Tuesday, 25 May 2021

24 orë ose më shumë burg (4)

 


(vijim)

Prerjet kishin arritur në një dhimbje të padurueshme, sa i vetmi shpëtim ishte të shtrëngoja me dhëmbë jastëkun dhe të këndoja me mendje “Kuq është ku lind e perëndon/ Kuq është në jug e në veri”, kur u dëgjua një trokitje në derë dhe më pas “Letrën higjenike e ke të varur në dorezë. Nxirr vetëm dorën jashtë për ta marrë!” Me gjunjë të thyer eca deri tek dera dhe mora qesen me topin shpëtimtar të letrës higjenike. “Nuk duhet të kisha ngrënë atë sanduiçin në aeroport” mendova dhe e humba mendjen në kujtimet e zboreve në Mamurras dhe Voskopojë, kohë kur punonim, jetonim e mbroheshim si në rrethim dhe nuk kishim letër higjenike. Në Mamurras të paktën pyjet ishin me drurë gjethorë dhe jo si në Voskopojë.

Ashtu si në Mamurras u plasa mbi shtrat dhe urova të flija të paktën 24 orë rrjesht dhe të zgjohesha me shpresën se diçka do kishte ndodhur pas atij gjumi të gjatë. Ndoshta dikush nga bashkësia shqiptaro-kanadeze do kishte ndjerë mungesën time dhe të kishte lajmëruar ambasadorin tonë në Otava dhe prej atje “haberi” të kishte shkuar në Olta Xhaçka, e cila edhe pse nuk ka idenë se kush jam mund të ishte këshilluar me Ministrin e Mbrojtjes Niko Peleshi për rastin “Naum Mara” që tingëllon si nga Korça. Dhe me siguri, pas fitores në zgjedhje, Peleshi do ndjehej më zemërgjërë se kurrë dhe do më falte mua fajet e bëra me dashje dhe padashje dhe do ndërhynin si Qeveri për një lirim të shpejtë dhe pa kushte. Në fund të fundit unë kam shkruar edhe kundër Saliut dhe me të kam qënë më i rreptë dhe më parimor. Po a është Peleshi kundër Saliut?

Në ato minutat e para që janë midis ëndrrës dhe zhgjëndrës truri mu hallakat edhe në një mundësi tjetër shpëtimi për hir të Mësonjtores, çështje që do angazhonte opinionin publik korçar, organizatën “Diaspora për Shqipërinë e Lirë, klubin “Dora” në Vienë dhe Miun e Gjirizave që ishte indinjuar për ABC-në. Mundet edhe Ministrja e Kulturës Elva Margariti e mallëngjyer nga shkrimet e mija të kërkonte ekstradimin e menjëhershëm në Shqipëri për të punuar për rinovimin e projektit të rinovimit të Mësonjtores të posarinovuar…

Më zgjoi e trokitura në derë me thirrjen “Darka!” dhe duke ndjekur të njëjtat veprime si me topin e letrës higjenike zgjata dorën nga dera pak e hapur dhe rrëmbeva qesen me diçka të ngrohtë brenda saj. Kaneloni dhe bebi karrota, kërcej selinoje dhe pak salcë qezariane.  Kaneloni nuk kisha ngrënë që në kohët e “Vollgës”, kur i mashtruar nga ai që është tani avokati im në Tiranë, pata hapur në maksimum gojën nga ku më kishte rënë një ligë e tejzgjatur. Ai që projektonte të ishte avokat në të ardhmen, kishte përsosur që në atë kohë artin e ngopjes të tjetrit me “furkulicë“ bosh. Ende më vlon edhe sot ndjenja e hakmarrjes kur shikoj kaneloni.

