Gjatë dhjetvjeçarit të fundit Korça është kthyer në një qytet turistik kryesor i Shqipërisë dhe renditet nga numuri i vizitorëve pas Durrësit duke lënë pas qytete me traditë si Vlora, Saranda apo Pogradeci. Mund të flitet shumë për strategjitë e ndjekura nga Peleshi dhe grupi i tij me investimet për restaurime, me kalendarin e pasur me ngjarje që tërheqin ata që duna të kalojnë ditë plot veprimtari etj. Bindja ime është se ndikimi i grupit Peleshi nuk është ai që propagandohet, por janë të tjera cilësi të Korçës si pastërtia, qetësia, mbajtja e rregullit dhe afëria me Dardhën e Voskopojën, që ndjellin sidomos turistët vendas, e megjithatë ka pak rëndësi opinion im, por ajo çka është e dukshme është fakti i njohur i rritjes së madhe të turizmit, që nuk ka ekzistuar ndonjëherë në historinë e qytetit në këtë shkallë.
Po a duhet të gëzohemi apo të na bëjë të mendojmë kjo rritje
kaq e madhe e turizmit?
Në kushtet e një ekonomie shumë të çoroditur shqiptare,
turizmi është një mënyrë për të shtuar të ardhurat e një qyteti apo një zone.
Natyra e turizmit të Korçës është pak a shumë ajo e fundjavës të atyre që
jetojnë në Tiranë dhe në qytete të tjera të mëdha, për tu larguar nga rrëmuja e
metropolit dhe për tu zbavitur me “të ngrëna të mira dhe argëtim të thjeshtë në
Korçë“. Ky është “trendi” kryesor dhe që mbush në fundjavë plot e përplot të
gjitha bujtinat dhe dhomat që ofrohen për bujtësit vendas dhe të huaj.
Vizitorët shpenzojnë për fjetje dhe ngrënie dhe të gjitha këto investohen në
rikonstruksionin e shtëpive dhe bujtinave, në gjelltore dhe bare, në mobilje
dhe paisje në funksion të turizmit.
Deri këtu të krijohet përshtypja që jo vetëm ata që janë
pjesë e këtij sektori, por edhe të tjerë si shoferët e taksive, këngëtarët e serenatave,
pikat e karburantit, lavazhet e makinave e të tjerë nxjerrin më shumë të
ardhura për familjet e tyre. Po a mjaftojnë për rritjen dhe zhvillimin e
qytetit?
Nëse shohim në vendet fqinje (dhe jo vetëm tek ato) fshatrat
dhe qytetet turistike janë zona që shkojnë gradualisht rreth plakjes së
popullsisë dhe uljes së numurit të banorëve. Shembulli më tipik është Venecia,
perla e turizmit Italian dhe një nga qytetet më të vizituar në botë.
E gjithë krahina e Venecias ka të njëjtën popullsi që kishte
400 vjet më parë, ndërsa vetë qyteti ka rënie të dukshme sidomos në 40 vjetët e
fundit. Më 1980 kishte 120 mijë banorë, ndërsa tani ka vetëm 50 mijë, pra një
popullsi pak a shumë sa ajo e Korçës. Pa hyrë thellë në arsyet se pse venecianët
(sidomos të rinjtë) largohen nga Venecia, fakti më i rëndësishëm, që na vlen
edhe për të ardhmen e qytetit tonë është se vetëm me turizëm qytetet nuk mund të
mbahen por degradojnë. Dhe këtu bëhet fjalë për një qytet, që dikur ishte një
shtet i fuqishëm me shumë koloni dhe ende ka institucione të rëndësishme
kulturore dhe financiare, përpos që është edhe në trashëgimninë botërore që
mbrohet nga Unesko. Pra në një vend me pasuri të mëdha, ku vazhdojnë të hyjnë
fonde publike, të rinjtë nuk gjejnë të ardhmen por largohen drejt Milanos, Romës
apo qyteteve të tjera europiane.
Sikundër e përmenda më sipër, kjo është një dukuri mbarëeuropiane
dhe ndoshta edhe botërore. Të rinjtë largohen nga ishujt e Greqisë, nga qytezat
turistike të Spanjës dhe Francës, nga vendet me turizëm të zhvilluar të
Shteteve të Bashkuara etj. Ndoshta ajo ç’ka ndodhi me Covid dhe me kthimin e një
pjese të punëve të zyrave nga shtëpia mund të kthejë një pjesë profesionistësh
në këto vende të qeta dhe “të plakura”, por kjo nuk ka për të ndodhur të paktën
për dy-tre dhjetvjeçarë me Korçën.
(vijon)
No comments:
Post a Comment