Nuk di se si mund të quhet shkurtimisht në shqip dikush që jeton jashtë vendit të tij, në atë që quhet prej Dhjatës së Vjetër, Diaspora. Diasporas, diasporik, diasporor apo diasporak. Zgjodha këtë të fundit se më tingëllon disi e ngjashme me – spurdhjak. Dhe unë ndjehem i tillë në raport me shtetin shqiptar dhe administratën e Ramës. Nuk di si ndjehen të tjerët.
Ka vite që flitet për të drejtën e votës, që kanë diasporakët
shqiptarë dhe që ja u jep Kushtetuta e vendit, por një e drejtë që nuk
aplikohet. Disa thonë se nuk do qeveria shqiptare, të tjerë ja hedhin fajin
opozitës, por më të shumtit ja hedhin diasporakëve. Dhe më vjen ndërmend, që në
kafenenë, ku pija kafen e parë të ditës në Shqipëri, disa më bënë mua dhe
diasporakët e tjerë fajtorë për gjendjen në Shqipëri. Se ne jo vetëm që kishim
krisur dhe ikur, por nuk bënim asgjë për Shqipërinë, madje edhe ngatërronim
ndonjë gjë, kur fusnim hundët në punët e brendëshme të vendit.
Ju jap të drejtë tani bashkëbiseduesve edhe pse ju kundërshtova
me forcë, kur u ngrit çështja. Unë personalisht kam krisur dhe ikur, nuk kam bërë
asgjë për Shqipërinë dhe kam futur hundët në punët e brendëshme të vendit
(kryesisht të Korçës) dhe vetëm kam ngatërruar se kam mbrojtur gjithnjë palën që
ka qënë në gabim.
Mendohet që në zgjedhjet e ardhëshme, diasporakët të votojnë
dhe të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në Parlamentin shqiptar. Mua më pëlqen kjo
gjë, jo se kam ndonjë dëshirë të madhe për të votuar, apo (pranë qoftë) për tu
zgjedhur si parlamentar, por se më duket se nuk do shkruaj badihava. Do ja jap
votën time përfaqësuesit më të denjë dhe partisë më të devotshme shqiptare.
Ndonjë nihilist do më thotë se nuk ka të tillë dhe të tilla, por unë do ja çjerr
me forcë nihilizmin e tij duke i thënë: “Mos
u bëj më nihilist se Papa dhe papa në këtë rast jam vetë!”
Ka vetëm një problem të vockël. Si diasporak, në bazë të
ligjit shqiptar të zgjedhjeve, unë duhet të jem i rregjistruar në Gjendjen
Civile shqiptare me adresën (nuk jam i sigurt n[ shkruhet adresë apo andresë?),
që kam në vendin ku jetoj. Nuk di se si bëhet një rregjistrim i tillë, por unë
jam shumë i trembur nga çdo lloj veprimi që kryhet në zyrat shqiptare. E
provova këtë rradhë me një interlokutor dhe një nëpunëse banke. Nuk kam ndërmend
ta provoj sërish me një nëpunëse të Gjendjes Civile! (për të qënë plotësisht i sinqertë
edhe me një Civiliste pata probleme këtë rradhë pa patur ndonjë dëshirë të bëja
ndonjë punë në Gjendjen Civile. Pata hyrë në Bibliotekën e Kolevicës dhe doja të
merrja disa foto të hollit të ndryshuar sipas projektit të Uillson. I bëra fotot
, po mu mor celulari nga një Civiliste, që nuk deshte të fotografohej në hollin
e Bashkisë, në sportelin ku punonte. I shpjegova qëllimin e fotove, por
Civilistja këmbëngulte në fshirjen e tyre dhe e bëri, në shkëmbim të së cilës
morri një përgjigje të pasjellshme nga unë– Po
si ta merr mendja, ke surrat ti që mund të ngjallë interesin e dikujt të të
fotografojë?)
Ndaj në zgjedhjet e ardhme në Shqipëri nuk do votoj dot as
unë dhe as mijëra diasporakë, që kanë bezdi të rregjistohen me adresat e tyre në
institucionet shqiptare. Partitë janë kujdesur që të jetë sa më e vështirë për “gurët
e lehtë“ të vendit, që i ka degdisur era nëpër botë, të votojnë.
Kujt i krisi?- do më thoni me plot të drejtë.
Askujt. Mbase pak Shqipërisë!
No comments:
Post a Comment