Por nuk mund të hakmerrem ndaj Dru-do-së që më jep kaneloni ndaj përsëri hakmarrja më drejtohet gabimisht në Saliu, Like Floriri dhe Ed-jorgani, që edhe pse kanë vjedhur sa kanë mundur nuk i kanë futur kurrë në vetizolim si mua. Po Qifja me Tom Doshin! Po Erioni i Luanit të ndjerë të ushtarakes! Se “apetitin” e Nanos për të vjedhur, tani që jam në izolim e kuptoj mirë. Nuk të bën asnjë gjë përshtypje. Thua sa të dal po po mos ja futa ndonjë banke dhe të rrëmbej ç’të mund se nuk paska drejtësi kjo botë! (Këtë punën e bankave dhe vjedhjes së tyre e kam për zemër që kur kam parë filmin rumun“Vrasja e Majorit”, me Solomonikën që hapte kasafortat. S’kam lënë që atëhere film pa parë me vjedhje bankash!)

Lëpiva edhe fundin e salcëmbajtëses dhe u shtriva përsëri. I ngopur po i pashpresë. I çlodhur por pa fantazi. I gjallë por i braktisur. I egërsuar por pa objektiv të qartë. Tavani është i bardhë dhe të bardha janë edhe muret. Carçafët po të bardhë dhe faqja e jastëkut pak e hirtë. Nuk është as vapë as ftohtë, që më bën të mendoj se temperatura e dhomës është 21 gradë Celsius. Temperaturë që nuk të le të revoltohesh, por të dembelos. Cdo gjë e llogaritur në hollësi. Edhe provokimi me letrën higjenike. Se si do sillet dikush që nuk ka vepruar në përputhje me Dekretin e Qeverisë në luftën kundër Covid-19. Nga dritarja që sheh në oborrin e brendshëm duket vetëm një gjelbërim gjysëm i virgjër gjysëm i kultivuar në mes pa asnjë lule. Koha ka ndalur. Pikërisht se dënimi është për një kohë të pacaktuar. Asgjë nuk ka për të ndodhur. Si tek “Në pritje të Godosë“. Në pritje të ndryshimit të Dekretit të Trudosë. Tek Beket të paktën pritësit ishin dy dhe këmbenin nga një thuajse marrëzi. Unë duhet t’i shkruaj thuajse marrëzitë në mbiprehrës, pasi në Udhëzues thuhet se nuk lejohet të flasësh me zë të lartë. Për pordhë me zhurrmë të lartë nuk thuhej gjë. Por duhet disiplinuar vetë se ajrisja e dhomës nuk mund të bëhet nëpërmjet një dritareje që nuk hapet. Për më tepër edhe temperatura mund të ndryshojë nga 21 gradë nën efektin e gazqitjes.

Ora është po aq sa ishte herën e fundit kur e pashë. Nuk është mbushur minuta. Në këtë kohë që nuk lëviz Bill Gates fut në xhep edhe 2000 dollarë të tjerë. Ndaj kërkon të flerë me dikë tjetër veç Melisës. Cështje dollarësh dhe hormonesh, hormonesh dhe dollarësh. Mua dhe nëse më shkon mendja apo më lëvizin hormonet në drejtim të gabuar nuk më lejohet të fle me dikë tjetër. Vetizolim i plotë dhe për një kohë prej 24 orë deri në papërcaktim. Papërcaktimi është e përjetshmja. “I përjeeetshëëëëm kujtiiiimiiii” më sjell ndërmend Papa Spiron e intonuar, me një zë që të sjell një ndjenjë prehjeje dhe gati dëshirë për të vdekur, por në një gjendje thuajse të vdekur, kur mund të dëgjosh se sa ëmbëlsisht këndohet për ty “I përjeeetshëëëm kujtiiimiii!” Papa Spiron e kam njohur që kur ishte vetëm Spiro i biri i dhjakos dhe më ka lënë mbresa për figurën gati hyjnore. Tani është një prift plot thjeshtësi, mistikë, përkushtim dhe dashuri të pakushtëzuar. Edhe kantaautor.

(vijon)

 

No comments:

Post a Comment