Saturday, 8 February 2014

Liria dhe Barazia (2)

(vijim)
Edhe pse kam qënë që në vegjëli kundër shkallëve të shoqërisë, kundër të fuqishmëve, kundër abuzuesve, kundër autoriteteve, nuk mund të them edhe sot se jam një "barazitist" i kulluar. Duke qënë një qënie egoiste, edhe unë ndonëse mendoj dhe dua një "Eden" me njerëz të nginjur, të lumtur e të barabartë, thellë mendjes kam idenë e një "shkallëzimi" në varësi të "koefiçientit IQ". Ideja është thjesht "interesaxheshë" dhe unë dua të vrapoj larg saj, sepse e di që e kam se ndjehem me një IQ mbi mesataren. Nuk them as se "elitarët" duhet të punojnë më pak e të marrin një pjesë më të madhe kur të ndahen të mirat, porse në "supertryezën e Rrumbullakët" duhet të kenë të drejtën e një fjale më shumë. Dhe kjo nuk është më BARAZI! Eshtë e njëjtë me një shoqëri të strukturuar mbi epërinë e forcës fizike, epërinë financiare apo atë të bukurisë ose kombinimit të tyre. Njerëzit duhet të jenë të barabartë në vetë ekzistencën e tyre dhe të Lirë! Në këtë lëvizje kaotike idesh, dëshirash, interesash, parimesh, njerëzit duhet të ndjehen zotër dhe shërbëtorë njëkohësisht, të vlerësuar e vlerësues, të dashuruar me jetën dhe me atë që duan. Ata që ndjejnë se kanë një koefiçient më të lartë IQ duhet të jenë nxitësit e të mirës e të bukurës, rregullatorët e krizave shpirtërore të të tjerëve, kontribues të ndriçimit nëse vërtet kanë vetë një të tillë. Nuk ka rëndësi në janë pastorë, shkrimtarë, shëronjës, zjarrfiksa apo këngëtarë.

"Endrra në diell"- dëgjohet të thotë njëri nga miqtë e mi. PO! E di edhe vetë që shoh të tilla me syhapur, por ka diçka ose shumëçka që nuk shkon në këtë botë , që më bën mua e shumë të tjerë të shohim "ëndrra në diell". Unë nuk mund të uroj vetëm, që fëmijët e mij të jetojnë mirë në një vend me mirëqënie dhe njëfarë lirie. Jo se jam shumë shumë shpirtmadh, por se e di që edhe liria e tyre është e cënuar, nëse nuk ka Liri dhe Barazi për të gjithë. Dhe kjo nuk është retorikë boshe nga ato që dëgjon në fjalimet e Obamas. Eshtë një bindje e imja pasi shoh se ç'ka ndodhur në botën njerëzore 150 vitet e fundit.

Periudha e zhvillimit të rrufeshëm pas dekadave të hapave gjigand të shkencës e mendimit si dhe e zbulimit të aplikimeve të Naftës, solli një rritje të paparë të popullsisë së Botës. Solli teknologji dhe luftra, përmirësim të dukshëm të jetesës dhe asgjesime në masë, jetë të kulturuar për shumicën por edhe stres të tmerrshëm për të gjithë. Asnjë krahasim nuk ka jeta e sotme në Amerikë, Europë, Azinë e zhvilluar me atë të 70 viteve më parë në këto vende. Prirja është për më tepër ndryshime pozitive dhe po aq negative. Ku po shkojmë?

Askush nuk mund të bëjë parashikime të sakta sepse historia nuk ka shembuj të ngjashëm. Popullsia në botë është 7 fishuar në një shkekull të vetëm, mesatarja e jetës është trefishuar dhe kërkesat për burime materiale për një individ të vetëm janë shumëfishuar. Pra nëse bëjmë fjalë për Barazi, duhet që 10 miliard njerëz të kenë të paktën standartin mesatar të jetesës të një njeriu që jeton sot të themi në Rumani. Më shumë është e pamundur. (Edhe kjo përbën një problem më vete, se milionat që jetojnë sot në një standart më të lartë, por le të themi se "ndriçimi" i tyre do sjellë një tërheqje nga "lakmia" dhe do fillojnë të jetojnë më thjesht.)

Kuptimi i të "jetuarit më thjesht" ze fill me mënyrën se si e kanë parë jetesën tradicionalisht indigjenët e pazhvilluar dhe inteligjentët e ndriçuar. Më pak punë, më pak stres, më pak lakmi, më pak të mira materiale dhe më shumë gëzim, art dhe sport e sidomos më shumë jetë në harmoni me natyrën. Sigurisht, koncepti im për Lirinë e pacak, kërkon të mos detyrojë të gjithë të jetojnë në këtë mënyrë. Të lirë të jenë edhe ata që gjejnë gëzimin në puna, në grumbullimi i floririt apo veprave të Pikasos, në ndrimin e shtretërve, në udhëtimet e pafundme në botë, në lutjet gjithëditore në tempuj, në gjuetinë e balenave.
(vijon)

 

Friday, 7 February 2014

Në vazhdim të shkrimit Ign, Ign, Ign.

Shkrimi i lartpërmendur u bë për FB dhe u postua atje në një kohë shumë të papërshtatshme. Ishte “Xmas season” kur njeriu duhet të jetë më bujar dhe dashamirës. Unë jo vetëm shdëfreva ndaj professor Strallës, por edhe ndaj gjithë Elitës Intelektuale shqiptare. Pa arsye! Thjesht se jashtë binte shi atë të shtunë dhe nuk kisha para që diku të shkoja! Klodi u përgjigj megjithatë me elegancë dhe më shtoi ndienjën e mërisë ndaj vetes. Grindavec I pandreqshëm!- do e quaja veten, ndërsa avokati im, që tashmë të gjithë e dinë se ka qënë në Berlin, për të mos më shkurajuar do thoshte ;”Je një Konicë i vogël!” E megjithatë, unë vetëm disa ditë u bëra si ai i shprehjes së famshme të Skënder Luarasit në një konferencë në prani të Nexhmijes”Sot do bëhem si ai qingji i butë që pi dy nëna!” Vazhdova të sulmoj majtas e djathtas, deri sa u lodha nga “gërrmërrizmi im” dhe ju drejtova qoshes ku mund të shaj me zë të lartë dhe askush të mos dëgjojë. Po nuk të lenë djajtë të shenjtërosh! Herë herë mar mesazhe në FB dhe detyrohem të hyj e të hedh një sy të shpejtë. Edhe pse nuk më interesojnë më Stralla dhe turma e tij, kur shoh ndonjë "like" nga Riku e Beni në shkrimet e tij, hedh një sy të shpejtë. Së fundi Klodi kishte shkruar rreth dobisë së Kulturës në raport me Politikën. Temë e bukur dhe gjithnjë e duartrokitur, sepse edhe vetë politikanët I japin përparësi Kulturës edhe pse nuk sjell pushtet dhe para. “S’ka si Kultura!”... Stralla ju bënte thirrje edhe kritizerëve të “Diasporës” të konribuojnë në rritjen e Kulturës e jo të jenë Hipokritë e shajnë Mëmëdheksat për korrupsion e nepotizëm. Edhe pse nuk i lexova komentet, ma mori mendja se ishin si gjithmonë dashamirëse, sepse Stralla kishte vënë edhe Dashamirësinë si pjesë me rëndësi të Kulturës. Në to mungonte komenti i Ballist-Botuesit Cako, se ndoshta nuk është tolerant sa duhet dhe ndjehej i prekur, pasi Stralla kisht evënë edhe Tolerancën si pjesë me rëndësi të Kulturës. Me korin e Galave ishin bashkuar edhe të rinj të Diasporës, që ndjenin se përkufizimi i Kulturës me komponentët e Rinj, ishte gjëja më e rëndësishme e shkrimit. Disa syresh e kishin përkthyer edhe në tre gjuhët më të njohura në Botë, për ta bërë “available” për të huajt që kërkojnë Kulturë dhe nuk njohin përbërësit. E unë ju ktheva shkrimit tim të hidhur për injorantët dhe pashë se sa larg jam nga Kultura. I dëshpëruar mendova që nuk mund të bëhem kurrë me Kulturë, se nuk mund të jem dashamirës ndaj dikujt që ka firmuar listat e Internimit të Familjeve në rrethin e Korçës. I trishtuar mendova që do mbetem në të njëjtën gjendje pagdhendurie, se nuk mund të toleroj një ish-deputet, I cili ka bërë tërë poshtërsitë që përmban Kodi penal, por nuk është dënuar. Duke dënesur mendova që do përbuzem nga të gjithë të Kulturuarit, se nuk mund të rri pa ja përplasur në fytyrë, një ish drejtori Banke, që pasi ka shitur prindërit e fëmijët shet edhe moral në FB. Ja pse jam unë ai që meriton shkallën sipërore – Ignorantum!

Thursday, 6 February 2014

Adio Vaçe!

Kisha në mendje të postoja pjesën 4 të Demokratiksave, kur mora një mesazh për largimin e Vaçes. Nuk mund të mendoja tjetër edhe pse kishte kohë që pritej. Duhet të dilja edhe unë ta përcillja këngëtaren tonë më të madhe. Mbase duke kënduar “Gjyshes sime”, se Vaçja tani ishte gjyshe dhe drejt asaj moshe do jem edhe vetë pas disa vitesh. Vaçja ishte figura që ka dominuar fëmijërinë e brezit tim dhe më pas edhe rininë tonë. Ishte më e madhja dhe më e dashura, po ashtu si Italianët kishin Minan, francezët Dalidan dhe grekët Marinelan. Ishte Diva jonë, e pakrahasueshme brenda kufijve dhe ndoshta ndër më të mirat në Europën e viteve ’60-’70. Vaçja jonë kishte nisur shumë e re të ‘sundonte” me zërin e saj muzikën e lehtë shqiptare, deri në atë kohë jo shumë e zhvilluar dhe ku mbizotëronin këngët melankolike të duetit Anida Take-Pavlina Nikaj. Zëri i Vaçes dhe sigurisht kompozimet e të diplomuarve jashtë Shqipërisë sollën një këngë të re, të ngjashme me atë botërore në vitet ’60. Censura nuk ishte shumë e fuqishme dhe Udhëheqësi nuk kisht efilluar të trembej nga të huajt apo suksesi I artistëve. Flitej që edhe vetë I kishte thënë të ndjerit Panajot Pano “Ti dhe Vaçja ini dy njerëzit më të famshëm në Shqipëri!” Dhe vërtet të gjithë e donin artisten e madhe të këngës sonë të lehtë. Në dhjetë vitet e para të karrierës së saj, në repertory nuk kishte as këngë për Partinë. Vaçja I këndonte valsit të lumturisë, fëmijës së parë, mesnatës, shiut pik-pik bile edhe Lemzës. Kur vinte në Korçë Estrada e Tiranës, dyert shkallmoheshin nga njerëzit që donin të dëgjonin fenomenin e këngës tonë në skenë. Ishte vështirë për ne fëmijët ta shihnim kur hynte e dilte në Hotelin ngjitur, se kaq e jashtëzakonshme ishte fama e saj. E njëjtë me atë të artistëve më të mëdhenj në botë. Më vonë erdhi martesa e saj, e komentuar në gjithë qytetet, konsolidimi I teknikës dhe njëkohësisht dinjiteti I saj përballë edhe më të fuqishmëve. Flitej një natë kishte lënë edhe Pallatin e Brigadave pa kënduar sepse dikush nga të protokollit I kishte thënë diçka. Mund të shkruaj pa fund unë, që kam qënë një fëmijë i mrekulluar pas zërit të saj, por që nuk e kam njohur kurrë. Sa mund të thonë ata që kanë ndenjur pranë saj në vite. Për Vaçen tonë. Tani që po e përcjellim. Tani që kemi dalë të gjithë rrugëve të kësaj bote abstrakte për të duartrokitur për herë të fundit, ndërsa trupi I saj ka humbur përfundimisht aftësinë për të nxjerrë tinguj të magjishëm. Adio Vaçe! Ke mbushur jetën tonë në vite jo të lehta! Adio!

Liria dhe Barazia


Po shkruaj disarrjeshta rreth këtyre nocioneve shumë të rëndësishëm për mua dhe për gjithë ata që i duan. Për to janë shkruar vëllime nga njerëz me "qypin plot", por unë nuk dua të përsërit ç'kanë thënë të tjerët, qoftë edhe e th[n[ në mënyrë të përkryer. Dhe jo se më pëlqen mendja, por se nuk e kam gjetur kurrë të dobishme për kënd të përsërisë ato që kanë thënë të tjerët. Ndoshta edhe këto që po "sërit" më poshtë, mund të jenë pjesë e ndonjë vëllimi, që e kam lexuar edhe unë dikur dhe kanë mbetur qosheve të trurit e tani më duken si timet. Por "what the hell!", ka mijra vjet, që përsëriten pa dashje e me dashje ato që  dinin Sokrati me Platonin dhe dymijë vjet, që thuhen pafundësisht ato që ndjente Jezui.

