Friday, 22 September 2017

“Kufiri në thana” i Zabitit

Një intervistë e ish politikanit Zabit Brokaj, preku sërish një çështje mjaft të ndjeshme të politikçs së jashtme shqiptare – atë të marëdhënieve me shtetin grek.
Zabiti, “ngrinte në qiell” politikën e ndjekur nga Rama ndaj Greqisë në katër vitet e fundit, si “rikthim” në paritetin midis dy vendeve. Pak a shumë, një kthim tek politika e jashtme e “shtetit sovran” të Enver Hoxhës, kur me grekët ishim “popuj miq- dhe vende armiq”, kur ju kujtonim monarko-fashizmin, shovinizmin dhe përpjekjet e kishës greke për të mos lejuar të kishte Shqipëri!
Në fakt, politika e Ramës ndaj Greqisë ka qënë kryekëput e gabuar!
Eshtë e papranueshme në standartet e sotme të diplomacisë, që me një vend fqinj, me të cilin je dhe anëtar i disa organizatave të rëndësishme, për 4 vjet të mos kesh asnjë takim të nivelit më të lartë. Pavarësisht nga qëndrimet e palës tjetër, jemi ne, të cilët kemi mijra familje, që punojnë atje, jemi ne, që kemi nevojën e votës greke për probleme kardinale të së ardhmes sonë, jemi ne që e kemi më të nevojshëm bashkëpunimin ekonomik me ta.
Më tepër se dëshira pët “të qënë plotësisht i barabartë“, duket se Rama, i ngjet një “frikacaku”, që trimërohet, me kundërshtarët kur i kanë pozitat e tyre jo fort mira.
Kriza e madhe greke, e traumotizoi shoqërinë e vendit fqinj, ja dobësoi raportet me Gjermaninë, ja “uli zërin” në forumet ndërkombëtare. Kryeministri Rama shfrytëzoi këtë gjendje të shtetit fqinj për të forcuar më tepër se sa duhet marëdheniet me Turqinë e Erdoganit, e cila nuk shihet me sy të mirë as nga Bashkimi Europian, por edhe nga demokracitë e tjera të zhvilluara, për shkak të shkeljes së të drejtave të njeriut, goditjes së sekularizmit dhe “flirtimit” me Rusinë e Putinit. Në “mëhallën ballkanike” Rama la përshtypjen e dikujt, që vrapon të gjejë mbështetjen e “të fortit dhe të pasurit” edhe pse e di, që ky “është rezil”. Për më tepër, në sytë e grekëve që kanë probleme të mëdha me Turqinë, kjo i ngjan një “futje në darë“ nga të dy krahët.
Edhe pse ballkanikë në mentalitet, grekët kanë një demokraci të përparuar dhe pjesëmarrjen kohore më të gjatë në Bashkimin Europian.
Edhe pse në krizë ekonomike, pozita e favorshme e tyre dhe faktorë të tjerë, i bëjnë që ende të kenë një standart të lartë krahasur me vendet e tjera ballkanike.
Edhe pse ka pjesë të shtetit grek apo popullsisë, që shfaqin shovinizëm dhe racizëm, ata kanë pranuar dhjetramijra familje shqiptare, të cilat punojnë dhe  jetojnë thuajse si të barabartë me grekët.
Edhe pse ka pasur në fillim elementë të populizmit, Cipras i përket së Majtës Europiane dhe ze një vend të respektuar mes saj.
Për gjithë këto arsye dhe për të tjera, politika e qeverisë shqiptare duhet të mos jetë ajo e “kufirit në thana”, që predikojnë Zabitët. As ajo e “karshillëqeve” të Ramës, që i duket si një politikë e zgjuar, por ka sjellë vetëm një ftohje absurde.
Për të prekur pak edhe çështjen delikate të Himarës, që duket se ka sjellë edhe acarimet e fundit.
Cështja e shpronësimeve për “Rilindjen Urbane”, është një problem i madh i Shqipërisë, që ka sjellë përplasje shoqërore jo vetëm në Himarë, por në shumë qendra të banuara.
Ligji, që i jep dorë të lirë pushtetit qëndror dhe lokal për të shpronësuar duhet rishikuar, se i ngjan shumë praktikave të të Majtave Totalitare.
Ndoshta, qëndrimi i Greqisë në këtë rast është i tepruar, por i gjithë problemi i Himarës, duhet zgjidhur nga banorët e saj dhe jo sipas ideve “pseudo-patriotike” të rindarjeve dhe shpronësimeve të nisura nga Kokëdhima e të vazhduara nga Rama.
Greqia është i vetmi shtet i Europës të bashkuar me të cilin kemi kufi tokësor dhe interesa të mëdha të përbashkëta. Edhe këto ditë, me mijra shqiptarë po shkojnë drejt shtetit grek për të punuar provizorisht në mbledhjen e ullinjve.

Ndaj “armiqësia tradicionale” e Zabitëve duhet lënë tek thana, sepse i ngjan nivelit kulturor të së “jëmës së Zeqos, që fliste nga maja e thanës!”

No comments:

Post a Comment