Monday, 16 May 2022

Kukja sërish në Korçë?


Gjatë vizitës së fundit në qytet më lanë mbresa ndërtimet e mira individuale në lagjet më të njohura. Gjithashtu mësova se”ligjet” për ndërtimet në zonat e mbrojtura, pra në pjesët më delikate të qytetit kontrollohen nga dikush me mbiemrin Kuke ose Koke. Kukja është drejtuesi i institucionit, që në kohët para meje dhe më vonë quhej Atelieja e Monumenteve të Kulturës. Kishte pasur drejtor ing.Pirro Thomon, më vonë ing. Thoma Papaargjirin dhe deri në kohën e largimit tim nga Shqiperia, arkitektin e talentuar Kliti Kallamata. Nuk di se ç’ka ndodhur më pas, por tani drejtohet nga Kukja dhe përfshin edhe Pogradecin, Devollin dhe Kolonjën. Barrë e rëndë për shpatullat e dikujt, që mësova se nuk është as arkitekt, as inxhinier dhe as historian.

Kukja i kohës sime (shekulli XX) ishte nje mbartës modest, i ngadalshëm dhe që ecte me vështirësi se kishte, më ngjan, dy këmbë të majta. Dy të majta duhet të ketë edhe socialisti europian që drejton DRTK (ose diçka të ngjashme) dhe që i përket klanit të mirënjohur Dilana-Gollash që zotërojne, kontrollojnë dhe përparojnë Çifligun juglindor të Shqipërisë. Por në ndryshim nga Kukja i shekullit tim, Kukja modern është agresiv, madje vite më parë pat kërcënuar edhe arkitektin restaurator Kallamata për afrim të paautorizuar në Voskopojë. Se që të qasesh në Voskopojë për studime, restaurime apo ndërtime duhet të “falesh” më pare në zyrën e Kukes, diku në afërsi të ish-Valbones. Atje duhet të falen edhe mentori im Piro Thomo, edhe ish-ortaku im ark. Aleko Papakozma dhe gjithë arkitektët e talentuar korçarë, sepse ndryshe Kukja të pret “koromanen”.

Por nuk është faji i tij.

Ai përpiqet me mish e me shpirt të ndjekë linjën e vendosur lart në qeveri dhe të zbërthyer më poshtë nga drejtuesja e tij Dollani, e cila për fat të keq jo vetëm nuk është e zonja, por s’ka as cilësitë “pjeshkore” të shumë drejtueseve të sektorëve të ndryshëm të administratës sallake. Ne nje emision televiziv për Mësonjtoren e Parë në mars të vitit të kaluar, shefja e Kukes nuk dinte si të mbulonte gjurmët e korrupsionit të hapur në rifreskimin e atij Muzeu.

Tek Muzeu nuk hyra, i deziluzionuar edhe nga ngjyra kafe e errët, që ju ishte dhënë punimeve të drurit në eksterier. E shëmtuar, e pavërtetë, në kundërshtim me parimet e ndërhyrjes në objekte të kategorisë së parë. Brenda e dija që do më prisnin të tjera llahtara.

Por le të kthehemi në topolaku Kuke, që bën më shume se sa di dhe di më pak se sa është e mundur.

Ndoshta edhe unë po të punoja në Shqiperi do isha i gatshëm t’i llustroja këpucët, por jo për të përfituar restaurimin e një kishe, xhamie apo objekti muzeor. Vetem për të shuar kureshtjen se si i ka dy këpucët e tij të majta.

No comments:

Post a Comment