Tuesday, 4 February 2014

Demokratët (3)


Filluan përgatittjet për zgjedhjet e para shumëpartish dhe edhe pse nën tension, kishim shumë shpresë, që Demokratët do fitonin. Dyshja Berisha-Pashko nuk kishte dhënë për ne “të provincës” ndonjë shenjë rivaliteti të hapur dhe takimet me kandidatët e opozitës së posaformuar në Korçë kasha dëgjuar që kishin qënë mbresëlënëse. Nuk shkova as në të vetmin, që do doja, me Petraq Kolevicën në Pallatin e Kulturës se s'kishte ku të hidhje mollën. Ato ditë, Pirro Thomoja ishte duke bërë takimet në zonën e Liqenasit, ku e kishin vënë kandidat dhe u takuam një drekë për të biseduar rreth gjendjes. Kisha besim në gjykimin e tij të situatës, sepse jo vetëm kur isha student dhe gjatë diplomës, por edhe më vonë e kisha pare, që ishte i saktë dhe nuk fluturonte. Mora atë ditë dhe Gjergji Skënderin, me të cilin kisha disa vjet që e besoja dhe flisnim për politikë. Pirrua ishte shumë entuziast. Takimet i kishin shkuar shumë mirë dhe e kishte gati të sigurt fitoren ndaj kandidatit socialist "shule", të cilin tani nuk e kujtoj se cili ishte. Na tregoi më gjatë rreth "hyrjes në valle", mungesës së kohës për të përgatitur gjërat dhe garancisë në ardhjen e një Qeverie Demokrate në pushtet. Ne e pyesnim dhe besonim se gjërat ishin në rrugë të mbarë. Jo vetëm në qytete, por edhe në shumë zona "rurale" si Zvezda apo Devolli i Sipërm, Demokratët kishin mbështetjen totale të popullsisë. Problem mund të përbënin vetëm dy zona të thella malore, por përsëri, fitorja në Korçë do ishte me diferencë. Gjatë drekës u dhanë edhe Selami me Rulin, që do hanin drekë me në shpurë tjetër. Na takuan dhe sërish më bëri përshtypje sjellja prej inteligjenti e Rulit. "Hunda" edhe pse jo i pashëm, ishte karizmatik të paktën për ne, ndërsa tjetri mu duk një kastravec i fryrë kot. Megjithatë, e dija që shpesh gaboja në përcaktimet e njerëzve pas vetëm një ose dy takimesh. Selami që kisha takuar në një dhomë konvikti më 1987, ishte një "zog i sadalë nga veza", pedagog i ri nga Librazhdi për Estetikë. Tani mundohej të linte përshtypjen e një sociologu të sprovuar, që përgatitej të ndrronte rrjedhën e fatit të Atdheut. Ishte e gjithë atmosfera, së bashku me shpejtësinë e rrokullisjes së ngjarjeve që i bënte ndoshta të kishin euforinë e atyre, që sa kanë prekur vende të ndaluara edhe për ëndrrat e tyre.
Euforia dhe mungesa e experiences për të kontrolluar "batakçinjtë" e Komiteteve Ekzekutive, ju kushtoi Demokratëve zgjedhjet e atij viti. Ndoshta rezultati nuk do kishte qënë me diferencë, si ndodhi marsin e një viti më pas, por do kishte qënë i afërt e do sillte menjëherë zgjedhje të reja. Punistët i vodhën zgjedhjet e para shumëpartish. Nuk di pse kishte një lloj shdëfrimi atë ditë  të paszgjedhjeve, tek njerëz , të cilët nuk i mendoja të tillë. Ndërsa ngjitja shkallët e pallatit ku banoja, dy gra, që dukej se përgojonin Demokratiksat, ndaluan bisedën kur kalova pranë tyre dhe pasi i përshëndeta i thanë njëra tjetrës: "Fitoi Partia jonë, ajo ka rëndësi!" Mendova me vete "ah të gjorat ju!" sepse e dija që