Tuesday, 24 May 2022

“Këneta pre-politike shqiptare”


Nuk ka thuajse asgjë të ngjashme me politikën në Europë dhe në vendet e tjera të zhvilluara, me politikën në Shqipëri. Madje i gjithë “pellgu politik shqiptar” është edhe më pas se ç’ka qënë në fillimet e pluralizmit. Nuk është as primitivizëm politik. Thjesht gjendje pre-politike.

Rikthimi i Sali Berishës “de facto” në krye të PD-së është një nga dëshmitë më të qarta të kësaj gjendjeje. Ai nuk ishte larguar nga drejtimi i partisë, por pas shpalljes “non grata” dukej se kjo mund të ndodhte. Nuk ndodhi dhe konfirmoi që në 32 vjet ky vend ka mundur të nxjerrë vetëm 4 burra që merren me politikë: Berisha, Nano, Meta dhe Rama. Të gjithë të tjerët ose kanë qënë në role episodikë, ose kanë qënë tepër të pafuqishëm edhe pse mund të kenë mbajtur poste kryeministrash apo kryetarësh kuvendi.

Arësyet janë të shumta dhe i kam prekur në një numur shkrimesh të botuara në shtypin shqiptar apo në blog. Mungesa e traditës politiko-demokratike, prishja e “stofit” të shoqërisë në kohën e Diktaturës, psikologjia e një populli të prapambetur, mosangazhimi i diasporës etj. Mbi të gjitha është mungesa e një elite në shoqërinë shqiptare. E ashtuquajtura “elitë“ nuk është as e fuqishme ekonomikisht, as e fuqishme intelektualisht dhe as e aftë të detyrojë ata që merren me politikë të ndjekin rrugë të natyrshme për shpënien para të shoqërisë shqiptare. Eshtë një elitë restorantesh, avionesh dhe kafenesh, që i serviloset pushtetarëve dhe përfiton nga paratë e taksapaguesve, sikundër përfitojnë edhe ata që kanë pushtetin. Këtu bëhet fjalë për drejtuesit e universiteteve, Akademinë e Shkencave, institucionet studimore private dhe shtetërore, fondacionet e ndryshme, etj.

Ndaj edhe psikologjia sunduese në të rinjtë shqiptarë dhe jo vetëm tek ata mbetet- nga ky vend duhet ikur një orë dhe më parë!

A ka ndonjë shpresë, që gjendja në politikën shqiptare të ndryshojë së shpejti?

Duket thuajse e pamundur! Partia më e madhe në vend, që ka edhe elektoratin më të madh është e atrofizuar dhe i ngjan gjithnjë e më shumë Partisë së Punës me organizatat bazë dhe veprimtarët të zëvendësuar tashmë me patronazhistë. Po aq e “mbaruar” është dhe PD-ja me “salistat” e saj dhe parti të tjera nuk ka. Por e keqja më e madhe është “atrofizimi” i elektoratit gri, që është i pakënaqur me dy partitë kryesore dhe nuk bën asnjë përpjekje për t’u organizuar, por pret. Pa ditur se ç’pret dhe nga kush e pret. Pret nga Europa, nga Amerika nga Diaspora dhe nga Tinglimajmuni, por nuk bën as përpjekjen më të vogël për t’u organizuar.

Dhe kjo quhet “kënetë pre-politike” në të cilën fitojnë “bufërit e kënetës” Rama, Berisha dhe Meta.

 

No comments:

Post a Comment