Një miku im më sugjeron, që përpjekjet për të shpëtuar Korçën
dhe qytetet e tjera nga “arbitrariteti” i administratorëve lokalë dhe
projektuesve të huaj dhe vendas
“të papërgjegjshëm” nuk duhet të jenë individuale, por “gjithëpërfshirëse”, me
pjesëmarjen jo vetëm të një forumi, por të disave të tillë.
Në forumet, që mund të ndihnin për të “ngritur zërin” ishin
forumet e shkollave të arkitekturës(private dhe shtetërore), forumet e
mbrojtjes së trashëgimisë, ato të ruajtjes së peisazhit dhe të mbojtjes së
mjedisit.
Pra Forumet ekzistojnë, bile janë jo të pakta, por thjesht
duhen ngacmuar, “që të futen në lojën kritikuese për të shpëtuar qytetet”.
Forumi romak ishte një shesh i hapur, ku zhvilloheshin shumë
veprimtari publike, duke nisur me tregëtinë dhe deri në diskutimet shoqërore.
Në kohën tonë, “Forumi” është një hapësirë gjigande në
internet, por ndoshta nga përmasat stërmëdha nuk arrin të dëgjosh zërat, që
flasin për të njëjtin “hall” që ke edhe ti.
Ndaj duhet të trokasësh në dyert e “forumeve” përkatës për të
folur me forumistët. Eshtë e mira, që të jenë arkitektë, urbanistë dh e ndërtues,
për të patur një diskutim me të njëjtën gjuhë, edhe pse parimet e prokjektimit,
restaurimit, rivitalizmit mund të mos jenë të ngjashme me ato, të cilat ndjek
ti. Por pikërisht nga përplasja e ideve mund të dalin edhe mënyra më të sakta të
konceptimit të qendrave të banuara, hapësirave të gjelbërta, raporteve të ndërtimeve
me këmbësorët, e sa e sa të tjera si këto, që ka mijëra vite që rrihen në
“mjediset” e profesionistëve, por më tepër akoma në mes të komuniteteve.
Disa nga Forumet, ku u rreka të trokas, janë të lidhur me
qeverinë dhe ndjekin parimin e “shurrdhësisë“ ndaj asaj, që përpiqesh t’ju
thuash. Përgjithësisht të përgjigjen me terma shterpë si “funksionalizmi i hapësirave
publike në mijëvjeçarin e ri, konsiston në një gjithpërfshirje të raportit të
individit me të tërën dhe , që konsakrohen në një agora të shumëfishtë, ku mund
të spikasë Sheshi “Skënderbej”, i cili konkuron edhe në Bienalen e Barcelonës,
si hapësira më e përvijueshme e vitit 2018”.
Nuk më ngjan sin jë përplasje e derës së Forumit në fytyrë,
se fundja nuk është faji i tyre se unë nuk i kuptoj se ç’thonë.
Në një Forum të një universiteti privat, takoj një
moshatarin tim urbanist, me të cilin kemi ndarë në rini të njëjtat ëndrra për
arkitekturën. Më sqaron, se e bija është punësuar nën Shkrelin, që gjithashtu
ka një Forum nga këta proqeveritarët dhe edhe pse miku im, ndan të njëjtin
shqetësim me timin për Tiranën, Durrësin dhe Korçën, është e mira të ndjekë
karrierën e së bijës, karrierë që varet shumë edhe nga ajo ç’ka thua kundër
Shkrelit, Edi Ramës dhe Alban Eftimit.
Më në fund, një rreze shprese më lind kur takoj një urbanist
të vjetër, që shoqërohet nga një arkitekt i ri dhe i përkasin Forumit të Trashëgimisë.
Urbanisti më thotë mënjanë “Ky është nga tanët!” dhe unë e kuptoj, që ka të njëjtin
qëndrim kritik për ndërtimet në Qendër të Korçës. Filloj e “zbrazem” për ndërtimet,
që mbajnë firmën e Peter Wilson dhe ndërsa arkitekti i ri miraton me kokë,
urbanisti i vjetër më thotë mënjanë “Le të mos zemë emra në gojë. Më mirë të
flasim për parimet”. Më vonë mësoj, se urbanisti, që nuk do të zerë në gojë
emra të përveçëm, ka një lloj eskluziviteti për të projektuar në Pazarin e Korçës,
Qafën e Pazarit në Gjirokastër dhe në Bezistenin e Shkodrës.
Megjithatë nuk shkurajohem se janë edhe dhjetra forume të
tjera, por në të gjitha qëllon dikush, që ka motrën që punon në Bashki, nipin që
porsa prêt të diplomohet si arkitekt dhe i kanë premtuar një punë në ministrinë
e Kumbaros, apo është duke pritur rezultat e një tenderi ndaj nuk mund të
prononcohet publikisht.
Në Forumin e fundit, atë të Mbrojtjes së Mjedisit, takoj një
nga studentët më rebelë të kohës sime. E di që mjafton t’i shpjegoj se ç’ndodh
me ndërtimet në vendet skandinave dhe do e kem në krah për të luftuar për
kufizimin e ndërtimeve prej betoni.
Më thotë: “Më ka zënë belaja me djalin se përdor hashash dhe
shkruan vjersha për Edi Ramën, Niko Peleshin dhe Mirela Kumbaron. Të paktën nuk
është gay. Për momentin nuk dua ta zhgënjej!”
Atëhere nuk më mbetet gjë tjetër veç të dal në mes të sheshit
dhe të thërres:
“Ku t’i kërkoj rrënjët e tua Forum?”