vinin nga familje, të cilave "Partia" ju kishte marrë shumë gjëra në fillim dhe ju kishte ndrruar rrjedhën e jetës. Lajmet ishin tronditëse për Shkodrën. U vranë 4 vetë dhe ndodhi bastisja e Komitetit të Partisë. Tashmë dukej se "lapangjozët" mezi kishin pritur të "legalizoheshin" me votë dhe do përgjigjeshin edhe me hekur. Reagimi i shkodranëve ishte model dhe atij shpërthimi, më tepër se Lëvizjes Studentore, do i vija meritën për largimin e Punistëve nga pushteti. Një i afërm, që kishte qënë bashkë me shumë gjimnazistë i ulur në shesh për të protestuar, më tregonte plot emocione reagimin e vajzave dhe djemve gjimnazistë, që nuk patën pyetur as për snaiperat e jo më për shkopinjtë e gomës. Në Tiranë, Korçë e Vlorë nuk pati kurrë një gjë të tillë.
Pas dy muajsh përpëlitjesh për dorheqje të Nanos, më në fund në Qershor u formua Qeveria e Stabilitetit. Demokratët do drejtonin vendin edhe pse së bashku me punistët e fundit. Në kabinetin e ri tashmë do ishin edhe Pashko, Ruli, Uka, Zogaj, Mysliu e ndonjë demokrat tjetër. Dikasteret që kishin marë gjithashtu nuk ishin të dorës së dytë. Qeveria e Stabilitetit në javët e para, më la shijen e hidhur të një lëshimi të madh ndaj "masakruesve" të vendit. Pashkoja, që ndjehej "kryeqeveritar" edhe pse kryeministër ishte Bufi, fluturonte me deklarata boshe dhe një vetbesim të tepruar prej amatori. Nga Tirana më kishin ardhur zëra për korrupsion të ministrave të opozitës, ndaj mendoja që ajo Qeveri nuk ishte gjë tjetër veç një "jastëk mbrojtës" ndaj bllokmenëve dhe kriminelëve të tjerë. Në qytet dëgjoheshin të tjera muhabete për "dallavera" të Kryetarit Demokrat me Shefin e Policisë Punist, gjë për të cilën nuk kisha ndonjë hamëndje nëse ishte e vërtetë, se dyshoja që inxhinieri i Djathtë mund të kishte qënë nga ata "ndjekësit e turistëve" në gjimnaz e më vonë. Në Gusht ndodhi edhe një ngjarje në Arenën Ndërkombëtare, për të cilën sot flitet pak kur kujtohen vitet e para të ndryshimit tek ne. Puçi njëjavor ndaj Gorbaçovit i ekzaltoi më të fëlliqurit e punistëve në Shqipëri. Vetë u trondita dhe mendova se kaq e pati jo vetëm ndryshimi i brishtë në jetën tonë, por në shumicën e Europës Lindore. Nuk e njihja mirë perandorinë ruse dhe dukej se edhe ata që duhet ta njihnin(Perëndimorët), ishin befasuar nga lëvizja e konservatorëve. Për më tepër, gjysma e zyrave në Europë, për mos thënë më tepër, gjatë gushtit janë të mbyllura. Për fat të mirë të të gjithë atyre që patën jetuar nën diktaturat e majta puçi dështoi. Shtatori i gjeti Stabilitiksat në veprimtari të plotë për "të shpëtuar vendin". Edhe pse dihej se ç'bënin, sërish jam habitur , kur para disa vjetëve një miku im i mirë, më tregonte se si ishin lëshuar për para, që sa hynë nëpër zyra, Stabilitiksat e djathtë në Korçë. Nuk di se kush e përcolli aq shpejt në shumë individë, atë frymë të fëlliqur "zarbash". Dukej një periudhë që duhej të ishte e mbushur me idealizëm, se posa ishin zhytur në baltë ishujt e rremë të deriatëhershëm. E vërteta për fat të keq nuk ishte e tillë.
(vijon)

No comments:

Post a Comment