Ka një përqëndrim tepër të papërpjesshëm të mediave kundër
opozitës së Djathtë shqiptare. Goditet kryesisht Lulëzim Basha, njerëzit e tij
të afërt, përkrahësit e tij më të zjarrtë, deputetët e rinj dhe të tjerë mbështetës
në politikë dhe media. Të krijohet përshtypja se për gjedjen e mjeruar të
politikës shqiptare, fajtori kryesor është lidershipi i Partisë Demokratike.
Kjo Parti e formuar si lëvizje, e orientuar në një drejtim,
e franksionuar, qëndrestare, e riorganizuar, e shfraksionuar, e përçarë, e
tradhëtuar, ka historinë e saj dhe rolin edhe pozitiv edhe negativ në
tranzicionin e zgjatur shqiptar. Por PD-ja tashmë është në opozitë dhe roli i
saj në 4 vitet që vijojnë do jetë aiiI kritikuesit, korrigjuesit dhe demaskuesit
të Qeverisë Rama. Bile edhe në këtë rol nuk do jetë e vetme, por do e ndajë me
LSI-në, sipas peshës që ka në Kuvend dhe përkatësisë të problemeve në spektrin
politik.
Por përse një pjesë e mirë e Medias merret me PD-në dhe veçanërisht
me kryetarin e saj Basha?
A janë zhvillimet brenda PD-së të një interesi të jashtëzakonshëm
për publikun shqiptar?
Basha nuk ka në dorë as të hartojë ligje, as të qeverisë, bile
as të krijojë një krizë të mundshme qeveritare sepse numuri i deputetëve të tij
është i kufizuar.
Atëhere përgjigjet e vetme të dy pyetjeve të mësipërme janë -
Pjesa më e madhe e Medias është e blerë
nga Rama, si dhe një pjesë e portaleve kanë inate personale dhe duan të
hakmerren ndaj Bashës.
Problemet e brendshme të Partisë Demokratike, me qejfmbetjetet
e Patozit, Topallit, Bregut, Imamit dhe Bodes, nuk i interesojnë aspak
qytetarit të thjeshtë shqiptar. Ato mund të zenë vend në shtypin e PD-së si
probleme rrymash dhe kontributesh, por nuk kanë asnjë lloj rëndësije për Shqipërinë
dhe shqipëtarët. Të sipërpërmendurit as kanë patur shpatulla të konkurojnë për
vendin e Prijësit të partisë, por kapen akoma me pandehma absurde si “Ah sikur
të ishte Olldashi!”
Problemet në këto 4 vite për Shqipërinë janë të mëdha dhe
thuajse të gjitha lidhen me një emër të vetëm- Edi Rama.
A do vazhdojë të përqëndrojë pushtet në duart e tij?
A do të jetë plotësisht i gatshëm për vënien në jetë në mënyrë
të plotë të Reformës në Drejtësi?
A do arrijë me politikat ekonomika një rritje solide të
GDP-së dhe të ngjallë shpresën e njerëzve në gjallërimin ekonomik të vendit?
A do jetë më i ekuilibruar në politikat e ndjekura ndaj
Kosovës dhe Maqedonisë?
A do arrijë të balancojë borxhin publik apo do e thellojë më
tej?
Këto janë vetëm disa ndër më kryesoret, por ka me dhjetra të
tjera po kaq të mëdha dhe të rëndësishme.
T’i biesh Lul Bashës sot, është njëlloj si “ t’i biesh
samarit-opozitë, se nuk kam ç’i bëj gomarit-qeveri!”
Dhe Qeveria ose nuk kritikhet nga frika “se mund të të bëjë
gjëmën”, ose se të ka mikluar me reklama, favorizime në biznes apo të tjera mënyra
të drejtpërdrejta e të tërthorta, që ka në dorë çdo Qeveri në botë.
Le të hamendësojmë për një çast, se në PD do vendoset
harmonija e plotë, dhe nga “qëndrestarët” e deri në “rishtarët”, “sorroistat”,
“antisorroistat” e nuk e di se çfarë do jenë në një front.
Do heshtin mediat “e mosvarme” dhe ato “të varme” kundër
Lulit, apo do sajohen historira të tjera me “inkurajime homoseksualësh”,
“moskompaktësi në votime”, “shitjeblerje deputetësh” e të tjera si këto?
Në një vend, ku shumica e lajmeve, artikujve dhe opinioneve
drejtohen kundër opozitës, ka gjasa të mëdha, që demokracija të jetë e
shtrembëruar dhe të ketë prirje të mëdha drejt totlitarizmit.
Për fatin e keq të Shqipërisë, Edi Rama kësaj ja ka arritur
me “bullizëm” dhe dhelpëri, me joshje dhe kërcënime, me leja ndërtimi dhe
prishje ndërtimesh.
Ky është gomar-elefandi në “odën shqiptare” për të cilin
flitet shumë pak dhe jo opozitari Lul Basha, për të cilin flitet nga mëngjesi e
deri në mbrëmje!
No comments:
Post a Comment