Wednesday, 8 March 2017

Arroganca e solli dhunën!

 Sot kanë rrahur Elvin.
E mbaj mend të vogël, si fëmijë “sherret”, që nuk e mblidhnin dot Emili dhe Donika, ndërsa më vonë, nuk kam pasur të bëj me të. Më është bërë qejfi, që merret me median, duke ndjekur gjurmët e Klitos, xhaxhait të tij. Nuk dua të shkoj deri tek Zai, se nuk di se sa përqind e atij personaliteti, të jashtëzakonshëm të botës shqiptare ka tek Elvi.
E kanë rrahur si gazetar.
Si dikë, që nxjerr në dritë të larat dhe të palarat e njerëzve me pushtet.
E kanë rrahur t’i mbyllin gojën, t’i nxjerrin inatin apo edhe t’ju japin shembuj gazetarëve të tjerë. Dikush, që nuk e do, mund të thotë edhe “e rrahën se krruhej shumë!”
Nuk është e para herë që thuhet kjo dhe nuk thuhet vetëm në Shqipëri. E kanë thënë në Rusi, Itali, Greqi dhe në shumë vende të tjera më të përparuara, se për në Azi dhe në Amerikën Latine nuk bëhet fjalë.
Kjo është rrjedhojë e arrogancës së qeverisë edhe po të mos jetë qeveria e implikuar.
Në një vend demokratik, qeveria nuk sillet me arrogancë as ndaj opozitës dhe aq më pak ndaj gazetarëve edhe kur këto palë e kanë gabim.
Këtë e bën sepse është e fortë, është në pushtet dhe kush abuzon me pushtetin nuk qeveris më, por sundon.
Këtë frymë të të fortëve, që “të bëjnë nënën!”, që “të thyejnë kafkën!”, që “të zhdukin nga faqja e dheut!” manifeston tash e katër vjet kjo qeveri. E kanë bërë 8 vjet më parë ata, që sot janë në opozitë. E me rradhë.
Elvin e ka rrahur Rama me Berishën, bile edhe Peleshi me Ridvan Boden, që mund t’i ketë miq.
E kanë rrahur ata që qeverisin keq, sepse arrogance e të korruptuarve shpejt kthehet në dhunë!
Politikanët “e lyer” nuk janë kurrë miq të gazetarëve, përveç në rastet kur duan t’i përdorin. Kur nuk i përdorin dot i kërcënojnë ose i  rrahin. Me duart e vagabondëve.
Shërim të shpejtë Elvi!

No comments:

Post a Comment