Të vishesha “rrogeç”, ka qënë një ëndërr e bukur e imja, që u bë realitet vetëm dy herë, se Karnavalet u ndaluan disa vjet para para Letrës së Hapur të Komitetit Qëndror të 6 shkurtit 1967, që solli përfundimisht mbylljen e institucioneve fetare.
Më nuk kisha mundësi as të bëja mustaqe me bojë këpucësh dhe as të vishja, rroba kalorësi apo brekushe turku, gjë sot nuk e bëj se në dhe të huaj më vjen turp. Nuk do e bëja dot as në Korçë, po të isha, se për arsye turistike, a për harmoni fetare, Karnavalet e Korçës bëhen në qershor dhe jo para fillimit të kreshmëve, sikundër janë bërë për qindra vjet.
Dhe nuk e di se edhe nëse do bëheshin si gjithnjë në shkurt ose mars, seç’mund të ishte veshja që do më përshtatej më mirë si “rrogeç”. (Kuptohet, që edhe të njohurit mos më njihnin, se i gjithë kuptimi i të veshurit “rrogeç” humbet pastaj.)
Ndoshta si “grua me barrë“ edhe mund të vishesha, se barkun e kam si në “të shtatë“, por për këtë do më duhej të hiqja mjekrën dhe për gëzimin e të qënit “rrogeç” për një ditë, nuk do rruhesha e kruhesha kaq shumë.
Mbase si shimpaze mund ta kisha më të lehtë. Një shimpaze në moshë dhe që nuk hip nëpër pemë. Kuptohet, po të gjeja ndonjë kostum majmuni nga ato të qëmotshmet të Shtëpisë së Pionierit të Nafiz Sulit.
Dhe do bridhja tërë gaz lart e poshtë Këmbësores(të cilën e njoh me pëllëmbë edhe pse nuk kam punuar në shtrimin e saj me gurë), si një shimpaze në moshë, që entusiazmohet nga arritjet nën udhëheqjen e Partisë, nga dëfrimet pakufi në rastin e lidhjes së mishit dhe nga pikat e larta, që i janë shtuar horizontit qytetit. Se një shimpaze, gjithmonë ju gëzohet lartësive dhe nuk do lija rast pa u ngjitur në Kullën Vrojtuese, të cilës, për rastin e Karmavaleve i duhen lidhur me doemos ca litarë, ku mund të kacavirren, gjithe ata, që janë veshur si majmunë.
E do përshndetja tërë gaz, të njohurit e të panjohurit rrogeçë, ata që i njihja dhe ata, që nuk do i dalloja dot. “Ej Peshkaqeni!”, “Ku je Zorro”, “Tëçkën si je veshur o Turi, mam si Madam de Pompadur!”, “O Cili, dukesh që një orë larg, sado që je veshur si pirat”.
Edhe me një grup rrogeçsh të veshur si kryeministra, prefektë, kryetarë bashkie, deputetë do përshëndetesha plot ngazëllim.
Se është ëndërr e cilitdo fëmije , që një ditë të vitit të jetë “rrogeç”!
Lum ata, që janë të tillë çdo ditë!
No comments:
Post a Comment