Friday, 27 May 2022

Unë, korçari me origjinë nga Dushari


Shkrimi im i fundit, ““Bota e Re” e Korçës…me pak aromë Vishocice”, ka shkaktuar një reaksion të menjëhershëm në zonën e Devollit. Nuk e dija se lexohesha aq shumë në atë krahinë shkrimtarpjellëse. Në tre e-maile më kanë sulmuar se tregoj mendjengushtësi në trajtimin e problemeve të fshatarëve dhe se jam devollofob. Një devolli me banim në Korçë më shkruan më gjatë duke përmendur se unë nuk kam asnjë ndryshim nga korçarët e kafeneve, të cilët ankohen për pozitat që marrin të ardhurit, që nuk janë nga qyteti ose nga fshatrat përreth.

Nuk di se ç’flitet tash e 25 vjet në kafenetë e Korçës për të ardhurit nga fshati ose nga krahinat e tjera, por më vjen keq psh, që gazetari më i famshëm në qytet është Tonin Frroku dhe rektorët e Universitetit “Fan Noli” kanë qënë shumë vite të ardhur nga Devolli. E megjithatë nuk kam shkruar ndonjëherë rreth fshatarëve, se i mbahem parimit, që Korça ka qënë e formuar vazhdimisht nga fshatarë të ardhur nga Vakëfet, Fusha e Korçës, Opari, Devolli, Rrëza, Kolonja dhe Përmeti. Shkrimi i sotëm është një variant më i butë i një shkrimi të gjatë të vitit 2014 “Po Devoll I tillë qënkam unë…” dhe që ka të bëjë me prodhimtarinë e pazakontë të shkrimtarëve dhe poetëve nga toka pjellore e Devollit. Cilido që është i interesuar mund ta gjejë ende në blog.

Më është dukur e çuditshme që nëse themi preshtë e Belortasë, qepët e Bozhigradit dhe mollët e Dvoranit apo manat e Boboshticës duhet të themi edhe shkrimtarët e Devollit. E panatyrshme dhe jam munduar të jap spjegimet e mija, që një prodhimtari e tillë është disi artificiale dhe duhet dalluar mes talenteve të vërteta dhe të atyre që merren me shkrime për të përfituar. Dhe jo pak devollinj kanë fituar nga palo shkrimet e tyre, që prej viteve ’60 të shekullit të kaluar dhe deri më sot. Ky ësht një fakt dhe mund të argumentoj me këdo që do të më provojë të kundërtën.

Unë jam me origjinë nga Dushari dhe nuk më vjen turp për këtë. Krenohej që ishte nga Dushari babai im edhe pse ishte lindur në Stamboll dhe kishte qënë vetëm një herë në atë fshat, kur kishte mbushur 45 vjeç. Mburrej edhe gjyshi im, që kishte jetuar vetëm deri sa mbushi dy vjet dhe kishte kaluar tërë jetën në Stamboll.

Gjithashtu nuk mendoj se Dushari është më i mirë se Vishocica, Progëri apo Bozhigradi dhe Dardha se nuk ka se si të jetë i tillë. Por djalli ta marrë, këtë cilësinë kokëtrashe të devollinjve nuk e kam shpikur unë. Ndaj edhe mendoj se nga një krahinë me shumë kokëtrashë mund të nxjerrë po aq poetë dhe shkrimtarë sa edhe krahinat e tjera.

E kundërta do ishte paradoks!

No comments:

Post a Comment