Wednesday, 26 May 2021

24 orë ose më shumë burg (5)

 


(vijim)

Nga Papa Spiroja mendja me shkon në dhespoti i Korçës, Imzot Johan Pelushi, më tej në Patriarkanën në Stamboll dhe në komunitetin korçaro-kanadez dhe përpjekjet e tij për Kishë Ortodokse Autoqefale. Deri vonë merrnim një kishë me qera (si puna e makinave) dhe e ngisnim nga njëherë të djelave me priftin Foti Cici, por si gjithnjë u përzje lobi grek, ortodoksët e Aleksandrisë, CIA dhe shërbimet sekrete të Putin dhe ne korçarët bashkë me ortodoksët e tjerë shqiptarë mbetëm edhe pa kishë me qera. Duhet të bëjmë Kishën tonë, por kursimet i kemi shpenzuar në plazhe, veshje firmato, makina të shtrenjta dhe kazino dhe nuk qullosim dot gjë. Na luftojnë edhe militantët ateistë (kuptohet për të na hapur sytë), se vetë janë të sigurt që jo vetëm Perëndia nuk ekziston, por fetë i kanë shpikur të huajt për t’ju marrë trojet më të lakmuara në botë ilirëve, arbërve dhe neve, pasardhësve të tyre. Disa nga ilirët e hëngrën atë koqe ulliri, dhe i përqafuan fetë monoteiste, por shumë të tjerë mbetën paganë dhe si të tillë arritën të mbrojnë një pjesë të gadishullit ku jetonin, dhe t’i vinin më vonë emrin Zvicra e Ballkanit.

Kur je në izolim mendja të shkon akoma më shumë në vdekja, fetë, priftërinjtë, testamentet, funeralet, jetën e këtejshme dhe të përtejshme, Gjyqin e Fundit dhe mëkatet. Por nuk ke kujt t’i rrëfehesh. Në izolim e humb plotësisht vlerën shprehja “Paratë dhe mëkatet nuk rrëfehen!” Të lind një dëshirë e papërmbajtur për t’ju rrëfyer të parit vesh që të ndodhet pranë edhe sikur ky të jetë një vesh nga ata të mëdhenjtë të mbushur plot me qime.  Mbiprehërësi nuk ka vesh dhe online është e ndaluar të shkosh ndaj edhe mundësia për të parë një vesh në Skype, Zoom apo aplikacione të tjera nuk është e mundshme. Gjithashtu ke frikë se një pjesë e mëkateve si mashtrimi me taksat, ngarja e makinës me shpejtësi dhe kalimi me të kuqe në kryqëzim, paraqitja e fryrë e të ardhurave për të përfituar kredinë e shtëpisë, lidhen drejtpërdrejt me shtetin kanadez që më ka në mbikqyrje dhe mund të sjellë vite dënimi shtesë mbi kohën e pacaktuar. Ndaj po rrëfej vetëm një mëkat jo me shumë zarar të viteve të 8-vjeçares, kur zinim bangot pranë derës në orën e gjuhës, për të parë kofshët e një mësueseje zëvendësuese në katedër, e cila nuk kujdesej shumë për mbulimin e tyre. Nuk kishte asgjë seksuale në atë prirje për kofshëparje. Ishte vetëm si n jë lloj gare mes nesh se sa pjesë mbi gjurin pe dhe nëse në një çast fatlum kishe arritur të shihje edhe ngjyrën e të brendëshmeve. Ishin vite pa tv dhe pa revista pornografike.

Duhet të përqëndrohem në ndjekjen e frymëmarrjes për tu çlodhur dhe për të rënë në gjumë të thellë. Duhet të marr frymë dhe pastaj të ndjek me mendje se deri ku shkon fryma. “Si top fyrome” më kujtohet shprehja e 50 vjetëve më parë e një njeriu shumë të mirë të “sojit tonë”. Topi fyrome ishte në korçarçen e vjetër tullumbaceja ose flluska plastike. Po mundohem t’i bëj mëlçitë time të bardha si top fyrome dhe të ndjek se si ajri shkon deri poshtë diafragmës dhe shtyhet edhe më tej, megjithëse nuk jam i sigurt se sipas këshillave të meditimit duhet të ndjek me mendje frymën apo qarkullimin e gjakut. Nuk di edhe se ku e kam diafragmën. Në vizatime e kam parë që është poshtë mushkërive , por nuk e di si është në raport me stomahun. Po me duodenin? Gjumi nuk po vjen dhe frymëmarrjen po e mbaj shumë pa e nxjerrë sa ka rrezik të kem çrregullime në vrimat hyrëse dhe dalëse të ajrit të trupit tim. Tamam si një gajde e madhe e pakontrolluar mirë. Me mendje, sipas parimeve të meditimit, duhet të shkoj në një vend ekzotik, por mendja çuditërisht shkon në përruan Dro në Mamurras, që nuk ka qënë asnjëherë ekzotik. Mendje e çrregulluar!

Në brigjet e Droit në Mamurras u përballa për herë të parë me absurditetin e jetë, universitetit dhe stërvitjes ushtarake. Ishte nëntor 1979 dhe është tmerrësisht e habitshme, se në moshën 20 vjeçare, kur festonim 35 vjetorin e çlirimit të atdheut, kur sa kishim shpartalluar disa grupe antiparti dhe Partia ishte më e pastër se kurrë, mua, në brigjet e Droit të më lindnin dyshimet ekzistenciale. Armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm me siguri që vepronin në mënyra të sofistikuara për të mbjellë dyshime në mendjen e një të riu, të cilit Partia sa i kishte besuar misionin që të bëhej pas 4 vitesh arkitekt e të projektonte stalla dhe shkolla, pallate parafabrikate dhe kazerma, për popullin atdheun dhe socializmin. “Merr edhe njëherë frymë thellë!”-i them vetes, por përsëri nuk më ndahen nga sytë figurat e pedagogëve, që dukeshin më qesharakë në uniformat e tyre të zbërdhylta ushtarake, rripat e mezit poshtë barqeve të dalë dhe kapotat pa spaleta. Inxhinierë, matematicienë, filozofë, arkitektë të gënjyer e të detyruar të gënjenin, që nuk klithnin dot me të madhe: “Kjo që bëjmë është një gënjeshtër e madhe, se nuk na sulmon njeri, por edhe po na sulmuan ne jemi të mbaruar për një javë!”

Për të mbytyr mërzinë, absurditetin dhe mendimet ekzistencialiste, i vetmi ngushëllim për ta dhe një pjesë prej nesh ishte një klub i vogël, ku mund të pije më këmbë “votkë“, raki dëllinje, fërnet dhe ponç portokalli, por që nuk kishin si të vepronin keq mbi trutë e trembur apo të shpëlarë, ndaj askush, as edhe ata që kishin qënë jashtë shtetit për specializime, nuk thërrisnin as pas 3-4 dopiosh, “Ky vendi jonë është një vend prej m…, që drejtohet nga kriminelë!” Flisnim për sportin, tregonim anekdota të ndyra, përmendnim “Tango e fundit në Paris” dhe pas dopios së tretë ankoheshim vetëm për spiunët dhe veprimtarët e lagjes. Asgjë rreth jetës e vdekjes, rreth shfrytëzimit të njeriut nga njeriu dhe grave e fëmijëve nga burrat, rreth Frojdit e Kantit, apo më keq akoma, se ç’kishte thënë një natë më parë “Zëri i Amerikës”. Droi përcillte me dembelizëm tatëpjetë ujët e tij të pakët. Pylli përreth kishte drurë gjethorë dhe gjethet nuk kishin rënë akoma edhe pse ishte nëntor.

(vijon)

No comments:

Post a Comment