Saturday, 8 February 2014

Liria dhe Barazia (2)

(vijim)
Edhe pse kam qënë që në vegjëli kundër shkallëve të shoqërisë, kundër të fuqishmëve, kundër abuzuesve, kundër autoriteteve, nuk mund të them edhe sot se jam një "barazitist" i kulluar. Duke qënë një qënie egoiste, edhe unë ndonëse mendoj dhe dua një "Eden" me njerëz të nginjur, të lumtur e të barabartë, thellë mendjes kam idenë e një "shkallëzimi" në varësi të "koefiçientit IQ". Ideja është thjesht "interesaxheshë" dhe unë dua të vrapoj larg saj, sepse e di që e kam se ndjehem me një IQ mbi mesataren. Nuk them as se "elitarët" duhet të punojnë më pak e të marrin një pjesë më të madhe kur të ndahen të mirat, porse në "supertryezën e Rrumbullakët" duhet të kenë të drejtën e një fjale më shumë. Dhe kjo nuk është më BARAZI! Eshtë e njëjtë me një shoqëri të strukturuar mbi epërinë e forcës fizike, epërinë financiare apo atë të bukurisë ose kombinimit të tyre. Njerëzit duhet të jenë të barabartë në vetë ekzistencën e tyre dhe të Lirë! Në këtë lëvizje kaotike idesh, dëshirash, interesash, parimesh, njerëzit duhet të ndjehen zotër dhe shërbëtorë njëkohësisht, të vlerësuar e vlerësues, të dashuruar me jetën dhe me atë që duan. Ata që ndjejnë se kanë një koefiçient më të lartë IQ duhet të jenë nxitësit e të mirës e të bukurës, rregullatorët e krizave shpirtërore të të tjerëve, kontribues të ndriçimit nëse vërtet kanë vetë një të tillë. Nuk ka rëndësi në janë pastorë, shkrimtarë, shëronjës, zjarrfiksa apo këngëtarë.

"Endrra në diell"- dëgjohet të thotë njëri nga miqtë e mi. PO! E di edhe vetë që shoh të tilla me syhapur, por ka diçka ose shumëçka që nuk shkon në këtë botë , që më bën mua e shumë të tjerë të shohim "ëndrra në diell". Unë nuk mund të uroj vetëm, që fëmijët e mij të jetojnë mirë në një vend me mirëqënie dhe njëfarë lirie. Jo se jam shumë shumë shpirtmadh, por se e di që edhe liria e tyre është e cënuar, nëse nuk ka Liri dhe Barazi për të gjithë. Dhe kjo nuk është retorikë boshe nga ato që dëgjon në fjalimet e Obamas. Eshtë një bindje e imja pasi shoh se ç'ka ndodhur në botën njerëzore 150 vitet e fundit.

Periudha e zhvillimit të rrufeshëm pas dekadave të hapave gjigand të shkencës e mendimit si dhe e zbulimit të aplikimeve të Naftës, solli një rritje të paparë të popullsisë së Botës. Solli teknologji dhe luftra, përmirësim të dukshëm të jetesës dhe asgjesime në masë, jetë të kulturuar për shumicën por edhe stres të tmerrshëm për të gjithë. Asnjë krahasim nuk ka jeta e sotme në Amerikë, Europë, Azinë e zhvilluar me atë të 70 viteve më parë në këto vende. Prirja është për më tepër ndryshime pozitive dhe po aq negative. Ku po shkojmë?

Askush nuk mund të bëjë parashikime të sakta sepse historia nuk ka shembuj të ngjashëm. Popullsia në botë është 7 fishuar në një shkekull të vetëm, mesatarja e jetës është trefishuar dhe kërkesat për burime materiale për një individ të vetëm janë shumëfishuar. Pra nëse bëjmë fjalë për Barazi, duhet që 10 miliard njerëz të kenë të paktën standartin mesatar të jetesës të një njeriu që jeton sot të themi në Rumani. Më shumë është e pamundur. (Edhe kjo përbën një problem më vete, se milionat që jetojnë sot në një standart më të lartë, por le të themi se "ndriçimi" i tyre do sjellë një tërheqje nga "lakmia" dhe do fillojnë të jetojnë më thjesht.)

Kuptimi i të "jetuarit më thjesht" ze fill me mënyrën se si e kanë parë jetesën tradicionalisht indigjenët e pazhvilluar dhe inteligjentët e ndriçuar. Më pak punë, më pak stres, më pak lakmi, më pak të mira materiale dhe më shumë gëzim, art dhe sport e sidomos më shumë jetë në harmoni me natyrën. Sigurisht, koncepti im për Lirinë e pacak, kërkon të mos detyrojë të gjithë të jetojnë në këtë mënyrë. Të lirë të jenë edhe ata që gjejnë gëzimin në puna, në grumbullimi i floririt apo veprave të Pikasos, në ndrimin e shtretërve, në udhëtimet e pafundme në botë, në lutjet gjithëditore në tempuj, në gjuetinë e balenave.
(vijon)

 

No comments:

Post a Comment