C’farë i kishte ndodhur rinocerontit,
Që bririn kishte humbur?
Mos ndoshta në fytyrë,
Si ma kishin përplasur mua,
Papritur derën i kishin mbyllur?
E patundur duket antikja kafshë,
Mbuluar gjithandej prazmore;
Askush s’mund ta lëndojë
As shtiza e lashtë,
As plumbi,
A ndoshta as raketa bërthamore.
Po mos i pati copëtuar zemrën,
Një e bukur rinoceronteshë,
Dhe bririn theu ai,
Teksa mllefi shpërthente
Dhe strofkullën e tyre ngrinte peshë?
Stërmadhi plak nuk flet
Ndërsa përtyp fije të gjata bari,
Ndërsa unë nga larg i thërres:
-Mos u mërzit bablok,
I fundit s’je dhe as i pari!
No comments:
Post a Comment