Thënia e famshme e disa të Plotfuqishmëve të lagjeve, me të
cilat qeshnim kur vinin të na ngrinin nga sofatet e Bonbonerisë mu kujtua në këtë
valë arrestimesh të vjedhësve të energjisë elektrike, ndërtuesve, që ndërtojnë
pa leje dhe shoferëve, që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor apo mundohen t’ju
japin rryshfet policëve.
Shteti Ligjor po ndërtohet më në fund!
“T’marr t’pëlcas brenda!”
Ky kërcënim i ardhur nga “Shteti i fortë“ të bën të
dridhesh, jo sepse burgu është i tmerrshëm, por pas tij fillojnë shumë halle me
para, nga ato, që do ju japësh gardianëve për ndonjë favor, tek paratë për
avokatin dhe llokma më e madhe, që duhet për gjykatësin.
“Po mirë të të bëhet!”- mund të hidhen të gjithe. “Mos e
vidh energjinë!”
Vërtet , që energjia nuk duhet vjedhur, si nuk duhen vjedhur
fondet e tenderave publike, si nuk duhen vjedhur paratë e studentëve për të
marrë provimet, si nuk duhen shitur ilaçe të skaduara, e si nuk duhen bërë sa e
sa marifete të tjera për të mbushur xhepat.
Vetëm një gjë nuk arrij të kuptoj. Nuk është në gjendje ERE,
të bllokojë furnizimin me energji në lidhjet e paligjshme? Nuk mund të
aplikohen gjoba të mëdha, të cilat I bëjnë njerëzit të mendohen dy herë para se
të bëjnë lidhjen e kundërligjshme?
Në atmosferën e helmuar shoqërore në Shqipëri, ku shumë njerëz
ushqejnë zili për ata , që janë pasuruar, këto lloj fushatash sjellin një dëm të
madh edhe psiko-edukues. Sjellin gëzime të fshehta dhe të hapura të shtresave të
varfra, që ngazëllehen kur dëgjojnë për arrestime dhe thonë “Mirë t’ja u bëjnë!”
Të tilla pati menjëherë pas luftës, kur tregëtarët apo pronarët e pasur i fusnin
brenda dhe i shtronin në dru deri sa të tregonin florinjtë. Nuk them, që vjedhësit
e energjisë janë në të njëjtat pozita me tregëtarët e ndershëm të atyre kohërave,
por masa të tilla si këto të javëve të fundit nuk janë të natyrës të një shteti
ligjor demokratik.
Të shpien dalëngadalë në të tjerë lloje shtetesh.
Ata të tipit:
“T’marr t’pëlcas brënda!”
No comments:
Post a Comment