Thursday, 19 May 2022

I fundit hap

Arratisur vetmisë së ëmbël

Tek rruzujt dhe figurat,

Tingujt false duke dëgjuar,

Atje ku të rreme janë ngjyrat.

Nuk më bëjnë më këmbët

Mpirja kryet më ka rrëmbyer,

Në shtratin tim drithërohem

Pyes:

Përse jam kthyer?

Diçka më tërhiqte këtu,

Aroma e lënë nënkresores,

                Shalli yt i mëndafshtë,

                                Pllaquritja e shputave në ujë,

                                                Gravura në dru.

Të gjitha këtu kanë mbetur

Dhe më duhet t’i flak,

Mëngjeset të përzjej me mesnatat

Të iki larg.

Të kërkoj a ka nxjerrë deti kujtimet

Bashkë me guacat dhe leshterikët,

Palma e përkulur në ka prekur ujin,

Iguana në ka mposhtur frikën.

Në një bohçe po pështjell të fundit ëndërra

Dhe trenin e parë do kap,

Diku ka për të më shpënë

Atje ku të hedh të fundit hap.

No comments:

Post a Comment