Unë besoj në një shoqëri njerëzore e ndryshme nga kjo që jetoj sot.

Nuk e kam vrarë mendjen për ta "strukturuar", sepse jo vetëm më mungon imagjinata(e cila bazohet mbi njohjen e çështjeve), por edhe pse nuk dua të bie në "sevda" me një projekt utopik, kur di që me të do qeshë i pari nga miqtë e mij, që do ket[ rastin ta dëgjojë. E megjithatë, e pyes shpesh veten si do ishte bota(shoqëria njerëzore) ideale për mua? Në këtë hulli jam rrotulluar kur shkruaja "A duhet të jemi Minimalistë?"(që si shumë shkrime të mia ka mbetur në mes).

Këtu dua të prek më tepër raportet mes individëve ose midis individit dhe bashkësisë. Idea ime prej "të lajthituri" është disi jo pranë me "Imagine" të Xhonit. Ka shumë "komunizëm" në atë këngë. Nuk i trembem komunizmit, por m[ tep[r se është utopik si ide, më duket se injoron totalisht natyrën e njeriut, pa përmendur historinë e evolucionit të tij. Tek Lenon vërtet është e pranueshme idea e mungesës së "gjerdheve" por shkelmohen edhe fetë, edhe dëshira për tu sakrifikuar për diçka, duke ndjellë k[shtu një lloj ideje "totalitare", ku njerëzit do mendojnë e do ndjejnë njëlloj. Sigurisht unë nuk pëlqej që njerëzit të sakrifikohen për 'flamur" apo për "ide", por mund të vetëflijohen për një qënie tjetër të pambrojtur. Do ketë edhe në botën e Lenonit zjarre, përmbytje, katastrofa ajrore, epidemi, tërmete etj etj. Ai i rëndon idesë së Vëllazërimit, por mua më duket se kjo bie pak ndesh me dy përbërësit e tjerë të parrullës së famshme të Revolucionit Francez.

Njerëzit mund të jenë të barabartë dhe të lirë por jo në vëllazëri të plotë. Ideja e kësaj të fundit është pikërisht në kundërshtim me dy të tjerat, në botën që mendoj unë. Nuk mund të jem plotësisht i lirë nëse jam pjesë e një Vëllazërimi. C'është ky shoqërizim? Kundër kujt? Natyrës, Perëndisë apo qënieve të tjera?

Njerëzit nuk mund dhe nuk duhet të uniformizohen as sipas Marksit e Lenonit dhe askujt tjetër! Njerëzit duhet të jenë të lirë të jetojnë jetën e tyre si duan. Sigurisht, pa cënuar lirinë e tjetrit, mjedisin, trashëgimninë e përbashkët. Duke respektuar një marëveshje të Gjithësishme Botërore.

"Porrdhë me rigon" do thotë avokati im , që nuk gjeti një gjykatës të saktë as në Berlin, por unë kam të drejtë të bëj"porrdhë " jo vetëm mendjen time, por dhe të atyre dy-tre miqve që kanë durim të lexojnë shkrimet në blog. Një Marrëveshje e Gjithësishme nuk është krejtësisht e pamundur. Shekujt e kanë treguar. Por kushti i parë për të shkuar tek ajo është Barazia e qenieve njerëzore. (Një fjalë goje!)
 
(vijon)

Tuesday, 4 February 2014

Demokratët (3)


