Përsëri një e mirë e madhe, edhe pse e vonuar nga Uashingtoni për Shqipërinë. Berisha shpallet nga Amerika “person non-gratta”!
Duhet të kishte ndodhur në vitin 1997, pra një çerek
shekulli më parë, por edhe tani është mirë për shqiptarët. Nuk është mrekullisht
mirë, por një shenjë për gjithë politikanët e korruptuar, se nuk do tolerohen pafundësisht
nga vendi më i fuqishëm dhe më demokratik i botës.
Nëse në majin e vitit 1997, Sali Berisha do ishte
konsideruar nga SHBA si kriminel, shumë gjëra do shkonin më mirë për Shqipërinë
dhe nuk do kishim as korrupsionin e tejskajshëm të Nanos dhe Metës, as ngjarjet
e vitit 1998, as vrasjet e 21 janarit dhe as tre mandatet e të korruptuarit
Rama. Do kishte korrupsion si në shumë vende të Europës Lindore, por jo në çdo
qelizë të jetës shqiptare dhe jo të tillë arrogancë të politikës dhe lidhje me
krimin e organizuar si është sot.
Por ajo që nuk ka ndodhur nuk ka asnjë rëndësi, ndaj le të
shtojmë disa rrjeshta se cila është e mira që i vjen shqiptarëve nga kjo masë e
Uashingtonit.
Pas familjes Berisha, shqiptari më i pakënaqur nga kjo masë është
Edi Rama, ose si e quanin në fillimin e këtij shekulli në Tiranë- Berisha me
xhinse. Kuptohet që të trembur janë edhe shumë politikanë të të gjithë krahëve me
në krye çiftin Meta-Kryemadhi sepse sinjali është i qartë: Klasa politike shqiptare është thellësisht e përlyer dhe duhet të zëvendësohet
me një klasë të re politike.
Mbështetësit e Saliut dhe shumë dritshkurtër të tjerë mund të
ngrejnë lloj-lloj teorish, se Amerika drejtohet tani nga “komunistët”, se Sorrosi
ja arriti qëllimit, se “klani sërb” po ndikon në Uashington dhe çdo idiotllëk
tjetër, por ajo që vlen dhe më mirë e kuptojnë politikanët kriminelë shqiptarë,
është se një ditë do ju vijë rradha nëse nuk ndryshojnë ose nuk largohen nga
politika për të shijuar ato ç’ka vodhën, sikundër ka bërë Fatos Nanoja.
A duhet konsideruar si nisja e një “epoke të ndritur” në
shoqërinë shqiptare?
Eshtë ende shumë shpejt dhe “molepsja” e politikës,
administratës dhe institucioneve është aq e thellë, sa frika nga Uashingtoni
nuk mund ta pastrojë për 5-6 vjet, por është një sinjal i mirë se “këneta” nuk
mund të pranohet pambarimisht nga SHBA dhe Bashkimi Europian.
Rastësisht pardje, pa ditur se ç’ndodhte rreth Shqipërisë, në
një restorant të Nju Jorkut, pronari italian po na tregonte në një dosje me
foto, një fotografi të vjetër të tij mbi një Vespa. Ndërsa shfletote dosje me
foto të futura brenda mbështjelljeve plastike dallova profilin e Berishës mes
disa njerëzve pas një darke dhe e pyeta italianin nëse kishte qënë Saliu në
restorantin e tij. Kam patur një sallë banketesh më tha pa më dhënë mundësinë të
shihja mirë foton e Berishës, besoj se me komunitetin shqiptaro-amerikan të Nju
Jorkut.
Saliu, Shkëlzeni dhe Argita nuk do kenë më raste për foto të
kësaj natyre. Dikush mund të thotë:”Nuk ju bëhet vonë se u bënë miliarderë!” Edhe
mund të ketë të drejtë, por shenja të tilla tregojnë se e tatëpjeta ka nisur
dhe zakonisht fundi nuk është shumë i lakmueshëm. Por le të kemi durim e të
shohim se çdo sjellë e ardhmja për Metën, Erion Veliajn dhe më vonë edhe për
Ramën.
Askush nuk është mbi ligjin për Shtetet e Bashkuara!
No comments:
Post a Comment