Nuk më pëlqejnë shprehjet e përshtatura nga italishtja “po bën interesantin”, “po bën viktimën”, “po bën të zgjuarin” e të tjera kësisoj, që nuk janë në natyrën e shqipes, por kanë fituar “qytetarinë“ e kafeneve se janë përdorur nga disa VIP-a dhe “elitarë“. Ndaj nuk po shkruaj titullin “mos bëj të rëndësishmin”, por “ mos u trego i rëndësishëm”.
Nuk është as këshillë dhe as urdhër, por pjesë e një fjalie
më të plotë “mos u trego i rëndësishëm se të di se sa të vlen lëkura!” Nuk
lidhet drejtpërdrejt me kërkënd, por me një dukuri shumë të përhapur në
mjediset shqiptare, sidomos në ato të zyrave. Nëpunësi, i institucionit publik apo
privat, mundohet të tregohet “ i rëndësishëm”, “që ka në dorë“ dhe mund të ta
lehtësojë procesin , ose të ta bëjë të vështirë. E shikon ngado, duke nisur me
zyrat e bashkisë, bankat, agjensitë imobiliare, noterët dhe deri tek nëpunësit
e shtëpive të të vdekurve. AI (ajo) është plot njohuri, seriozitet dhe që të
sheh nga sipër tavolinës së punës ku ka hipur. Ti je poshtë, i mbledhur
kruspull në ndenjësen që të ka ofruar dhe belbëzon me shpresë se nëpunësi i rëndësishëm
nuk do inatoset me ty dhe të të tregojë derën. Më poshtë është një dialog i vërtetë,
i përcjellë pa ndryshime në Bankën Raiffesen:
-Mirmëngjes!
-Përshëndetje, si mund
t’ju ndihmojmë!
- Dua të hap një
llogari rrjedhëse në euro.
- Përse e doni?
-Kam euro që dua t’i depozitoj
dhe t’i përdor kur të më duhen.
-Ç’farë veprime kini në
plan të bëni me to.
-Të gjitha veprimet që
banka juaj lejon të bëhen me llogaritë rrjedhëse.
-Duam të dimë
specifikisht se cilat janë sasitë që do transferoni dhe se ku do i transferoni.
Qëllimin e hapjes së llogarisë bankare.
-Ju thashë që dua ta përdor
si llogari rrjedhëse në euro nëse hapni të tilla.
-Ne hapim, por duam të
dimë paraprakisht sasinë , që depozitoni si dhe shumat që kini në plan të tërhiqni
ose transferoni.
-Po këto do i bëj
sipas rregullave që ju kini. Tërheqje dhe transferta midis minimales dhe
maksimales që lejoni ju.
-Po sa janë pra?
-Nëse mund të më jepni
të printuar kushtet që ka banka juaj për një llogari të këtij lloji do më
ndihmonte.
-E kini në web site të
bankës!
-Po ju nuk mund të ma
printoni dhe të ma jepni dhe më pas të vazhdojmë veprimet?
-Duam të dimë qëllimin
në fillim!
Në kët çast, viktima që nuk tregonte qëllimin, i ndjerë nën
pushtetin e nëpunëses së shëndoshë dhe të rëndësishme, u ngrit dhe shkoi në një
bankë tjetër, ku gjeti një nëpunëse që shërbente.
Ndaj mos u tego “i rëndësishëm” edhe ti nëpunës i kadastrës,
as ti agjenti i të patundshmeve, as ti arkitekti i punësuar në bashki dhe as ti
noteri interlokutor, që vjen 30 minuta me vonesë në takim. Nuk është çështje
etike, por e “të qënit në biznes”. Shpejt, shumë shpejt, gjërat do shkojnë
drejt një normaliteti europian, kur më të zotët, ata që nuk shtiren “të rëndësishëm”
do fillojnë të dominojnë tregun privat, por edhe institucionet publike. Se të
ndodhë ndryshe nuk ka se si!
No comments:
Post a Comment