Filluan përgatittjet për zgjedhjet e para shumëpartish dhe edhe pse nën tension, kishim shumë shpresë, që Demokratët do fitonin. Dyshja Berisha-Pashko nuk kishte dhënë për ne “të provincës” ndonjë shenjë rivaliteti të hapur dhe takimet me kandidatët e opozitës së posaformuar në Korçë kasha dëgjuar që kishin qënë mbresëlënëse. Nuk shkova as në të vetmin, që do doja, me Petraq Kolevicën në Pallatin e Kulturës se s'kishte ku të hidhje mollën. Ato ditë, Pirro Thomoja ishte duke bërë takimet në zonën e Liqenasit, ku e kishin vënë kandidat dhe u takuam një drekë për të biseduar rreth gjendjes. Kisha besim në gjykimin e tij të situatës, sepse jo vetëm kur isha student dhe gjatë diplomës, por edhe më vonë e kisha pare, që ishte i saktë dhe nuk fluturonte. Mora atë ditë dhe Gjergji Skënderin, me të cilin kisha disa vjet që e besoja dhe flisnim për politikë. Pirrua ishte shumë entuziast. Takimet i kishin shkuar shumë mirë dhe e kishte gati të sigurt fitoren ndaj kandidatit socialist "shule", të cilin tani nuk e kujtoj se cili ishte. Na tregoi më gjatë rreth "hyrjes në valle", mungesës së kohës për të përgatitur gjërat dhe garancisë në ardhjen e një Qeverie Demokrate në pushtet. Ne e pyesnim dhe besonim se gjërat ishin në rrugë të mbarë. Jo vetëm në qytete, por edhe në shumë zona "rurale" si Zvezda apo Devolli i Sipërm, Demokratët kishin mbështetjen totale të popullsisë. Problem mund të përbënin vetëm dy zona të thella malore, por përsëri, fitorja në Korçë do ishte me diferencë. Gjatë drekës u dhanë edhe Selami me Rulin, që do hanin drekë me në shpurë tjetër. Na takuan dhe sërish më bëri përshtypje sjellja prej inteligjenti e Rulit. "Hunda" edhe pse jo i pashëm, ishte karizmatik të paktën për ne, ndërsa tjetri mu duk një kastravec i fryrë kot. Megjithatë, e dija që shpesh gaboja në përcaktimet e njerëzve pas vetëm një ose dy takimesh. Selami që kisha takuar në një dhomë konvikti më 1987, ishte një "zog i sadalë nga veza", pedagog i ri nga Librazhdi për Estetikë. Tani mundohej të linte përshtypjen e një sociologu të sprovuar, që përgatitej të ndrronte rrjedhën e fatit të Atdheut. Ishte e gjithë atmosfera, së bashku me shpejtësinë e rrokullisjes së ngjarjeve që i bënte ndoshta të kishin euforinë e atyre, që sa kanë prekur vende të ndaluara edhe për ëndrrat e tyre.
Euforia dhe mungesa e experiences për të kontrolluar "batakçinjtë" e Komiteteve Ekzekutive, ju kushtoi Demokratëve zgjedhjet e atij viti. Ndoshta rezultati nuk do kishte qënë me diferencë, si ndodhi marsin e një viti më pas, por do kishte qënë i afërt e do sillte menjëherë zgjedhje të reja. Punistët i vodhën zgjedhjet e para shumëpartish. Nuk di pse kishte një lloj shdëfrimi atë ditë  të paszgjedhjeve, tek njerëz , të cilët nuk i mendoja të tillë. Ndërsa ngjitja shkallët e pallatit ku banoja, dy gra, që dukej se përgojonin Demokratiksat, ndaluan bisedën kur kalova pranë tyre dhe pasi i përshëndeta i thanë njëra tjetrës: "Fitoi Partia jonë, ajo ka rëndësi!" Mendova me vete "ah të gjorat ju!" sepse e dija që vinin