Korça e shekullit të XX-të ishte Korça e Shën Gjergjit.
Edhe pa thënë kisha, kur përmendej Shën Gjergji, dihej, që bëhej
fjalë për kishën madhështore në një gur gri të çelur, që kishte nisur të ndërtohej
dhjetvjeçarin e fundit të shekullit të XIX-të dhe ishte përfunduar më 1905. Kishte
zgjatur ndërtimi, se gjithshka ishte në blloqe të mëdha guri, të gdhenduara me
mjeshtëri. Tregohej, që mjeshtri Naum Trasha nga Opari, që drejtonte punimet, i
kishte vënë numur çdo blloku guri dhe drejtonte, që poshtë vendosjen e tij në
vendin e caktuar. Të gurta ishin strehët, rozetat, harqet mbi dritare dhe çdo
detaj tjetër. Duhet të kishin ndjekur në ndërtim, teknika të ngjashme me ato të
ngritjes të Katedraleve madhështore gotike të Francës dhe Gjermanisë. Në anët
tona ende ndërtimi kishte mbetur pas dhe Korça edhe pse më përpara se të tjerët,
nuk kishte nisur ende të njihte betonin e armuar apo konstruksionet e mëdha
prej metali. Ishin vetëm një qoshe e varfër dhe e prapambetur e Europës. Por që
po modernizohej shpejt, më shpejt se të tjerët.
Shën Gjergji ishte madhështor dhe disi i mistershëm. I
drejtoheshim në gjininë mashkullore edhe pse ishte kishë. Ishte autoritar. I
patundur.
Flitej, që diku brenda tij ishte edhe trupi i Lakçes. Kjo e
bënte më të mistershëm për ne të vegjlit, që e kishim të vështirë të kuptonim
se ku niste jeta e ku vazhdonte nëpërmjet
kishës tek zoti dhe ku vazhdonte me trupat e pajetë, si ai i Lakçes. Të gjitha
ishin brenda Shën Gjergjit.
Brenda tij kishte meshuar për herë të parë në shqip imzot
Fan Noli, duke shënuar përfundimisht, mbështetjen e ortodoksëve të Korçës për
një Shqipëri të ardhme. Disa vite më vonë, një numur jo i pakët korçaërësh
ortodoksë, kishin firmosur Deklaratën e Pavarësisë në Vlorë dhe ishin bërë anëtarë
të qeverisë së Ismail Qemalit. Kishte një pjesë të Shën Gjergjit tonë në atë
Deklaratë. Jo vetëm emrin e Kastriotit, por lidhjen e fortë të korçarëve me
Shqipërinë, me themelet e forta të saj. E korçarëve të Stambollit, Bukureshtit
dhe Bostonit, por më shumë e korçarëve, që jetonin në qytet.
Emri Gjergji, ishte më i përdoruri në djemtë e lindur
pasluftës. Kishte patur edhe shumë para saj, por në vitet ’50 dhe ’60, thuajse
nuk kishte më Gaqo dhe Jorgo, por të gjithë ishin Gjergji. Emri i Skënderbeut,
por edhe emri i shënjtorit, emrin e të cilit kishte madhështorja Kishë, me të
cilën përballeshe sa hyje në Korçë. Në klasë kishim pesë djem me emrin Gjergji.
Plot të tjerë në klasat e tjera.
Kështu deri më 1968.
Shën Gjergji kishte qënë i heshtur prej më tepër se një viti.
Ndoshta në dyert e tij, në muzg ndizeshin qirinj, por për ne që kalonim shpesh
atje, ishte një gjigand i heshtur dhe më i mistershëm. Vetëm galat krrakarisnin
në plepat pranë tij. Gjithmonë, plepat ishin plot me gala. Kështu kishte qënë
gjithmonë, apo ishin shtuar pas heshtjes të Shën Gjergjit, këtë e dinë më mirë
ata, që jetonin pranë kishës.
Në qytet kishin nisur të flisnin se do prishej Shën Gjergji.
Edhe ata, që nuk besonin çuditeshin. Ishte aq madhështor.
Por diku lart, për arsye të paspjegueshme, kishin vendosur të
shpëtohej Kisha e Mitropolisë, por jo Shën Gjergji. Një vit më parë ishte
prishur Shën Mëria dhe diçka ishte folur rreth të krisurve, që kishin vënë dorën
të parët, por Shën Mëria ishte e vogël dhe në të dalë të qytetit. Shën Gjergji
ishte ndryshe. Ishte i madh, gati i bardhë, i gurtë dhe në qendër të qytetit.
Dikush, tepër i fuqishëm, nuk donte që Shën Gjergji të ishte
më atje.
Mbase donin të fshihnin diçka. Mbase edhe të ulnin vlerat e
Fan Nolit, të cilin korçarët e donin shumë. Specialistëtë që kishin përpiluar
listat e monumenteve të arkitekturës, që duhej të mbroheshin, nuk arrinin të
kuptonin, përse Shën Gjergjin nuk e linin në atë listë.
Kështu, deri ditën, që nisi beteja e prishjes së Shën
Gjergjit. Më pas gjithshka nisi të merrte fund.
Ishte vërtet një luftë me gjenialitetin e ndërtuesve oparakë,
që kishin punuar në gjithë botën deri në Taxh Mahal-in e famshëm. Vendi i “luftës”
nuk ishte rrethuar, ndaj ne fëmijët mund të shkonim pasditeve të vona të verës,
pasi punëtorët ishin larguar, dhe të shikonim blloqet e gurit, të mbuluar nga
pluhuri i betejës, rënë mbi to. Nuk kuptonim pse një gjë aq e fortë, duhej të
prishej. Nuk na i rrokte mendja jonë, që dinte pak dhe askush nga të rriturit
nuk na spjegonte. Të gjithë përmendin se sa mirë ishte ndërtuar. Edhe ne
shikonim blloqe guri të punuara me saktësi, ndërsa ndiqnim shokët më të rritur
që kërkonin plumbin lidhës të blloqeve për të mbushur ashikët.
Flitej, që mes dy blloqeve në mur nuk mund të futje as thikën.
Ishte ndërtuar me saktësi dhe lidhur në gjithë muraturën me plumb. Nuk mund të
prishej si gjithë ndërtesat e tjera. Pjesë të caktuara, nuk i shkulnin dot edhe
pse përdornin bulldozerë, që tërhiqnin kollonat dhe pjesë të tjera vertikale me
kavo. Një shfaqje e shëmtuar dhe drithëruese në mes të qytetit për muaj të tërë.
Kështu deri sa e prishën të gjithë.
Ndoshta pjesë të themeleve janë ende atje.
Në atë pjesë të bukur të Korçës së shekullit të XX-të.
Ku ngrihej ndërtimi i gurtë më i arritur në gjithë Shqipërinë.
Në më të mirët e Ballkanit.
Shën Gjergji jonë.