Batalioni “Hakmarrja” pati disa luftime me ushtrinë
italiane, para se të lëvizte drejt Makërzës të Vithkuqit, ku do organizohej
Brigada e Parë Sulmuese. Eshtë e vështirë të kuptosh sot, se si kanë lufuar me
dhjetra e qindra të rinj shqiptarë, që nuk kishin asnjë lloj stërvitjeje
ushtarake. Vetë komandanti Petrit Dume ishte 23 vjeçar. Nuk kishte bërë asnjë
shkollë ushtarake, nuk kishte kryer shërbim ushtarak dhe nuk kishte qënë as në
bandat e komitëve dhe kaçakëve, si mund të kishin qënë të tjerë komandantë çetash.
Edhe pse karakteri i luftës partizane, me prita, goditje në fshehtësi, me
formacione të vogla, ju krijon avantazh atyre, që sulmojnë, përsëri, nga
mungesa e përvojës kanë ndodhur edhe me dhjetra gabime, të cilat kanë kushtuar
jetë të rinjsh.
Në mes të gushtit, pas dy javësh organizimi dhe stërvitjeje
u quajt e formuar Brigada e I me komandant Mehmet Shehun. “Ishte shumë nervoz”
kujtonte babai, që kishte punuar për 4-5 ditë si sekretar i tij. “Flinim në një
çadër dhe hanim në një gavetë, por nuk kënaqej me shpejtësinë time në
daktilografim. Duket kjo ishte arsyeja, që më caktuan sekretar të Komandës së
Vendit në Vithkuq.” Komandant e vendit, në zonat, që kontrolloheshin nga
partizanët, ishin si pika lidhjeje për formacionet ushtarake të Frontit
nacional Clirimitar. Mblidhnin ndihma dhe armë, mobilizonin (pa forcë) partizanë
të rinj, dërgonin informacione në Komanda e Qarkut dhe merrnin njoftime prej
tyre, se si duhet të vepronte popullsia. Në Vithkuq, komanda ishte në një nga
kodrat e Dukasit, në një kishë të vjetër. Në më të shumtën e kohës nuk kishte më
shumë se 5-6 partizanë. Kur italianët dhe më vonë gjermanët ndërmernin ndonjë
sulm ndaj zonave jashtë kontrollit të tyre, nga majat e Vithkuqit kontrollohej rruga
automobilistike dhe partizanët bashkë me burrat e fshatit largoheshin në theëllësitë
e maleve dhe pyjeve dhe ju shpëtonin ndëshkimit dhe u arrestimeve. Kështu
kishte ndodhur disa herë, deri në një mëngjes tetori “…ishte kohë e mirë një
ditë më parë dhe pasdite vonë, ndaluan në Komandë edhe disa të rinj nga
Shtylla, që po ngjiteshin në fshatin e tyre. Bëmë muhabete deri vonë për luftën
dhe se si do bëhej pas saj. Kënduam edhe gjatë dhe ju thamë të rrinin e të flinin atë natë e të nesërmen të shkonin në
fshatin e tyre. Mes tyre ishte një djalë i gjatë, më entuziasti në të kënduar.
Pa u gdhirë mirë u dëgjuan të thirrura “Gjermanët, gjermanët! ” dhe pa u dëgjuar
krismat e para rrëmbyem pushkët e dolëm nga kisha. Gjermanët i kishin sjellë
nga një rrugë këmbësorësh, që e dinin vetëm fshatarët e zonës dhe ishin fare
pranë. U shpërndamë kuturu duke shtënë më shumë në ajër dhe zbritëm monopateve
të kodrës drejt lagjeve të fshatit. Pranë kishës gjermanët kishin vënë një
mitroloz të lehtë dhe shtinin në të katër anët poshtë kodrës. Atje më morrën dy
plumbat, që më lanë në vend, me pak fuqi vetëm sa të fshihesha pas disa pemëve.
Në fillim dhimbja nuk ishte e madhe. Më vonë humba ndienjat, ndoshta dhe nga që
kisha humbur shumë gjak. Njëri nga plumbat më kishte hyrë në hije dhe pasi
kishte çarë dy mushkëritë më kishte dalë këtu.” dhe më tregonte shenjën gropë
poshtë klavikulës, për të cilën e pyesja. “Plumbin tjetër e kam akoma në trup. Po isha me fat se më gjeti e jëma e Dhosi Xhelit e më tërhoqi
bashkë me një grua tjetër në shtëpinë e saj. Shumë të tjerë u vranë. Të riun që
këndonte bukur dhe që rastësisht ndenji me ne atë natë, e gjetën të vrarë nga
një bajonetë në gjoks.”
(vijon)
No comments:
Post a Comment