“Hakmarrja” ishte emri që Andon Mara propozoi për batalionin
e posaformuar, mbi bazën e çetës së Kolonjës të Petrit Dumes dhe katër çetave të
tjera të zonës Kolonjë-Leskovik-Përmet. Në çetën e Kolonjës e kishin dërguar
nga Voskopoja, kur të gjithë liceistët ishin shpërndarë në formacione të ndryshme
luftarake. Historinë e “pagëzimit” të batalionit ma kishte treguar vonë, kur
dikush, që kishte qënë i pranishëm ja kishte kujtuar. Kishte qënë një hedhje
mendimesh e partizanëve dhe ideja e tij kishte “ngjitur”. Ishte vetëm një
partizan i thjeshtë, që nuk kishte shkrepur pushkë më parë, veç ndonjë prove me
revolver, në kohët e mbledhjeve të fshehta, ndarjes së trakteve dhe dëgjimeve të
komunikatave të luftës së Radiove të Huaja.
Por “qëndrimi në mal” nuk ishte ai që mendonin kur flisnin
me zjarr “ëmbëltoreve” apo edhe mbledhjeve në bodrumet e shtëpive “të lidhura
me Lëvizjen”. Kishte edhe ushqime të pamjaftueshme, edhe ecje maleve me orë të
tëra, edhe “batalione me morra” në trup, edhe urdhra të palogjikshme, edhe
biseda absurde. Ishte një jetë tejet e ndryshme, për dikë, që kishte kaluar 15
vite të jetës në Stamboll dhe ishte ende nënshtetas turk, me një leje qëndrimi,
që i përsëritej çdo vit nga “Mbretërija Shqiptare”. Por sigurisht e ndryshme
edhe nga jeta e luftëtarëve të përshkruar nga letërsitë romantike europiane, të
cilat kishte lexuar gjatë fëmijërisë dhe adoleshencës. Të ndryshëm ishin edhe të
rinjtë, që luftonin dhe vinin nga fshatrat dhe kishin mentalitete dhe
botkuptime të tjera. “Në mal” njohu botën e tarafeve, miqësive, krushqive, të
zakonta për zonat malore të jugut të Shqipërisë. “Petriti me të vëllanë dhe
tarafin e tyre, e kishin zakon të zgjidhnin shtëpitë më të mira si baza dhe të
shtroheshin me të ngrëna e të pira e të kënduara. Këndonte mirë dhe gjatë këngës
nuk i mbahej goja…Muhamet Prodani ishte ndryshe. Rrinte me ne, partizanët e
rinj.”- më tregonte para se “gagaçi” të merrte të tatëpjetën dhe më vonë të
pushkatohej si “puçist”.
Shpesh mendoj, se çfarë e kishte shtyrë tim atë, t’i bashkohej
një lëvizje të fshehtë, që do e detyronte më vonë të vinte edhe jetën në
rrezik. Nuk më kishte përmendur ndonjëherë, njerëz, të cilët të kishin pasur
ndikim të veçantë në rininë e tij. Ishte 19 vjeç, kur kishte humbur edhe nënën,
por veç mungesës së dashurisë të prindërve, nuk kishte mungesa të tjera.
Jetonte në një familje të zgjeruar, me të vëllanë dhe dy dajllarë të martuar,
por që nuk kishin fëmijë. Bashkë me ta kishin edhe një “bakallhanë“ në Pazar,
me të ardhurat e të cilës jetonin mirë. Kishte vetëm 4 vjet në Shqipëri dhe
edhe pse ndjehej i tillë, lidhjen më të fortë shpirtërore e kishte me
Stambollin. Në diskutimet në shtëpi, dajot nuk e dëshëronin rrezikun e një pjesëmarrje
në një lëvizje, të drejtuar nga komunistët. Ishin njerëz, që nuk ishin përzjerë
me politikë dhe njëri prej tyre kishte ikur nga Odesa, kur kishte “triumfuar”
Revolucioni i Tetorit. Megjithatë, nuk e pengonin të sillte shokë në shtëpi dhe
materiale të ndaluara. Ishte më i shkolluari në shtëpi dhe e besonin edhe pse
ishte më i vogli në moshë.
Diçka duhet të lidhej me prirjen e tij për mbrojtjen e së
Drejtës. E kishte trashëguar nga i jati, por edhe dajot ishin veçanërisht të
ndershëm dhe të drejtë. Ndjenja e gjithësishme e të Drejtës nuk pranon, që një
shtet i huaj të vijë me forcë ushtarake dhe të të sundojë në vendin tënd. Edhe
nëse ka njerëz, të cilët i presin me lule. Edhe nëse ka njerëz të arsimuar mirë,
që pranojnë të punojnë në administratën e re, ose e quajnë ardhjen e të huajve
si “bekim nga qielli”.
Nuk ishte e Drejtë edhe pse me ardhjen e italianëve, në
dyqanin e familjes shiteshin shumë dhe më shumë ushqime.
(vijon)
No comments:
Post a Comment