Thursday, 6 February 2014
Adio Vaçe!
Kisha në mendje të postoja pjesën 4 të Demokratiksave, kur mora një mesazh për largimin e Vaçes. Nuk mund të mendoja tjetër edhe pse kishte kohë që pritej. Duhet të dilja edhe unë ta përcillja këngëtaren tonë më të madhe. Mbase duke kënduar “Gjyshes sime”, se Vaçja tani ishte gjyshe dhe drejt asaj moshe do jem edhe vetë pas disa vitesh. Vaçja ishte figura që ka dominuar fëmijërinë e brezit tim dhe më pas edhe rininë tonë. Ishte më e madhja dhe më e dashura, po ashtu si Italianët kishin Minan, francezët Dalidan dhe grekët Marinelan. Ishte Diva jonë, e pakrahasueshme brenda kufijve dhe ndoshta ndër më të mirat në Europën e viteve ’60-’70. Vaçja jonë kishte nisur shumë e re të ‘sundonte” me zërin e saj muzikën e lehtë shqiptare, deri në atë kohë jo shumë e zhvilluar dhe ku mbizotëronin këngët melankolike të duetit Anida Take-Pavlina Nikaj. Zëri i Vaçes dhe sigurisht kompozimet e të diplomuarve jashtë Shqipërisë sollën një këngë të re, të ngjashme me atë botërore në vitet ’60. Censura nuk ishte shumë e fuqishme dhe Udhëheqësi nuk kisht efilluar të trembej nga të huajt apo suksesi I artistëve. Flitej që edhe vetë I kishte thënë të ndjerit Panajot Pano “Ti dhe Vaçja ini dy njerëzit më të famshëm në Shqipëri!” Dhe vërtet të gjithë e donin artisten e madhe të këngës sonë të lehtë. Në dhjetë vitet e para të karrierës së saj, në repertory nuk kishte as këngë për Partinë. Vaçja I këndonte valsit të lumturisë, fëmijës së parë, mesnatës, shiut pik-pik bile edhe Lemzës. Kur vinte në Korçë Estrada e Tiranës, dyert shkallmoheshin nga njerëzit që donin të dëgjonin fenomenin e këngës tonë në skenë. Ishte vështirë për ne fëmijët ta shihnim kur hynte e dilte në Hotelin ngjitur, se kaq e jashtëzakonshme ishte fama e saj. E njëjtë me atë të artistëve më të mëdhenj në botë. Më vonë erdhi martesa e saj, e komentuar në gjithë qytetet, konsolidimi I teknikës dhe njëkohësisht dinjiteti I saj përballë edhe më të fuqishmëve. Flitej një natë kishte lënë edhe Pallatin e Brigadave pa kënduar sepse dikush nga të protokollit I kishte thënë diçka. Mund të shkruaj pa fund unë, që kam qënë një fëmijë i mrekulluar pas zërit të saj, por që nuk e kam njohur kurrë. Sa mund të thonë ata që kanë ndenjur pranë saj në vite. Për Vaçen tonë. Tani që po e përcjellim. Tani që kemi dalë të gjithë rrugëve të kësaj bote abstrakte për të duartrokitur për herë të fundit, ndërsa trupi I saj ka humbur përfundimisht aftësinë për të nxjerrë tinguj të magjishëm. Adio Vaçe! Ke mbushur jetën tonë në vite jo të lehta! Adio!
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment