Nuk e prisja që të arrestohesha në vendin tim. Të arrestohesha dhe të mbahesha në izolim për një kohë të pacaktuar. Minimumi 24 orë dhe maksimumi i panjohur. Krimi im i vetëm, se nuk kam vepruar në përputhje me vendimet e qeverisë kanadeze në përpjekjet për të mposhtur Covid-19 ose si e quan Trump “China virus”.
Qeveria ime e dashur kanadeze ka ndërhyrë energjikisht për të
mos lejuar përhapjen e Covid, pasi mbeti pas në vaksinim jo vetëm nga fqinjët e
saj të pasur, por edhe pas Greqisë të Qiriakos dhe Shqipërisë të Eduinit. Në
kundërshtim me udhëzimet e qeverisë të Dru-do-së, unë udhëtova drejt SHBA-së
pas 17 muajve karantine të plotë, të përgjegjshme dhe efikase. Nuk ju afrova as
hijes së ndonjë njeriu më pak se 2 metra për 17 muaj. Sa më zuri një mall t’i
mbaja erë njeriu (“më vjen era mish njeriu!”)dhe nuk e peshova shumë por u lëshova
në Amerikë ku shumica e njerëzve janë vaksinuar. Që të hyja në avion duhet të më
gudulisnin në dy flegrat e hundës për 150 dollarë, po nuk pyeta. Në fund të
fundit flegrat më duheshin të pastruara mirë, për të mbajtur sa më shumë erë
njerëzish.
U vaksinova në Amerikë (me më të mirën e vaksinave
“Pfizer”-tha një miku im nga Vlora) dhe mora rrugën për në “folenë“ time në
Kebek pasi i gudulisa përsëri flegrat e hundës, këtë rradhë pa para në sajë të
bujarisë të “gjumashit Xho”.
Kusuret më nisën sa dola nga avioni në aeroportin e
Montrealit ku pas një rrebeshi pyetje përgjigjesh “Ke prenotuar hotel për
karntinë?”Jo”, “Po pse nuk ke prenotuar?” “Se nuk e dija.”, “Po pse nuk e dije”
ngritje supesh, më dërguan në oficerët e Ministrisë të Shëndetsisë, që më bënë
të njëjtat pyetje dhe ju dhashë të njëjtat përgjigje. Që atje më ndanë nga
gjithë pasagjerët e tjerë shëmbëllorë, që kishin prenotuar hotel dhe më thanë të
prisja ulur në platformat rrotulluese të valizheve, të cilat nuk rrotulloheshin
se s’kishte valixhe, pasi i gjithë aeroporti ishte bosh. Pasi më lanë një kohë
të gjatë të prisja ku me siguri survejohesha se si do reagoja, erdhi një tjetër
oficer i Ministrisë së Shëndetsisë, që më pyeti nëse do zgjidhja mes izolimit
vullnetar dhe gjobës 5 mijë dollarë dhe unë sigurisht që zgjodha izolimin
vullnetar.
Nuk di në bëra mirë apo jo, por shpejt e shpejt mendova se
unë kam vite në izolim vullnetar dhe s’ka arsye pse të harxhoj 5 mijë dollarë që
nuk i kam. Kështu që oficeri më tha se do rregjistrohem në kioskën e një nëpunëse
të Ministrisë së Shëndetsisë deri sa të vijë një oficere tjetër e Ministrisë së
Shëndetsisë që do më shoqëronte në pikën ku gudulisen flegrat e hundës. Nëpunësja
që hidhte të dhënat në komjuter qëlloi e ngadalshme, por unë nuk e humba
durimin se e dija që përpara do kisha një izolim vullnetar të papërcaktuar që
do zgjaste të paktën 24 orë ndërsa më e shumta nuk dihej.
Pastaj erdhi oficerja që më shoqëroi në gjithë terminalin
deri në pikën e “flegra gudulisjes” dhe më tha se do më priste jashtë. Atje i
dhashë të gjitha të dhënat që mu kërkuan, dhe që u futën përpikmërisht në sistem,
por kur më bënë pyetjen se në cilën godinë qeveritare do kryeja izolimin
vullnetar, unë ngrita supet duke ju thënë se këtë duhet ta dinte oficerja që më
priste jashtë. Këtu ndodhi impasi. Unë nuk mund të lejohesha të dilja jashtë të
gjeja oficeren dhe po ashtu nuk mund të lejohej nëpunësja e laboratorit të
përkohshëm që po hidhte të dhënat. Rrugëdalja e vetme ishte të prisnim deri sa
oficerja të mërzitej duke pritur jashtë dhe të vinte të më kërkonte. Kjo ndodhi
pas më shumë se 20 minutave, gjë që nuk më bezdisi as mua dhe as nëpunësen e
laboratorit, se të dy ishim të ngeshëm pasi jo vetëm që nuk kishte njerëz të
tjerë, por kishte edhe shumë nëpunëse dhe laborante të tjera që rrinin dhe nuk
kishin ç’bënin. Të paktën unë dhe nëpunësja përkatëse mund të bënim llogje për
kohën, për amerikën dhe qeverisjen efikase të Dru-do-së. Në terminal kishte
edhe shumë oficerë policie të vendosur në pika kyçe, nga ku mund të pikasnin
menjëherë nëse do bëja ndonjë lëvizje të pamenduar mirë për t’i shpëtuar
vetizolimit.
Oficarja ja tha në vesh nëpunës emrin e institucionit ku do
më shpinin, gjë që më frikësoi, se nuk kam dëgjuar shumë fjalë të mira rreth
burgjeve në Kebek. Nëpunësja e laboratorit më shkeli syrin, gjë që e mora se
atje ku do shkoja nuk do ishte aq keq sa e mendoja, por mua tronditja nuk më
kaloi. Ndaj ndoshta e ndjeva shumë gudulisjen e tretë të flegrave të hundës, në
dy javë. Prej atje oficerja shoqëruese më shpuri në një qoshe tjetër, ku
prisnin disa nëpunës të një Ministrije që nuk e kuptova se cila ishte por pata
frikë se mund të ishte e Brendshmja dhe e Kampeve korrektuese, ku dhashë nga
fillimi të dhënat, që u rifutën për të katërtën herë në sistem. Pa asnjë
fyerje, pa torturë, pa vështrime përbuzëse. Më thanë të prisja në një poltronë
pranë deri sa të vinte mjeti transportues për në ndërtesën e caktuar për shkelësit
e urdhëresës qeveritare për mbrojtjen nga Covid-19.
(vijon)
No comments:
Post a Comment