“Sinemaja” ishte vërtet e rëndësishme për brezin tonë dhe më
shumë akoma për brezat para nesh, se ishte një formë shumë demokratike
“kseasjeje”. Edhe ata, që nuk shkelnin kurrë në teatër, opera, koncert sinfonik
apo edhe në stadium, në kinema shkonin.
Deri vonë, në vitet’70, përdorej shprehja “andej nga
sinemaja”, që i kishte rrënjët jo vetëm në kohën e francezëve, por edhe se një
pjesë e mirë e vendeve të Ballkanit e përdornin variantin francez të fjalës,
sepse ishin vëllezërit Lumiere ata, që kishin shpikur artin e ri të
“sinematografisë“.
Në kohën tonë “Lluksi” ishte djegur dhe kishte mbetur vetëm
“Majestiku”, që çuditërisht kishte shpëtuar
pa ndonjë emër rus, por e kishin quajtur “Morava ”.
Të martave na shpinin “me kopshtin” dhe zakonisht shikonim “Skënderbeun” ose
“Vallzimi i Shqipeve”, që ishin dy filma , të cilët “i dinim më gojë“, se vazhduan
të shfaqeshin edhe për shumë vite të tjara, të djelave në mëngjes, në “kinema
me 5 leka”.
“Morava ” dhe “Verorja”,
mbetën për disa dhjetvjeçarë, vendi kryesor i argëtimit të qytetit. Edhe pas
fillimit të viteve ’70, kur aparatet televizive filluan të hynin në masë, përsëri
kinemaja ishte një vend takimi, argëtimi, ëndërrimi dhe “parade”. Edhe pse
llozhat ishin prishur më 1966, përsëri kishte rëndësi nëse do gjeje dot bileta
“të mira” apo akoma më tepër po ishe me fat të gjeje edhe në llozhën e vetme, që
kishte 4-5 rradhë.
Psherëtinim me fatet e Antonela Lualdit, Alida Valit, Raf
Valones në melodramat italiane; qeshnim me Mastrojanin dhe Sofia Lorenin në
komeditë e neorealizmit dhe “indinjoheshim” ndaj prapaskenave borgjeze në “Rrëfimet
e komisarit të policisë“, “Cështja Sabiel”, "Ne Santiago bie shi" apo “Zeta”. “Sinemaja” ishte bota
jonë “alternative”, ku shihnim pamje të qyteteve të huaja, si visheshin e si
kriheshin bashkëkohësit tanë në Europë, se si ju hipnin makinave dhe
“fluturonin” në rrugë të gjëra e të drejta. Deri sa të gjithë kishin nga një tv
në shtëpi dhe më të rëndësishëm se Kiçi i Gjatë, Comeja, Kiçi Zëçka dhe Gaqoja
i kinemasë, u bënë Rrapi i televizorëve, Mandi dhe Mihallaq Mançka.
E megjithatë, nuk kujtoj të kemi mbajtur rradhë, për të parë
ndonjë film shqiptar. Sigurisht, që për ta nuk kishim të njëjtën përbuzje, që
kishim për filmat kinezë, por nuk kishim etje të shkonim, që t’i shihnim sa
dilnin për tu shfaqur.
Nuk di se kush i shikon sot në Shqipëri, kanalet televizive,
që shfaqin filma shqiptarë, por nëse vërtet mund të ekzistojë një “publik” për
to, besoj se sallat e kinemave të kryeqytetit nuk do hezitonin t’i shfaqnin.
Në kohën tonë, s’besoj se theshte njeri, “hajde shkojmë nga
sinemaja se ka dalë filmi “Prita”.
Vetë do kisha dëshirë të rishikoja vetëm një film të
kinostudios “Shqipëria e Re”- “I teti në bronx. Bile tama tamam vetëm një pjesë
të tij, atë ku “mësuesi” i bën atentat Lefter Lefterit. Në skenën e rrëmujës,
kur të pranishmit dalin me nxitim në shkallët e “Valbonës”, mes figurantëve është
edhe Peçi Bajamka.
No comments:
Post a Comment