Kur flitet e shkruhet për Luftën nacional-çlirimtare më
shkon shpesh mendja në im atë. Ndjehem si i zënë në faj, në pohime të mija, herë
herë kategorike, kundër “bandës, që udhëhoqi nacional-çlirimtaren” dhe që
ushtroi më vonë dhunë të egër ndaj kundërshtarëve politikë, por edhe shokëve të
tyre, “që nuk ju vinin pas ujrave”. Më duket, sikur do më thotë “Po ti kastravec, as e ke idenë se ç’ishte ajo luftë dhe ke
kurajën të bësh konkluzione!”
Ai nuk përmendte shpesh, se kishte qënë partizan. Bile vetëm
kur unë, ende fëmijë, e pyesja si kishte lufuar dhe nëse kishte vrarë ndonjë
gjerman.
Ai kishte dalë për të luftuar pushtuesit italianë në majin e
vitit 1943, në të njohurin Mitingu i Voskopojës, kur Partia Komuniste kishte
organizuar “daljen në mal” të një numuri të madh liceistësh, anëtarë partie ose
të rinj komunistë apo antifashistë, për të treguar mbështetjen, që kishte në
rininë studentore. Studentët e Liceut ishin ndër njerëzit më të shkolluar dhe më
të respektuar të qytetit. Më të shumtit ishin nga familja të pasura ose në
gjendje të mirë ekonomike, sepse nuk ishte e lehtë të studioje një ose disa fëmijë
në Liceun Francez, që pas pushtimit quhej Liceu Kombëtar. Pjesa më e madhe
ishin të rinj inteligjentë, që aspironin për tu shkolluar më tej, si dhe për të
krijuar një botë të re, e ndryshme nga ajo e periudhës midis dy luftrave botërore.
Filofrëngë, dhe të frymëzuar nga idetë e Revolucionit Francez, për një pjesë të
tyre ishte e natyrshme të prireshin drejt komunizmit. Ndoshta shumë tërheqës për
të rinj me “gjak të nxehur” ishte edhe jakobinizmi i Robespierit, me gjyqet,
terrorin dhe ekzekutimet në gijotinë të “armiqve dhe tradhëtarëve të
Revolucionit”. Të rinj, që ishin privuar tash e 4 vjet, të studionin frëngjisht
me programet e Liceve Franceze, që shihnin ushtarët italianë tek ju ngjiteshin
vajzave të bukura, që mësonin për vrasjet dhe internimet e shokëve të tyre.
Kur pati hyrë Italia, babai ishte 17 vjeç dhe pak a shumë
rreth kësaj moshe ishin edhe shokët e tij të klasës. Në ditët e prillit ksihin
demonstruar kundër pushtimit dhe largimit në fshehtësi të Zogut. Në shtator ju
ishin kthyer mësimeve dhe ishin munduar të protestonin në klasë, për të mos përshëndetur
“ala romano” dhe kishin pësuar masa disiplinore. Më pas kishin vazhduar me mësimet,
me takimet e përditshme në ëmbëltoren e Todo Boboshtarit dhe me bisedat rreth
Musolinit, Hitlerit, Stalinit, LeBrynit dhe Cembërlenit. Si të gjithë të rinjtë e
gjimnazeve dhe universiteteve të asaj kohe, flisnin rreth komunizmit dhe
fashizmit, demokracive liberale dhe degjenerimit të tyre, falsitetit të
monarkive dhe vëllazërimit të popujve. Mes tyre, disa ishin përfshirë më shpejt
në organizimet ilegale, që në vitet e para të luftës, ishin ende të “pafuqishme”
dhe me veprimtari të kufizuara. Pastaj erdhi hyrja e Hitlerit në Paris , lufta italo greke,
hyrja e grekëve në Korçë, sulmi gjerman ndaj Bashkimit Sovjetik dhe gjallërimi i
Fronteve Kombëtare në vendet e pushtuara nga Gjermania. 20 vjeçarët e klasës së
tim eti, ishin përfshirë në “veprimtaritë terroriste”, si i quanin pushtuesit,
veprimtaritë kundër Italianëve dhe administratës kuislinge. Por jo të gjithë
dinin gjithshka për njëri tjetrin. Edhe pse i dinin pikpamjet e tyre, Andoni
nuk dinte se ç’bënte Fatmir Gjata, Pepi Pilika, Nesti Nasseja, Llambi Ziçishti,
Gafur Cuçi, Stefanaq Polloja, Muharrem Frashëri, Zija Xholi apo Marika Isaku. Të
gjithë ishin bashkënxënës të së njëjtës klasë. Vetë bënte pjesë në një “celulç”,
që i përkiste mëhallës së tij, me të tjerë “kontakte”. Të atij organizmi kishin
qënë edhe Midhi Kostani dhe Kiço Greçoja, të rinjtë korçarë të ekzekutuar me
varje, për djegien e zyrave të Fashios.
(Kur isha adoleshent, ma pat treguar me imtësi se si kishte
ndodhur aksioni dhe se si ishin kapur gati aksidentalisht dy heronjtë. Në
mendje më kishin mbetur fotot e tyre të mbuluara me çarçaf të bardhë, të varura
në trekëmbësha në dy pika të ndryshme të pazarit. Ata, që i kishin njohur, nuk
kishte se si të mos përbetoheshin për Hakmarrje.)
(vijon)
No comments:
Post a Comment