Ata rrinin çdo ditë në të njëjtën kafene në qendër të fshatit dhe shfrynin kundër Sulltan Hamitit, kadijve dhe bejlerëve. Njëri kishte punuar ca kohë në Lion dhe kishte shumë besim se Franca do na ndihmonte. Tjetri kishte shumë besim në Amerika, pasi kishte bërë një vit kurbet në Filadelfia. I treti nuk kishte punuar jashtë vendit por ishte i bindur se pa patur në krah Ingliterrën nuk bëheshim dot më vete. Grindeshin, pajtoheshin dhe të nesërmen ishin përsëri në të njëjtën tavolinë.
Edhe një çerek shekulli më pas nuk ishin larguar nga fshati,
po kolliteshin më shpesh, ju ishin shtuar rrudhat dhe kur grindeshin thërrisnin
më shumë se njëri nuk dëgjonte nga veshi i djathtë. Shanin Zogun, kadijtë,
bejlerët dhe ai që kishte qënë në Lion kishte shpresë në Rusia. “Amerikani”
mburrej me atë që kishte bër Presidenti Uillson për Shqipërinë dhe i besonte
vetëm Amerikës, kurse ai që nuk kishte bërë kurbet përsëri shpresat i kishte në
Ingliterra, por theshte që edhe Musolini mund të bënte derman për të ujdisur
Shqipërinë.
Kishin vdekur jo shumë larg në vite nga njëri tjetri dhe të
gjithë i kujtonin me mall. Djali i të vëllait të Lionezit dhe djemtë e dy të
tjerëve kishin zënë këmbën e tyre në të njëjtën kafene. Flisnin me zë të ulët
dhe kur kishte shumë njerëz rreth e rroturll ja merrnin këngës. Kur nuk këndonin,
gjysëm nën zë dhe me nofka e fjalë që i dinin vetëm ata të tre, shanin Enverin,
Mehmetin, sigurimsat dhe kryetarin e kooperativës. Nipi shpresonte në Franca,
djali i amerikanit në anglo-amerikanët, kurse djali i jo të mërguarit kishte
shpresë në Titoja. Si iknin nga kafeneja ju vinin veshin radiove të huaja, që
kishin emisione shqip.
Jetuan deri sa panë ditët e bardha të vdekjes së Hoxhës, rënies
të Murit të Berlinit, votuan edhe për kundërshtarët e komunizmit dhe ikën të
qetë nga kjo jetë, të veshur me kostumet e dasmës. Në kafenenë e fshatit,
tavolinën ja u ruanin trashëgimtarëve të tyre, që ishin njerëz të nderuar,
atdhetarë dhe që kujdeseshin për traditat kulturore të fshatit dhe të zonës. Këndonin
bukur dhe grindeshin për politikë. Shanin Saliun, Nanon, Ramën, kadijtë e
korruptuar dhe doktorët që nuk të zinin me dorë po mos ju jepje para. Djali i të
nipit të Lionezit kishte besim vetëm në Europa e Bashkuar, nipi i amerikanit
vetëm tek ambasadorët amerikanë dhe nipi i vendaliut që nuk kishte qënë kurrë në
kurbet thoshte “Skandinavët mund ta bëjnë këtë vend!” Kishte raste që thërrisnin
aq shumë sa pronari i ri i kafenesë i kishte paralajmëruar se nuk do ja u
ruante më tavolinën, por të gjithë e dinin se ai ishte një kërcënim i kotë, se
ata jo vetëm do vazhdonin të vinin atje, por do ja u linin trashëgim edhe fëmijëve
të fëmijëve. Deri në amëshim. Kur e kalonin pak masën në raki ja merrnin:”…Se Zoti vetë e tha me gojë/ Se kombet
shuhen përmbi dhe/ Po Shqipëria do të rrojë/ Për k’të, për k’të luftojmë ne!”
No comments:
Post a Comment