Kanë qëlluar këtë verë disa shkrime në shtypin shqiptar
online rreth Koço Kotës dhe Vasilika Dallamangos, gruas së dytë të tij.
Për Dallamangot kam shkruar edhe herë të tjera, pasi kam dëgjuar
shumë rreth tyre në fëmijërinë time. Ndoshta, një pjesë e atyre, që kujtoj, për
shkak të kohës së gjatë, që ka kaluar edhe mund të kenë ndonjë pasaktësi. Nëse
do mundja, ato që kam dëgjuar nga babai, t’i të gjitha riprodhoja saktësisht, do garantoja edhe ata,
që i lexojnë këto rrjeshta se ashtu ka ndodhur. Babai tregonte vetëm gjëra, të
cilat i dinte “me themel” dhe që përputheshin me realitetin apo me dëshmitë e të
tjerëve.
Gjikë Dallamangoja nga gruaja e tij, e urta Vikë, kishte
patur tre djem dhe tre çupa, prej të cilëve, Vasilika ishte e parafundit e fëmijëve
dhe më e bukura. Duhet të kishte lindur në Voskopojë më 1910 dhe e vogël, bashkë
me të tjerët i ishin bashkuar të jatit në Stamboll.
Kur e kam parë dy-tre herë, para se të internohej për së
dyti, Vasilika kishte gjithë hijen e bukur të Stambollit, “qytetit-urë“ të dy
kontinenteve. E gjatë, e veshur bukur edhe pse vetëm me të zeza, ajo binte në
sy në Korçë, nga mënyra se si ecte. Pa dashur të binte në sytë e kalimtarëve.
Pa asnjë lloj ekxibicionizmi, por mbresëlënëse.
Pak e kujtoj edhe të vetmen herë, që erdhi për vizitë tek
ne, së bashku me të motrën, Kaliroin, që atë kohë jetonte ende në stamboll. Të
tre vizitorët, (edhe Koço Dedeja, burri i Kaliroit), ishin oparakë, por që më
shumë ndjeheshin stambollinj. Atje kishin kaluar fëmijërinë dhe rininë e tyre. Dhe
veçanërisht për Dallamangot, kishin qënë dekada të një mirëqenieje për të pasur
zili.
Gjika me të vëllanë ishin pronarë të therrtoreve të
Stambollit (sallahanave) dhe flitet për një qytet me një million banorë asokohe
dhe me një “kuzhinë“ të bazuar në mishi. Por Gjika ishte edhe “shpirt njeriu”.
Kishte mbetur një oparak i mirë dhe bujar, që merrte në punë këdo, që vinte nga
Opari dhe Voskopoja. Të mijtë, jetonin në një ndërtesë me ta dhe kujtonin kur
Vika i thërriste ndonjëherë mëngjesave ndërsa ai nisej në punë, “se me se ta bënte
mishin”, dhe më pas vinte përgjigja e njohur “Me batate Vikë!”
Vasilika ishte rritur në kshte shumë të mira ekonomike,
ishte shkolluar dhe priste të niste rrugën e jetës. Por k ohët e mira kishin
filluar të perëndonin për “të huajt” në Turqi dhe më shumë për Dallamngot.
Taksat e larta, kriza ekonomike dhe shpenzimet marramendëse të vëllezërve të mëdhenj,
i patën “fundosur”. Pas vdekjes së Gjikës, e bukura Vasilika u martua me mjekun
politikan Koço Kotta, që ishte jo 20 vjet më i madh dhe i ve. Gradualisht e
gjithë familja u kthye në Korçë, ndërsa Vasilika jetoi në Tiranë me të shoqin, i
cili do ishte edhe kryeministri i fundit i Mbretërisë Shqiptare. Si mjek dhe figurë
e njohr publike, Koço Kotta ishte përfolur edhe për një helmim të gruas së parë,
por këto ishin si gjithë thashethemet rreth politikanëve të të gjithë kohrave në Europë. E vetmja e vërtetë
e sigurt e jetës së tij private, është që pati në krah, për rreth 15 vjet , një
grua të bukur, fisnike, të papërlyer, që u perndoq për shkak të tij edhe pas
vdekjes të ish-kryeministrit.
Në mes të mizorive dhe absurditeteve të kohës së Diktaturës,
dy internimet e Vasilika Kottës (Dallamangos) ishin ndër më absurdet. Ndoshta
edhe vetëm për shkak të funksionarëve të Sigurimit, që donin ta shtinin në dorë
atë grua të bukur dhe nuk ja dolën dot. Vëllai i vogël i saj, Josifi, kishte qënë
partizan dhe më vonë oficer e pedagog në Akademinë Ushtarake, dhe megjithatë nuk mund të bënte dot asgjë për të motrën e
pafaj.
Një grua e bukur, e gjitha në të zeza, ecte plot nur kalldrëmeve
të Korçës edhe pse ishte rritur në një metropol dhe kishte shëtitur edhe plot
qytete të Europës. Kishte zgjedhur të vinte pas burrit të saj, kur partizanët e
EAM-it, së bashku me të Clirimtares sonë, e kishin rrëmbyer ish-kryeministrin
pa asnjë urdhër arresti në Selanik.
Ishte vetëm 35 vjeçare dhe mund të qëndronte në Greqi, ose
dhe të jetonte në Stambollin e saj, ku kishte edhe të motrën. Por duke qënë
fisnike dhe e drejtë, zgjodhi rrugën e mundimshme të përkushtimit ndaj atij, të
cilit i kishte thënë “Po ” në altar.
Të tillë ishin oparakët Dallamango.
No comments:
Post a Comment