Gazetaria jonë, është më larg tipit “fake news”(edhe pse ka raste të tilla), se sa është e një tipi tjetër që do e quaja: “shkel e shko”. Në përpjekje për të paraprirë me lajme të bujshme, jo vetëm që nuk bëhen verifikime nga burime të tjera(që duhen të jenë serioze), por gazetarët dhe redaktorët nuk marrin mundimin të bëjnë as verifikimet për emrat, lidhjet, vendndodhjet edhe pse në internet sot mund të verifikosh gjithshka në një kohë rekord.
Ka raste kur mungesa e përgjegjësisë është aq flagrante, sa që në komentet e para të lexuesve online, gazetari ose gazetarja del zbuluar. Lexuesi i sotëm nuk është më ai i viteve ’50 të shekullit të kaluar, kur “Zëri i Popullit” mund të shkruante edhe “fluturojnë gomerë në qiejt e Ballkanit” dhe një pjesë e mirë e lexuesve ta besonin.
Faktorët e “shkel e shko”-së mund të jenë të shumtë, që variojnë nga nxitimi në të shkruar, në mungesa e kulturës së gazetarëve dhe redaktorëve e deri në pagat e vogla të shumicës së gazetarëve, por asgjë nuk justifikon mungesën e respektit për lexuesin, që në vetvete është edhe mungesë respekti për veten. Pa asnjë verifikim, lajmi apo shkrimi merr udhën duke u kopjuar në gazeta dhe portale të tjera dhe lexuesi mesatar në shumë e shumë raste ushqehet me “lajm gazetarisht të modifikuar”, që nuk është gjë tjetër veç lajm i shtrëmbëruar .
Dikush shkruan se i jati i Adriatik Llallës u dënua më 1947 si agjent i CIA-s dhe askush nuk merr mundimin ta vejë në dyshim këtë fakt. CIA më 1947 nuk ishte formuar akoma.
Një gazetare e shumëpërmendur, në një shkrim për dashnoret e ministrave shkruan “elegji” në vend të “apologji” dhe shkrimi me të njëjtën gafë përsëritet në disa gazeta dhe askush nuk e korrigjon, gjë që dëshmon padijen e një grupi të gjerë redaktorësh dhe gazetarësh.
Askush nuk e rreket të saktësojë një fjali të një gazetari tjetër të njohur se si “Odisea që zuri veshët me dyllë para circeve”, kur është njohuri elementare, që Odisea nuk i zuri veshët me dyllë për të mos dëdjuar këngën e sirenave se e dinte që përsëri do e dëgjonte, por kërkoi ta lidhnin pas direkut të anijes dhe gjithashtu Circeja, është në një pjesë tjetër të udhëtimit të tij.
Më flagrante janë lajmet bombastike për ngjarje matanë oqeanit, që lidhen ose jo me Shqipërinë, si shkrimet e disa ushtarakëve amerikanë kundër Donald Lu-së, apo takimet në trotuare të politikanëve tanë me njerëz me peshë apo pa peshë të jetës politike amerikane.
Në këtë “lëmë“ lajmesh, “të shtënat që në brez” arrijnë kulmin.
Një gazetar me përvojë, që pretendon të jetë shumë i kënduar, shkruan për të mirënjohurin Ralf Nejdër (Ralph Nader), një nga njerëzit e politikës dhe njëkohësisht autorët më me peshë në Amerikë, se “ zgjedhjet Al Gore i humbi për shkak të një ekologjisti, që më duket se quhej Nader”.
Të tjerë gazetarë tjerrin hollësisht me siguri për lobe greke dhe serbe pranë politikës amerikane dhe për kushtëzimin, që i bëjnë politikës së jashtme të Amerikës ndaj Shqipërisë, pa patur idenë nëse vërtet janë këto lobe dhe sa është në të vërtetë pesha e tyre.
Të gjithë indinjohemi, kur mësojmë se në bodrumet e Tiranës, prodhohen dhe magazinohen ushqime të falsifikuara dhe me të drejtë kërkohet arrestimi dhe dënimi i autorëve. Por edhe “ushqimi” që del nga penat dhe tastierat e gazetarëve nuk është më pak i rëndësishëm për njerëzit dhe shëndetin mendor të tyre. “Ushqimi i kalbur” vret neuronet e mijra mendjeve të paformuara mirë, por edhe të atyre të formuara.
Ndaj dhe përgjegjësia e Medias është jashtëzakonisht e madhe.
Edhe pse në rrethet e medias nëpër botë, ka shumë diskutime rreth “rregullave të arta” të gazetarisë, shumica e autorëve pajtohen për pesë prej tyre, rregulla këto, që çdo gazetar duhet t’i ketë të shkruara në mendje dhe për t’I kujtuar , kur e rrëmben shkrimi, ti ketë edhe të shkruara në ekranin e kompjuterit. Ato janë(pa I kushtuar shumë rëndësi renditjes):
- Vetëm faktet zonjë!
- Njih mirë lexuesit dhe shikuesit
- Përmend burimet ku ke gjetur faktet
- Përqëndroju në historia që po tregon
- Apliko piramidën e përmbysur(faktet më me rëndësi në fillim të shkrimit).
Për gazetarët tanë, që rrëmbehen, do shtoja edhe një të gjashtë:
· Mos ja fut kot!
No comments:
Post a Comment