(vijim)
“Burgu i bën të
talentuarit shkrimtarë dhe të patalentuarit grafomanë tejet të mërzitshëm”
ka thënë dikur një anonim, të cilit nuk po ja përmend emrin sepse do të mbetet anonim.
Ndaj dhe mua ma ka fajin burgu i Trudosë, që më shkaktoi përroin psikik të
Droit. Nëse nuk do kishte qënë Dekreti i qeverisë kanadeze dhe nëse qeveria do i
kishte shpenzuar burimet financiare në kohë për vaksina unë nuk do isha në
vetizolim, por do isha duke vizituar Shqipërinë për të parë se si do ishte mandati
i parë pastranzicion i Ramës, sipas përcaktimit të Besart Kadiut. (Nisur nga
mbiemri duhet të jetë soj kadilerësh, të cilët kanë lënë gjurmë në sistemin
ligjor otoman, në atë të Zogut, të Dullës dhe më tepër akoma në atë të
tranzicionit.)
Sipas Kadiut më në fund tranzicioni shqiptar u mbyll dhe këtej
e tutje do ndërtohet shoqëria e vërtetë kapitaliste. Idea është pak a shumë si
e shokëve Lenin dhe Stalin, që socializmi do ishte një fazë tranzitore deri sa
të kalohej në komunizëm. Tani që sho Edi i dha fund tranzicionit, demokracia në
Shqipëri do marrë një hov të paparë, sa në fund të mandatit do kemi aq shumë
demokraci sa do jemi “veledisur” prej saj. Do themi:Boll! Shoqëria shqiptare me
demokraci, por edhe demokracia me karar! Sho Edi bashkë me shokët Gramoz, Erion,
Agim, Damian, Blendi dhe me shoqet Olta, Luli, Elisa dhe Najada do përqëndrohet
në përsosjen e sistemit juridik, i cili ka qënë problematik gjatë tranzicionit.
Do arrihet që askush të mos jetë mbi ligjin dhe anash ligjit, por vetëm nën
ligjin! Madje mund të kapet deri tek niveli sa të mos ketë nevojë për avokatë,
sepse nëse askush nuk do jetë mbi ose anash ligjit, s’ka përse të duhen avokatët.
Vetëm ligji dhe kadijtë!
Kjo prek avokatin tim në Tiranë, por në fund të këtij mandat
ai do jetë në moshë pensioni dhe do shijojë sistemin e përsosur shqiptar të
drejtësisë, ku të gjithë, pa shkelur të drejtat e njëri tjetrit dhe sidomos pa
shkelur ligjin(se janë nën të e nuk e shkelin dot) do ndërtojnë në harmoni shoqërinë
e vërtetë kapitaliste, që do ja kalojë disa here asaj të Zvicrës.
I vetmi që nuk do shijojë dot këtë arritje të Kombit tonë do
jem unë, sepse koha në vetizolim është e papërcaktuar dhe mund të kalojë jo vetëm
mandatin e posanisur të Ramës, por edhe disa mandate të tjerë të tij dhe ndonjë
mandat të Zahos. E megjithatë, duke menduar sipas parimit “Interesi i përgjithshëm mbi atë personal” unë do e kthej keqardhjen
në forcë. Vitet e vetizolimit do i përballoj me idenë se në brigjet e
Adriatikut, atje ku më ka rënë koka, funksionon shoqëria me sistemin ligjor më
të përsosur në botë.
Ndoshta një ditë edhe Kanadaja, që më ka futur në burg, do mësojë
nga sistemi jonë dhe do rishikojë Dekretin për luftën ndaj Covid-19 dhe do
lirojë nga strukturat qeveritare të gjithë të vetizoluarit si puna ime, të dënuar
me minimum 24 orë dhe me një maksimum të pacaktuar.
Prisni dhe shpresoni!
Nuk më ka zënë gjumi ende dhe nga vetizolimi kanë kaluar vetëm
4 orë.
No comments:
Post a Comment