Mësonjtorja e Parë Shqipe u riparua, u ristrukturua si muze dhe u përurua në mars, një javë pas 7 marsit ose 134 vjetorit të hapjes.
U planifikua të hapej në fushatën zgjedhore për Parlamentin
shqiptar për të fituar disa vota më shumë në Korçë, gjë që nuk është e anormale
edhe në vendet me demokraci të zhvilluara. Partitë që janë në fuqi mundohen që
shumë përurime të përkojnë me fushatat për zgjedhje qëndrore apo lokale. Por për
shkak të nxitimit, mungesës së profesionalizmit dhe vjedhjes së hapur të
fondeve, çështja Mësonjtore për pak u kthye në një bumerang, që mund të sillte
rrjedhje votash të socialistëve. Korçarët(dhe shumë të tjerë) me të drejtë u
indinjuan për kthimin e saj në një muze pa identitet, për restaurimin jo sipas
kritereve të duhura, për lëvizjen e grupit skulpturor të ABC-së dhe më shumë për
ndryshimin e emrit dhe statusit të Muzeut.
Reagimi i qytetarëve u kap shpejt nga një emision i Top
Channel, që nxorri zbuluar ata që ishin marrë me Mësonjtoren nga Drejtorja e
Institutit të Monumenteve (ose diçka e lidhur me Traditat Kulturore, që nuk ka
shumë rëndësi) e deri tek dikush që nuk dihet se ç’është e që është marrë me
historinë e Korçës, Niko Kotherja. Përballë disa specialistëve dhe gazetarëve
Kotherja dhe Dollani u dukën si dy “hajdutë idiotë të kapur me presh në dorë“,
që nuk dinin as se si të gënjenin. Emisioni duket që kishte shkuar deri tek
veshët e Ramës (bashkë me reagimet e qytetarëve), sepse pas përurimit në qytet
u panë disa lëvizje si mbulimi sërish i kangjellave për të dëshmuar se përurimi
kishte qënë i parakohshëm dhe diçka tjetër po bëhej. Natën u sollën bangat e
vjetra dhe u rivendosën në katin përdhe, u rikrijua bazamenti i ABC-së dhe
duket se grupi skulpturor nuk u la më në baltën e lulishtes.
Më e çuditshmja ishte se asnjë nga partitë opozitare as në
nivel qëndror dhe as në atë lokal nuk u morrën me “çështjen Mësonjtorja”. U
dukej e parëndësishme? Dilte jashtë mesazhit që donin të përcillnin tek qytetarët?
E kuptoj që PD-ja “nuk kishte gojë“, se gjatë qeverisjes së saj e kishte lënë
Muzeun në gjendje të mjerë, por të njëjtën gjë pat bërë edhe në shumë raste të
tjera dhe nuk e kishte për gjë t’i përmendte gjatë fushatës.
Cuditërisht edhe gazetarët e emisionit “Shqipëria Live”, që
kishin premtuar se do e vazhdonin diskutimin në emisone të tjera nuk e prekën më
atë temë. U mundova t’i kontaktoja për t’ju thënë se kishte shumë njerëz që
kishin dëshim se si kishte qënë historia e Muzeut dhe mund të hidhnin dritë mbi
të, por vetëm heshtje. Dyshova se Ben Blushi mund të kishte gisht në të , si një
lloj favori ndaj Ramës e megjithatë kjo është thjesht hamendja ime.
Deri në ditët e zgjedhjeve “çështja Mësonjtorja” edhe pse
nuk u pasqyrua në mediat tradicionale zuri vend në ato sociale në sajë të
Mariela Faber, Artur Shkurtit, Lolitas, Diaspora për Shqipërinë dhe ndoshta
shumë individëve të tjerë. Madje organizata “Diaspora për Shqipërinë“ në bashkëpunim
me një klub shqiptar në Austri organizoi një “Tryezë të Rrumbullakët” online me
njerëz të fushave të ndryshme për çështjen në fjalë, të cilën e postoi në profilin
e saj në Facebook.
Kundërshtimet ishin të ndryshme dhe me pikënisje të
ndryshme. Kishte njerëz që kishin shumë nostalgji për Mësonjtoren si shkollë,
kishte të tjerë që nuk mund të pranonin ndryshimin e emrit, kishte shumë që nuk
pëlqenin ndryshimin e ABC-së, si dhe një pjesë e madhe që të pakënaqur me
pushtetin e Ramës shfrynin edhe për “çështjen e Mësonjtores”.
Një pjesë syresh, edhe gjatë “tryezës së rrumbullakët” donin
të lidhnin Mësonjtoren me shëmbjen e godinës së Teatrit Popullor, me dëmtimet në
Butrint apo me Velierën e Durrësit, për të dalë në konkluzionin se “Rilindja e
Ramës” mes të tjerave është një shkatërrimtare e vlerave kulturore të Kombit
tonë! Anatemimet shkonin deri tek deklaratat se “Rama e ka lënë Shqipërinë pa
teatër, pa Galeri Artesh, pa Opera dhe tani edhe me një Muze të Arsimit të të
shfytyruar”. Kishte të tjerë, që ndryshimin e statusit të Mësonjtores nga Muze
Kombëtar në lokal, bëhej me qëllimin e mbrapshtë “që shumë shpejt në Muze të
rifutej figura e Enver Hoxhës si profesor i Liceut”, ndërsa një avokate e
njohur shkonte edhe më larg “ndryshimi i statusit bëhet me qëllimin që në të
ardhmen të mbyllet dhe atje të ndërtohet një hotel shumëkatësh”! Pati edhe një
ish-nxënës i shkollës që dëshmonte se sa të ngulitur e kishte në kujtesë Mësonjtoren,
se kishte qënë edhe në kopështin me drekë nr 10 nga ku e shinte shpesh “godinën
e shenjtë“.
Kjo ishte një pjesë e “zhurrmës” së fundit të marsit dhe
fillimit të prillit, të cilës i mungoi thuajse totalisht angazhimi i historianëve,
akademikëve, gjuhëtarëve dhe arkitektëve shqiptarë. Vazhdonte të shkruante dhe
të ankohej në institucionet shqiptare dhe në ambasadat e huaja vetëm drejtori i
një shkolle private në Tiranë, Artur Shkurti, por ishte një zë në shkretëtirë. Pas
përfundimit të zgjedhjeve Mësonjtorja duket se u harrua nga të gjithë. Ose shoqëria
shqiptare lodhet shpejt, ose zhurrma ka qënë thuajse tërësisht e motivuar nga
pragzgjedhjet dhe dëshira për të rrëzuar PS-në nga pushteti. Ndoshta është edhe
një gërshetim i të dyja dukurive.
No comments:
Post a Comment