nga familje, të cilave "Partia" ju kishte marrë shumë gjëra në fillim dhe ju kishte ndrruar rrjedhën e jetës. Lajmet ishin tronditëse për Shkodrën. U vranë 4 vetë dhe ndodhi bastisja e Komitetit të Partisë. Tashmë dukej se "lapangjozët" mezi kishin pritur të "legalizoheshin" me votë dhe do përgjigjeshin edhe me hekur. Reagimi i shkodranëve ishte model dhe atij shpërthimi, më tepër se Lëvizjes Studentore, do i vija meritën për largimin e Punistëve nga pushteti. Një i afërm, që kishte qënë bashkë me shumë gjimnazistë i ulur në shesh për të protestuar, më tregonte plot emocione reagimin e vajzave dhe djemve gjimnazistë, që nuk patën pyetur as për snaiperat e jo më për shkopinjtë e gomës. Në Tiranë, Korçë e Vlorë nuk pati kurrë një gjë të tillë.
Pas dy muajsh përpëlitjesh për dorheqje të Nanos, më në fund në Qershor u formua Qeveria e Stabilitetit. Demokratët do drejtonin vendin edhe pse së bashku me punistët e fundit. Në kabinetin e ri tashmë do ishin edhe Pashko, Ruli, Uka, Zogaj, Mysliu e ndonjë demokrat tjetër. Dikasteret që kishin marë gjithashtu nuk ishin të dorës së dytë. Qeveria e Stabilitetit në javët e para, më la shijen e hidhur të një lëshimi të madh ndaj "masakruesve" të vendit. Pashkoja, që ndjehej "kryeqeveritar" edhe pse kryeministër ishte Bufi, fluturonte me deklarata boshe dhe një vetbesim të tepruar prej amatori. Nga Tirana më kishin ardhur zëra për korrupsion të ministrave të opozitës, ndaj mendoja që ajo Qeveri nuk ishte gjë tjetër veç një "jastëk mbrojtës" ndaj bllokmenëve dhe kriminelëve të tjerë. Në qytet dëgjoheshin të tjera muhabete për "dallavera" të Kryetarit Demokrat me Shefin e Policisë Punist, gjë për të cilën nuk kisha ndonjë hamëndje nëse ishte e vërtetë, se dyshoja që inxhinieri i Djathtë mund të kishte qënë nga ata "ndjekësit e turistëve" në gjimnaz e më vonë. Në Gusht ndodhi edhe një ngjarje në Arenën Ndërkombëtare, për të cilën sot flitet pak kur kujtohen vitet e para të ndryshimit tek ne. Puçi njëjavor ndaj Gorbaçovit i ekzaltoi më të fëlliqurit e punistëve në Shqipëri. Vetë u trondita dhe mendova se kaq e pati jo vetëm ndryshimi i brishtë në jetën tonë, por në shumicën e Europës Lindore. Nuk e njihja mirë perandorinë ruse dhe dukej se edhe ata që duhet ta njihnin(Perëndimorët), ishin befasuar nga lëvizja e konservatorëve. Për më tepër, gjysma e zyrave në Europë, për mos thënë më tepër, gjatë gushtit janë të mbyllura. Për fat të mirë të të gjithë atyre që patën jetuar nën diktaturat e majta puçi dështoi. Shtatori i gjeti Stabilitiksat në veprimtari të plotë për "të shpëtuar vendin". Edhe pse dihej se ç'bënin, sërish jam habitur , kur para disa vjetëve një miku im i mirë, më tregonte se si ishin lëshuar për para, që sa hynë nëpër zyra, Stabilitiksat e djathtë në Korçë. Nuk di se kush e përcolli aq shpejt në shumë individë, atë frymë të fëlliqur "zarbash". Dukej një periudhë që duhej të ishte e mbushur me idealizëm, se posa ishin zhytur në baltë ishujt e rremë të deriatëhershëm. E vërteta për fat të keq nuk ishte e tillë.
(vijon)

