Kështu duket sikur më thonë shumë të njohur, kur ju dhuroj librin tim “Biseda të pakryera me babanë“. Nuk fshehin dot një lloj habie, që unë jo vetëm mund të shkruaj, por jam në gjendje edhe të shkruaj një libër të një vëllimi jo të vogël. Nuk mërzitem, i kuptoj, se në fund të fundit unë nuk kam mbaruar gjuhë-letërsi dhe nuk janë të shumtë ata që ndjekin blog-un tim. Për më tepër jam 63 vjeç dhe deri sa mbusha 48 nuk kisha botuar ndonjë libër (shumë të njohur nuk kanë dijeni për ekzistencën e librit tim të parë.)
Një mik më tha që e kishte lexuar dhe e kishte pëlqyer dhe
me siguri duhet të kishin vënë dorë redaktorët. Unë e mohova rolin e tyre në
shkrimin e librit, madje as përmënda se redaktori i vetëm “e kishte sjellë
librin në dinë“. Por nuk gënjeva, se dhe ai nuk kishte shkruar ndonjë paragraf
nga të librit.
Një tjetër i njohur, që në fëmijëri më pyeti se ku e kisha
gjetur gjithë atë material dhe nëse kishte lënë dorëshkrim të librit im atë. I
thashë që nuk kisha gjetur ndonjë dorëshkrim dhe se “materiali” ishte kryesisht
meselera të dëgjuara gjatë viteve. M’u duk që nuk më besoi.
Një mik i vjetër, i apasionuar pas filozofëve, më pyeti se
si kisha durim të shkruaja. I thashë, që jetoj si në kushte internimi dhe
durimin e kam nga zori.
Vetëm një shok më ka besuar plotësisht, madje më lehtësoi se
tha: Tamam i kishe shkruar. Gjëra që i dinim
të tëra!
Pas gjithë këtyre komenteve të ngjashme, kam menduar se është
e vështirë të të pranojnë si “shkrues” ata që të kanë njohur për një kohë të
gjatë. Nuk çuditen nëse projekton një “qiellgërryese” në Nju Jork, se fundja “atë
zanat ka”, po shkrimtar dhe autor i një libri jo të hollë, nuk të pranojnë
kollaj. “Phëëëë…nga doli ky! Ç’ne libra!
Se hartime të tërë bënim në shkollë dhe s’është se ky kushedi ç’shkruante!”
Eshtë më e lehtë “me rrejt” të rinjtë, se ata nuk të dinë “sa
të vlen lëkura.” Mund të paraqitesh si arkitekt, poet, kritik letrar, filozof
part-time dhe bloger-influencer.
Po jo bashkëmoshatarët! Ata nuk e hanë këtë koqe ulliri dhe
e dinë, që në mos ke paguar njeri të ta shkruajë, diçka e dyshimtë është në këtë
proces. Ndoshta ndonjë “amante” e fshehtë me talent për gazetari-letërsi. Aty
rreth të 70-ve.
Veçse duke e pranuar në këtë moshë “amanten” nuk mund ta bëjnë
edhe me barrë!
No comments:
Post a Comment