Thursday, 26 May 2022

Një ateisteje

Nuk të duket se ndërsa jemi kapërthyer,

Diçka hyjnore na ka lidhur?

Ti rrugëve nuk më ndoqe mua,

Nuk kishte përse,

Fati të hoqi pas të bindur.

Dhe ndërsa digjesh e gjitha si qiriri,

Nga zjarri epshor,

A nuk të ngjan se Ati,

A ndoshta Biri,

Gisht kanë në këtë rit qiellor?

Nuk mundet që dheu,

Nga u stis poçeja e Khajamit,

Të nxjerrë të tillë qënie si ti

Pa patur një qiellore frymë.

Po le të lemë fjalët,

Të dashurohemi,

Dhe brenda njeri tjetrit të hymë!

No comments:

Post a Comment