më të veçantët mes të mirëve.
Më të qytetëruarit.
Ndoshta, do rikthehen edhe ditët, kur njerëzit e çdo moshe të
përulen sërish para jush.
Ndoshta do marrë kohë, por shpejt të gjithë do kuptojnë se
Dija dhe Nderi kanë më shumë vlerë se Paraja.
Dhe këtë më mirë se kushdo do ja u mësoni Ju. Me fjalën dhe
me shëmbullin tuaj.
Ju, të mirët mësues të qytetit tim.
Gëzuar Festën!
No comments:
Post a Comment