Thursday 31 December 2020

Dialog me Arkitektin Pa Kufij (2)

 


(vijim)

Unë: Me një fjalë ju thoni se ato çka i quajmë “gabime të arkitektëve dhe urbanistëve”, janë rrjedhojë e “trysnisë“ mendore, që vjen nga masat e investitorëve të mëdhenj dhe të vegjël? Nuk do ishte më mirë, që profesionistët të udhëhiqnin një lloj “revolucioni” në arkitekturën e një vendi, në këtë rast të Shqipërisë?

APK: 100 vjet më parë, Corbyzjeja shkruante që: “Stilet janë të rreme. Vetë stili është një bashkësi parimesh, që i japin jetë gjithë punëve të një periudhe dhe që sjell një frymë karakteristike… Epoka jonë kristalizon çdo ditë stilin e saj…” Pra nuk mund të jenë arkitektët ata që do përcaktojnë ose do udhëheqin mënyrën se si konceptohet hapësira dhe mënyra e të ndërtuarit, por është epoka ajo që e përcakton. Një periudhë “tranzicioni” në zhvillimet sociale, ato ekonomike dhe ligjore do rezultojë në një lloj “kakofonie” stilesh dhe qëndrimesh ndaj arkitekturës. Në fazat e para të zhvillimit të qyteteve shqiptare post-komunizëm, projektet e “kioskave” të vogla dhe gjigande, vendosja e tyre në zonat qëndrore të qyteteve dhe në parqe ishin vepra të arkitektëve dhe të urbanistëve. Edhe për shkak të mosformimit shumë të mirë arsimor të profesionistëve, u bënë gafa nga më të marrat, por kryesore ishte mendësia e “turmës”, që përcaktoi prirjet ndërtimore të asaj kohe. Ndaj që të presësh se arkitektët mund të  kryejnë “revolucion” në arkitekturë dhe më shumë akoma të sjellin edhe një “revolucion social” është utopi e pastër.

Unë: Mua nuk më pëlqen idea, që arkitekturën e periudhës së tranzicionit ta quajmë “arkitekturë tranzicionale”, sepse kam frikë se tranzicioni shqiptar do zgjatë edhe 50 vite të tjera dhe më duket shumë pesimist parashikimi se edhe në 50 vite të tjera hapat në konceptimin e ndërtimeve do jenë shumë të vogla. Për më tepër kemi shembujt e Dubait, Katarit, Shangait apo Moskës, ku edhe pse shoqëria është në tranzicion, investimet e mëdha kanë qënë ndër veprat më në pararojë të arkitekturës bashkëkohore.

APK: Këtu kalojmë në një ide tjetër po aq të diskutueshme. A është arkitektura e një qyteti apo një vendi arkitektura e disa veprave të mëdha edhe nëse ato janë të gjitha të shkëlqyera? Unë mendoj që nuk është. Nuk mund t’i karakterizojmë ndërtimet e Bilbaos me cilësitë e “Guggenheim” të Gehry-t, as ato të Moskës me “Evolution Tower” të Kettle, apo edhe më tej arkitekturën e Barcelonës me veprat e Antonio Gaudit. Këto “perla” mund të shkëlqejnë edhe më shumë pikërisht se nuk kanë karakteristikat e arkitekturës të një hapësire të caktuar urbane. Karakteristikat më tipike janë ato që shihen në rrugët, parqet, banesat, në orientimin ndaj diellit, në përdorimin e ngjyrave dhe ngarkesën e dekorimeve etj.etj. Pikërisht në njësitë më bazë dhe më të thjeshta të arkitekturës të një qyteti, të një zone apo të një vendi. Ndaj në këto rrënjëza (dhe degëza) duhet të kërkojmë edhe se ku është arkitektura shqiptare e sotme, dhe se sa epoka në të cilën jemi e ka përcaktuar atë.


Unë: Atëhere duhet të kthehemi në idea e “international style”, sepse sipas jush nuk mund të ketë arkitekturë kombëtare apo arkitekturë të një qyteti të veçantë, i madh apo i vogël qoftë, pasi është vetëm “epoka” e cila përcakton rrugën që do ndjekë trajtimi i hapësirave dhe ndërtimeve?

APK: Ju po më “ngarkoni” me gjëra që nuk i kam thënë edhe pse vetëm para 5 minutash e e cikëm këtë ide. Citimi i Korbyzjesë nuk kishte të bënte me nevojën për “international style”, por me rolin përcaktues që luan e gjithë masa e investitorëve dhe projektuesve, në një kohë të caktuar dhe në një vend të caktuar, në varësi të formimit kulturoro-shoqëror. Për ta thjeshtëzuar pak, le të themi se miratimi i një studimi urbanistik pjesor varet nga tre “grupe” njerëzish – ata që do e finanacojnë (developer), ata që do e projektojnë (arkitektë dhe urbanistë) dhe ata që do e miratojnë (administrata lokale). Po le jashtë për rastin e Shqipërisë, grupin e katërt dhe më të madh, që është opinion publik. Nga konceptet ekonomike, shoqërore, kulturore, ndërtimore të tre grupeve të sipërpërmendur do rrjedhë rezultantja e zhvillimit të një hapësire të caktuar. Nëse do predominojë “ideja dhe formimi” i një grupi, kjo varet shumë nga “forca” e investitorit, arkitektit apo administratorit, por gjithsesi në më të shumtën e rasteve do jetë një rezultante. Në vendet ku i jepet më shumë rëndësi opinionit publik, atëhere kjo rezultante është akoma më pranë atij që quajmë “shpirti i epokës”. Por edhe në rastin e “demokracive hibride”, si është Shqipëria, edhe pse “administratorët” mund të jenë shumë të fuqishëm, arkitektura mbetet nën “kontrollin” e “shpirtit të epokës”. Psh. gjatë viteve të para, kur Edi Rama ishte Kryetar i Bashkisë së Tiranës, jo vetëm fasadat e vjetra të banesave kolektive i kthehu në “lulushanka”, por edhe ndërtimet e reja që “miratonte” kërkonte të ishin të asaj fryme. Më pas erdhi në rrugën “normale” të një lloj racionalizmi edhe pse si artist dhe karakter ishte dhe mbetet ekzibizionist. Dhe jo pse pa në ëndërr Van Der Rohen apo Filip Xhonsonin, por sepse ndjeu “trysninë“ e ideve të pëlqyeshme nga shumica e njerëzve, profesionistë ose jo profesionistë. As “korrupsioni”, kjo dukuri kaq e përhapur në “demokracitë hibride” nuk luan asnjë rol në përcaktimin e frymës së ndërtimeve apo të stilit të tyre.

Unë: Si ka mundësi që arrini në këtë përfundim? A nuk është korrupsioni ai që solli atë që quajmë “betonizim i qyteteve” dhe që vlen jo vetëm për Tiranën edhe pse atje është më i ndjeshëm? Po rasti i (mos)mbrojtjes së monumenteve kulturore dhe të arkitekturës, a nuk është pasojë e korrupsionit?

(vijon)

No comments:

Post a Comment