Saturday, 1 February 2014

Kur e nxjerr koburen...(2)

(vijim)
Nuk di si duhet te jete nje parathenie e "nivelit". Nuk kam shkruar kurre te tille, spse askush ma ka kerkuar, ndaj nuk e kam vrare mendjen. Kur fillova te shijoja te lexuarin, paratheniet nuk i lexoja kurre, se isha i paduruar te "kerceja" ne ngjarjet e librit dhe pak me behej vone per autorin apo per njerezit e mencur, qe vleresonin artin e tij.  Kishte raste, qe i lexoja pas perfundimit te librit, nese "parathenesi" ishte njeri i njohur i letrave. Me vone nisa t'i lexoj dhe kishte prej tyre qe te "ndiznin" deshiren e leximit te gjithe "materialit". Te tjera te linin nje shije te athet dhe pas dy tre faqeve te para, libri perfundonte 4-5 dite ne dysheme, per tu vendosur me vone pergjithnje ne nje raft. Kam lexuar edhe dy parathenie me te bukura se vete librat, por nuk dua te ndalem gjate ne to. Ndoshta rasti do e sjelle tjeter here.
Parathenien e Benit, e lexova shume kohe pasi pata lexuar novelen e Kadarese. Nuk jam i sigurt nese ai i ka bere edhe kthimin ne anglisht te vepres, por kjo as ngre as ul ne ate per te cilen po shkruaj. Novela u botua ne periudhen e fundit "kadareiane", kur ai ishte plotesisht I konsoliduar, por edhe kur lexuesit kishin filluar te tejngopeshin nga menyra e tij e te shkruarit. Jo vetem qe edhe ne ne ndonje material satiric ne tv, flitej alla-Kadare, por ne rrethe dashamiresish, kishte edhe mendime qe po I afrohej fundi krijimtarise se tij dhe nuk te befasonte me.
Me Benin kete ide e kishim heret, para 1986, kur u botua "Viti i Mbrapshte". Me '81-'82 kur ishim student, shpesh talleshim me frazat e strerperdorura te tij te "ose,ose" apo "njekohesisht ajo dhe e kunderta e saj" etj etj qe ishin pjese e botes se tij letrare(dhe jo te ajsbergut, si e cileson ai ne parathenie). Duhet te kete qene pranvera e '82-shit, kur Titoja mbeti per nje kohe te gjate ne koma dhe po behej qesharake vazhdimesia e buletineve mjekesore te kanaleve jugosllave, Ne nje nga ato mbremje, duke u vertitur neper Tirane, ne gajaseshim duke komentuar gjendjen e Titos ne menyren aja-Kadare. Nuk e them per te nenvizuar lodhjen tone nga stili i Ismailit, por per te thene, "risite" e tij ne Letersine Shqiptare kishin mare fund me Gjeneralin, Perse mendohen keto male dhe Kronike ne Gur. Veprat e tjera kishin pjese me nivel te mire, por nuk po kaperxenin me nivelet e meparshme te tij.
Beni hidhet tani e thurr lavde per thellesine e mendimit te Kadarese, guximin e tij prej gjeniu, edukimin e brezave me menyren europiane te te menduarit ndryshe e plot e plot ditirambe te tjera. C'fare ka kuptuar tani qe nuk e dinte atehere, ose c'ka harruar tani qe e dinte atehere?
(vijon)

Po e nxorre koburen...

Kërcënimi pa ndjekje jo vetëm nuk vlen asnjë grosh, po të diskretiton edhe në rrethet e kërcënuesve profesionistë apo edhe të të kërcënuarve amatorë. Dje afati mbaroi, shkrimi vazhdonte të valavitej jo vetëm në Veprën XII(Me material rreth 5-vjeçarit të tretë), por edhe në FB-në e këtij shekulli. Edhe këshilla e autorit për një relaksim total nuk ndikoi, se jo vetëm pashë të shtoheshin "lajkat", por nuk kishte asnjë reagim as nga avokati im, I cili dikur vizitoi Berlinin, për të gjetur një gjykatës të saktë. Mbajta fjalën për FB "mosshkrim" edhe pse mund të akuzohem se vetëm përgjoj në atë perandori jo-orvelliane. Në FB do fërkonin barkun shumë dashamirës të sherreve të mija.
Kur kërcënova, nuk e dija historinë e shkrimit dhe as vlerën e tij parathënëse. Nuk di as historinë para-parathënëse. Vetëm kujtoj se më 1998, kur e kam pyetur autorin nëse kishte pasur ndonjë rast të pinte kafe me Is, mu përgjigj me përçmim "as më ka interesuar të pinja kafe me të". Unë pata mbledhur supet, sepse edhe sot me shumë dëshirë do rrija të pija një kafe dhe vetëm të dëgjoja pa e ndërprerë ligjëratën(jo të zhdërvjelltë) të Is. Edhe pse sot nuk e besoj.
Po le të hidhemi në temë. Parathënia e Veprës së Zgjedhur XII.
Edhe pse parathënia e një libri nuk është profetike, si e thotë në shqip fjala e saj, është një paradhomë e rëndësishme e veprës. Më parë i shkruanin të afirmuarit për më modestët, tani janë kohë të tjera dhe kufiri midis të mëdhenjve, të zkonshmëve dhe gjenijve është më i lëvizshëm. Sidomos kur bëhet fjalë për një vepër voluminoze, e cila kërkon po aq parathënie sa ka edhe vëllime. Nuk di as natyrën e të tjerave dhe as autorët e tyre. Parathënia e parathënësit tim, është një lloj esse-je mbi veprën e Is, "Viti I Mbrapshtë"këndvështrimin e tij letraro filozofik në përgjithësi, raportet me Diktaturën dhe efektin mbi brezat e lexuesve. Përpjekje e logjikshme. Vetem e nisur shumë keq prej titullit. Vazhduar më keq me hyrjen.
(vijon)