Një lexues/e i/e rastësishme e blog-ut i/e vetquajtur “Rastësia” duket duke kërkuar në google emrin Enver Halili, ka hasur në një shkrim timin të datës 14 shkurt, ku përmendet mes të tjerësh edhe emri i Enver H., për disa ngjarje të lidhura me krijuesit letrarë të Korçës , kur ishte Sekretar i Parë. “Rastësia” ka komentuar se në ndryshim me gjithë njerëzit, që flasin ende me superlativa për Enver H., unë jam i vetmi që “vjell vrer”.
Enver Halili, që rastësisht ndan të njëjtin emër, mbiemër
dhe emër ati me Diktatorin, nuk përdori mbiemrin e tij Hoxha, por si të tillë përdori
emrin emrin e t’et Halili për të mos pasur ngatërresa jo fitimprurëse me
Enverin e Gjirokastrës. Vetë ishte “le e rrit” në Shkodër, ku është si zor të
flasin me superlativa se nuk kishte ndonjë reputacion për tu pasur lakmi edhe në
kulmin e karrierës së tij.
Por a është e vërtetë ajo që “aludon” “Rastësia” se unë dua
të vihem në qendër të vëmendjes duke përmendur personalitete, të cilët kanë
vdekur, në shkrimet e mija?
Mbase në subkoshiencë unë e kam një ndjenjë të tillë, se po
ta kisha të ndërgjegjshme, sigurisht që do kisha zgjedhur personalitete për të
shkruar rreth tyre, dhe jo Enver H., ose shumë të tjerë me të njëjtat vlera si
ai. Unë kam dëshirë të shkruaj për gjëra të cilat i njoh mirë dhe jam i sigurt,
dhe që mund të kenë interes nostalgjik për moshatarët e mij dhe ndoshta interes
kureshtjeje për më të rinjtë se unë.
Po le të tregohemi të drejtë me Enver H. jo sepse është
larguar para pesë vjetësh nga kjo jetë (sikundër shkruan “Rastësia”) por se të
drejtë duhet të jemi me të gjithë, sepse të gjithë edhe tek ata më të zinjtë ka
edhe pjesë të çelura e të mira.
A mundet që shumica e
korçarëve, të cilët e kanë njohur në kohën e tij si Sekretar i Parë i Rrethit
dhe disa vite më parë si sekretar për ideologjinë, të flasin me superlativa për
të?
Enver H. ka
arritur në Korçë aty rreth vitit 1975 ose 1976, kur ishte kulmi i terrorit
komunist i pas viti 1973, kur nisi spastrimi me rradhë i grupeve anti-parti që
shpuri në pushkatim dhjetra komunistë dhe anti-komunistë dhe futi në burgje me
mijra komunistë dhe anti-komunistë. Komunisti “me fytyrë prej zuske”(si e
kishte karakterizuar me të drejtë dikush në ato vite) kishte një sjellje më
njerëzore me njerëzit, po qe se krahasohej me të tjerë pushtetarë arrogantë të
asaj periudhe apo të periudhave të mëparshme. I përkiste klanit tarafit të
Ramiz Alisë, me ndikim në sektorin e ideologjisë të Komitetit Qëndror, shumë
përfaqësues të të cilit I ngjanin “shefit” të tyre, më liberal, më human, por
që nuk e kishin për gjë të të fusnin thikën pas shpine. Enver H. I kishte të
gjitha këto cilësi dhe disa të tjera më “perverte”, të cilat I kishte shfaqur
“rëndshëm” në Shkodër me mikun e tij të ngushtë Feçor Shehun, kur ky i fundit ishte
kryetar i Degës së Punëve të Brendshme.
Ndaj njeriu me buzëqeshje fallco “disi liberal” mund të
kishte emër të mirë në rrethet partiake dhe në ato të “kurvave”, pjestarë të të
cilëve mund të flasin edhe sot me superlativa, por jo tek korçarët e thjeshtë
dhe të ndershëm. Historitë e tij “rropullipërzjerëse” qarkullonin dëndur në
qytet dhe nuk ka se si opinioni i përgjithshëm ndaj tij të jetë pozitiv. Por
“të mira” të gjithë njerëzit me pushtet kanë bërë se e tillë ishte natyra e
regjimit ndaj me “superlativa” ka sot që shkruajnë për Diktatorin, Mehmet
Shehun, Kadri Hazbiun, Feçor Shehun, Ramiz Alinë, Nexhmije Hoxhën dhe Sulo
Gradecin. Po kush i bëri krimet në Shqipëri? Cilët ishin ata që votuan për të
pushkatuar shokët e tyre? Enver H. ishte ndër diskutantëtë më të zjarrtë në
Pleniumin e KQ, në diskretitimin e Kadri Hazbiut para se ta shpinin para skuadrës
së pushkatimit.
Në Korçë mund të përmend vetëm dy episode të thjeshta për të
treguar se kush ishte në të vërtetë Enver H. Në qershorin e vitit 1982, gjatë
kampionatit botëror të futbollit në Spanjë, në mënyrë të habitshme u arrestuan
duke luajtur poker në një shtëpi ndërsa shihnin futboll, disa profesionistë
shumë të njohur në qytet si mjekë, mësues dhe ekonomistë. Operacioni ishte
kryer me këmbënguljen e Enver H., atë kohë Sekretar i Parë, thjesht për një
xhelozi ndaj një të dashure të përbashkët me njërin nga pjesëmarrësit në
“party”. Mes pokeristëve kishte edhe antarë partie. Në mënyrë të turpshme, në
një kohë kur regjimi ishte zbutur, Sekretari i Parë, rahmet pastë Enver H.,
njollosi dhjetra familje të nderuara korçare. Nuk besoj se ata flasin me superlativa
për të.
Enver H. i nxiu jetën të ndjerit Jani Mio, asokohe kryetar i
komitetit ekzekutiv, një nga ekonomistët më të mirë të vendit, i cili edhe pse
komunist ishte e kundërta e komunistit “me fytyrë zuske”. Korçari Mio nga një
familje e pasur dhe e nderuar përfundoi deri në ekonomist i thjeshtë nga
hakmarrja e atij për të cilin “Rastësia” shkruan se flitet edhe sot me
superlativa. Nëse do kishte pasur edhe më shumë fuqi, Enver H. nuk do kishte
kursyer as burgun për Janin.
Mund të ketë edhe qindra episode më “kriminale”, por unë as
kam pasur dëshirë dhe as kam të gërmoj për “bëmat” e tij. Mendoj se ishte një
produkt i kohës, ose më mirë një karakter që mund të arrinte në pushtet në çdo
kohë se nuk njihte skrupuj.
Rastësisht ai lindi në atë periudhë dhe po rastësisht punoi
në Korçë, ndaj dhe unë e kam njohur krejt rastësisht. Për fatin tim të mirë nuk
jam ndeshur me të, sikundër jam përplasur me “kopje” të tij jo Sekretarë të
Parë. E di fare mirë se ç’përvojë mund të kisha po qe se do ndeshesha me
buzëqeshjen e tij të shtirur prej kodoshi.
Nëse rastësisht e lexon edhe këtë shënim “Rastësia” mbase
kupton diçka më shumë se kush ishte njeiu të cilin e mbron me pathos.
No comments:
Post a Comment