Thursday, 19 May 2022

Katër mësueset që nuk dinin të pinin kafe


Ato vinin gjithnjë pas meje në bar-kafenë, ku shkoja mëngjeseve dhe uleshin në të njëjtën tryezë. Nuk i kisha parë ndonjëherë, se nuk ishin të brezit tim dhe hamendësoja se duhet të ishin mësuese. Në një orë të caktuar nguteshin të arrinin diku dhe nuk duhet të ishte zyrë shteti apo ndonjë bankë. Nuk jam në gjendje as të përshkruaj fytyrat, veshjet dhe fizikun e tyre, se isha thuajse me shpinë nga ajo tryezë. Vetëm dëgjoja që porositnin të njëjtat kafe, me pak qumësht, me më shumë qumësht dhe të mesme. Dukej që kishin preferencat e tyre, por mua më dukej se kafetë i pinin kot. Nuk dinin të pinin kafe.

E them këtë se zonjat dhe zonjushat ndoshta-mësuese, nuk vinin në të njëjtën kohë kurrë, por e para, ose dy të parat porositnin të gjitha kafetë. Më pas arrinin të tjerat ndërsa kafetë ishin ftohur, por askujt nuk i bëhej vonë. Kafepirja për to duhet të ishe më shumë rutinë dhe çështje statusi. “Ne e pimë kafen tek bar-kafe…” Them se duhet të ishte e tillë, pasi në atë bar-kafe çmimet ishin më të larta se në kafenetë e shumta të qytetit. Noshta-mësueset nguteshin dhe shoqëronin me kafetë e tyre me pak qumësht, shumë qumësht dhe të mesme cigaret që pinin. Mbase dhe këto të fundit janë çështje statusi dhe revoltë ndaj meshkujve që nisin ditën me kafe dhe duhan në qindra bar-kafetë e qytetit.

Më vinte t’ju kthehesha e t’ju thoja “Përse i pini këto kafe të ftohta në këtë lokal që ndoshta nuk është për ju, se rroga mësuesesh kini?”, por më kishte mbetur aq vetpërmbajtje sa edhe pas 7-8 herësh të shihja punën time dhe të mos merresha me ndoshta-mësueset, mosha e të cilave varionte nga 35 deri në 55 vjeç. Se askush nuk ka të drejtë t’i thotë gjë tjetrit edhe kur ky i njohur apo i panjohur kryen veprime lehtësisht absurde. Pi kot kafe të shtrenjtë dhe e nis ditën me duhan. Më pas, i tensionuar nga koha e pamjaftueshme në bar-kafe, nga kafeina dhe nga dy cigaret e thithura shpejt ju hakërrehet vocrrakëve në orën e mësimit.

“Po nga e di ti që ju hakërreheshin vocrrakëve?”- do më hidhet në grykë një miku im që më kundërshton 11 herë në 10 raste.

Nuk e di, por veç hamendësoj kot në trurin tim në rrjedhje e sipër, që një mësuese që ngutet të pijë një kafe që nuk e shijon për të pasur një status social të caktuar, çdo lloj acarimi (mos thuhet frustrim tani në Mëmëdhe?) do ja u nxjerrë nxënësve.

Dhe në fund të fundit është e drejta ime të hamendësoj, ashtu si është e drejta e mësueseve të pinë kafe të ftohta dhe dy cigare më 7 e gjysëm në mëngjes në një nga bar-kafetë e shtrenjta të qytetit.


No comments:

Post a Comment